Nga: Sven Auren, suedezi që vizitoi Shqipërinë në vitet ’30 të shekullit të kaluar (pjesë nga libri “Orienti i Evropës”)
Përktheu: Adil Biçaku

Të duket sikur shqiptarët e kanë huazuar këtë traditën e gjakmarrjes prej korsikanëve ose arabëve, por vetvetiu duhet të jetë rit shumë i lashtë ilir, nga ato llojet më të qëndrueshme. Edhe në vendet fqinj ka ngjarë. Sipas Jireçekut, gjakmarrja ka lulëzuar në Dalmaci dhe në Mal të Zi; rastet e gjakmarrjes ishin akoma të zakonshme deri nga mbarimi i viteve 1800. Por, Princ Danillo arriti me anë të një aksioni energjik ta ndalojë këtë zakon të tmerrshëm në këtë vend. Metoda e tij qe ndëshkimi me vdekje dhe në sajë të autoritetit të madh që kishte, gjente gjithnjë njerëz që ishin të gatshëm të zbatonin dënimet me vdekje. Në Shqipëri problemi ishte ndryshe. Regjimi turk nuk pat kurrë sukses të dominojë krejtësisht mbi popullin shqiptar, e cila qe domosdo e nevojshme, për të zhdukur këtë ves.

Malësorët dhe mirditorët jetonin mes maleve të tyre dhe pas atyre formave që prindërit e tyre i kishin mësuar të jetonin dhe i përqeshnin xhandarët kur ata paraqiteshin me urdhrin e guvernatorit turk për heqjen e gjakmarrjes. Përveç saj, ky guvernatori i mirë me gjithë qejf do të përpiqej të ndalonte dasma ose varrime, apo tradita tjera shumë të forta. Gjakmarrja është çështje nderi dhe sapo flitet për nder shqiptari është i patundur. Nuk është rastësi se të gjithë vizitorët e Shqipërisë, kurdo që të kenë udhëtuar në kohët e kaluara, qindvjeçare ose në kohë moderne, është njësoj i impresionuar nga zhvillimi i pabesueshëm i kësaj ndjenjës së nderit. Në Shqipëri është nderi që e bën burrin burrë dhe gruan grua.

Por, ky nder i vë kushte të mëdha individit dhe në mjaft raste kërkon gjakmarrje. Përdhunimi ose rrëmbim i ndonjë vajze duhet të lahet me gjakmarrje, prishje martese ose fejese, po ashtu. Nëpërmjet një fyerje, ai i cenuari ka “gjak për të marrë” dhe e njëjta ndodh nëse mysafiri ngacmohet ose vritet. Ai i cili ka për të rifituar nderin e humbur, duhet të vrasë atë që e ofendoi. Por, me këtë s´është zgjidhur aspak grindja. Kryefamiljari i të vrarit duhet ta vrasë atë që në fillim kërkonte hakmarrje dhe në këtë mënyrë vazhdon gjakmarrja në gjenerata.

Jacques Bourcart, në librin e tij “L´Albanie et les Albanais”, ka disa të dhëna me shifra prej vitit 1920. Në atë kohë llogaritej se furia e gjakmarrjes merrte mesatarisht 25 për qind të burrave të fiseve të popullatës së veriut. Rekordin e mbante fisi T… që mburret me 42 për qind, një rrethanë që ka dhënë shkak për proverbin e njohur shqiptar: “Burrat vriten si derrat në T…”! Nganjëherë ka ndodhur që gjakmarrja është shndërruar në një luftë të rregullt midis dy fiseve dhe në këto raste shkojnë shifrat e vdekjeve edhe më lart.

