Këtë vit kemi pasur pak më shumë arsye të jemi të lumtur. Gjërat në Kosovë, ndoshta për herë të parë gjatë ish-Jugosllavisë, kishin filluar të normalizohen. Shkollat dhe fakultetet punonin, e në to shpeshherë ligjëronin edhe pedagogët nga Shqipëria. Por, edhe intelektualët kosovarë shkonin në Shqipëri. Po, po … Madje, kur ktheheshin, përjetimet e tyre i ndanin me lexuesit. Kosovarët i lexonin ato me vëmendje dhe kënaqeshin. Shqipëria ishte vendi më ideal në botë, më i zhvilluari ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kush nuk mendonte kështu, ishte “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete jugosllave”.
Atëbotë, në kinematë e Kosovës, e madje edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë, emitoheshin filma artistikë nga Shqipëria, si: “Komisari i dritës”, “Njësiti gueril”, “I teti në bronz”, “Ngadhënjimi mbi vdekjen”, “Plagët e vjetra”, “Debatik”…
“Do të bashkohemi së shpejti”, mendonim atëherë.
Ngjarjet kryesore të vitit 1971, në botë, janë: legalizimi i flokëve të gjata në BRSS; ShBA ndalon reklamat e cigareve në radio dhe në televizione; Charles Manson shpallet fajtor për rastin që njihej si “Vrasjet Tejt” (sipas aktores Sharon Tate, që ishte gruaja regjisorit të njohur polak, Roman Polanski, e që vritet në shtëpi me katër mysafirë tjerë); Gjenerali Idi Amin merr pushtetin në Ugandë; bankroton Rolls Roys …
Ndërsa, poeti dhe shkrimtari i njohur japonez, Yukio Mishima, dhunshëm hip në ballkonin e një kazerme ushtarake ku kërkon bindje nga ushtarët e mbledhur poshtë tij. E sulmon shtetin dhe rendin kushtetues të mbështetur nga ShBA-ja, i shan ushtarët për nënshtrimin e tyre dhe i sfidon ata që ta kthenin perandorin në pozicionin e tij të para luftës – si zot të gjallë dhe si udhëheqës kombëtar.
Mishima bëri një hap prapa dhe tha: “Nuk mendoj se më dëgjuan.” Pastaj u gjunjëzua dhe … bëri harakiri!
Më 1971, pavarësinë e Shpallin Bahrejni, Katari, Omani dhe Bangladeshi (Pakistani Lindor). Ndaj pavarësisë së Bangladeshit reagon Ushtria pakistaneze duke shkaktuar atë që njihet si Gjenocidi i Bangladeshit me 200-300 mijë viktima.
Po më 1971, në Belfast grupi Led Zeppelin për herë të parë interpreton këngën “Stairëay to Heave”; Pink Floyd xhiron filmin ikonik “Live at Pompeii” – koncertin në Amfiteatrin e Pompeit me asnjë njeri në publik; ndërsa, në Montre pranë liqenit të Gjenevës, gjatë koncertit të Frank Zappas digjet një kazino, ngjarje kjo që do ta frymëzojë grupin Deep Purple për këngën “Smoke on the Water”.
Në Kosovë, edukimi dhe krijimi i kuadrove të reja ishte një prej preokupimeve kryesore. P. sh., në një tekst të “Zërit të rinisë” shkruhej: “Prilepi ka nevojë për shkollë. Fëmijët e këtij fshati tashti ndjekin mësimin në Shkollën Fillore të Rastavicës, e cila njëmend nuk është larg, por rruga deri në shkollë është e rrezikshme. Nxënësit duhet ta kalojnë rrugën deri në shkollë nëpër asfaltin Deçan-Gjakovë”. Ashtu pra, atëherë shqiptarët nuk