Ai që ka plotësuar kërkesën e nderit, e ka vrarë hasmin, e pret pa asnjë përjashtim një e ardhshme tmerrësisht e vështirë. Nëse është i varfër dhe nuk ka çiflig të vetin, duhet të ikën në krahina tjera, atje ku kundërshtari nuk mund ta gjejë. Nëse është çifligar, barrikadohet në kullën e tij, pjesë e fortifikuar e pasanikut; ai merr dhe masa të tjera sigurie dhe del rrallë jashtë pa pasur roje me vete. Gjakmarrja i rri gjithë kohën mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Në qoftë se gjakmarrja fillon midis dy fiseve, atëherë ka akoma më shumë momente pasigurie. Jashtë ne natyrë mund të ndodhë kollaj që një pjesëtar fisi takon dikë të cilin nuk e njeh. I kujt fisi je ti? Pyet i panjohuri me pushkën drejt tjetrit dhe sipas kërkesës së nderit dhe pa mëdyshje duhet thënë emri i fisit. Të heshtësh je frikacak, të gënjehesh je i pandershëm; si i ndershëm ky është shkak për gjakmarrje. Po qe se i panjohuri është nga fisi me të cilin ky që përgjigjet është në gjak, atëherë përgjigja pasohet menjëherë nga një plumb. Por, jo pak interesante janë ligjet e çuditshme të zakonit të gjakmarrjes që vendosin mbi përjashtime dhe armëpushim. Këtu përballohesh më një aspekt tjetër të karakterit shqiptar.

Para së gjithash gratë, klerikët dhe fëmijët nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, janë absolutisht të përjashtuar nga pasojat e gjakmarrjes. Dispozita mbi moshën ka një konsekuencë interesante. Mund të ngjajë që një burrë vdes para se kundërshtari ka rast të kërkojë gjakun dhe pa lënë ndonjë djalë të rritur. Ndoshta familja ka vetëm vejushën dhe një numër fëmijësh të mitur. Ai që ka “gjak për të marrë” duhet të qetësohet dhe të presë derisa djali të mbushë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ka ndodhur që viktima në këtë mënyrë ka pritur pesëmbëdhjetë vjet që në ditëlindjen e vitit të gjashtëmbëdhjetë të vritet nga një plumb. Por, nëna e di se çfarë e pret djalin e saj dhe nuk neglizhon ta edukojë djalin për kujdes dhe vëmendje.

Edhe mikpritja e anulon gjakmarrjen, sepse mikpritja është institucion pothuajse gati me karakter fetar. Ai që vret hasmin gjatë kohës që ai është mik në një shtëpi, ka kryer një vepër të tmerrshme të pafalshme që e përjashton atë nga ligjet e traditës. Mikpritja është e formuluar jashtëzakonisht imtësisht. Kjo ka sjell këtë efektin e çuditshëm po qe se viktima ndeshet me kundërshtarin jashtë, por arrin të futet në territorin e shtëpisë së hasmit para se të shkrepi pushka, atëherë ai ka shpëtuar. Të paktën në këtë rast.

Në shtëpinë e hasmit pritet ai si mik shumë i respektuar, gostitet më bukën më të mirë që shtëpia ka mundësi dhe nderohet me të gjitha mënyrat. Kafja avullon krejt paqësisht në filxhan dhe muhabeti shkon fare i qetë, i këndshëm dhe në formë mirësjellje. As më e vogla shenjë ose fjalë aludon për marrëdhëniet armiqësore që miku ka kundrejt zotit të shtëpisë. Por, kur ai largohet nga zoti i shtëpisë, duhet të jetë i kujdesshëm. Ndryshe ka plumbin në kurriz në atë çast kur del jashtë derës dhe dëgjon përshëndetjen e njerëzishme të zotit të shtëpisë: “Tu ngjat jeta” t´i tingëllojë në vesh.

Por, kufizimi më i rëndësishëm në mundësitë e gjakmarrjes është besa, ky betimi shqiptar që ka një përmbajtje posaçërisht të komplikuar. Besa do të thotë njëkohësisht respekt për të vërtetën, siguri, armëpushim dhe besnikëri, në marrëveshjet e bëra. Kjo është pothuaj një fjalë e papërthyeshme që efektet e saj janë më kollaj, me i shpjeguar sesa domethënien e saj si fjalë. Kur Princi Wied hipi në fron, proklamoi solemnisht besën. Kjo do të thoshte se ai betohej të respektonte jetën e nënshtetasve të tij, pasurinë dhe të drejtat. Kur ai gabimisht urdhëroi ushtarët të qëllonin mbi nënshtetasit luajalë, shkaktoi një hidhërim shumë të madh. Princi nuk ishte burrë i ndershëm. E kishte thyer besën, fjalën e nderit.

Besa përdorej në shumë mënyra të ndryshme. Mund të ndodhte që në mirëkuptim me dhënë besën, për një rrugë në një krahinë dhe ai që merr gjakun, në një rrugë të kësaj krahine, është burrë i pandershëm. Po aq i pandershëm sa që ai nuk është i zoti të vrasë hasmin në ato vende që janë të lejuara për të. Mund të lidhet besa edhe në një pjesë të tërë të vendit. Kjo metodë përdorej me njëfarë suksesi nga një pjesë e guvernatorëve turq që donin të qetësonin efektin e gjakmarrjes. Gjakmarrja shfuqizohej automatikisht atëherë dhe grindjet zgjidheshin nëpërmjet dëmshpërblimit ekonomik ku guvernatori merrte një përqindje të majme.

Besa shërbente për një kohë të shkurtër dhe duhet të ripërtërihej para kalimit të afatit me miratimin e palëve, e cila mund të ishte mjaft e vështirë të arrihej. Por, për guvernatorët turq, kuptimi signifikativ i nderit nuk kishte të njëjtën kuptim si për shqiptarët. Kur gjakmarrja dhe si pasojë përqindja pakësohej, guvernatorët e gjenin më të përshtatshme t´i fryjnë përsëri gjakmarrjes. Pas 1884-ës, nuk u proklamua asnjë besë e re dhe disa vjet më vonë jetonte gati çdo shqiptar i veriut, në gjurmët e luftës private. Vetëm në Shkodër kërkonin mbrojtje mbi pesëqind shqiptarë, një mbrojtje shumë e pasigurt, kundrejt gjakmarrjes.

Unë s´kam asnjë arsye të dyshoj në të dhënat e Vlorës, sa i përket aksionit energjik të Mbretit Zog kundër vendetës shqiptare. Por, po ashtu, është e sigurt se autoritetet kanë bërë çfarë është e mundur me këtë detyrë të vështirë. Po ashtu e sigurt është se ligji i gjakmarrjes respektohet krejtësisht dhe plotësisht në malet e egra. Që numri i tragjedive të gjakmarrjes të jetë pakësuar, në mënyrë kaq të madhe, pra nuk besohet të varet nga ligji i ndëshkimeve me vdekje. Ka diçka që shqiptari i trembet, ajo nuk është vdekja. Por, pakësimi është si rezultat i aksionit të madh të çarmatimit i cili me shumë vështirësi u arrit para dy tre vjetësh.

Qeveria ka ndaluar civilët të bëjnë armë dhe – mirable dictu! – edhe ka arrit të vejë forcë pas vendimit. Çfarë do të thotë me i privua shqiptarit mundësitë e mbrojtjes, kuptohet qartë menjëherë për atë që ka më të voglën ide në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar. Kjo është diçka e padëgjuar. Jo më pak se 200 mijë armë ruhen në magazinat e qeverisë në Tiranë, të cilat janë konfiskuar nga ekspeditat e çarmatosjes. Kjo është me siguri suksesi më i madh që Mbreti Zog ka pasur gjatë qeverisjes tetëvjeçare, një sukses që tregon qartë se ky Mbreti shqiptar është një burrë që qëndron më lart mbi masën. Çarmatimi i madh do të thotë se Monarkia shqiptare është diçka që duhet llogaritur.

Por, fundi efektiv i gjakderdhjes nuk mund të arrihet as nëpërmjet dispozitave ligjore, as edhe me çarmatim. Kuptimi i gjeneracionit të vjetër, mbi nder dhe dinjitet, drejtësi dhe padrejtësi, është diçka e palëvizshme dhe e ngurtë. Vetëm me anë të rrugës së informacionit, fitorja duhet të arrihet. Brezi tjetër do të shpallë besën e përhershme mbi Shqipërinë. Besa është përdor për të mbledhur popullin në luftë kundër pushtuesve të huaj, pse nuk mund të përdoret edhe si një armë në shërbim të punës për ndërtimin e vendit?

Në pritje të këtij solidaritetit kombëtar që përbën besa, jeton gjithnjë gjakmarrja. Kjo shihet nga pranimi i vetë sekretarit të jashtëm. Dhe, nga grumbujt e llaçit dhe njollave të gjakut përjashta librarisë së Lumo Skendos …

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here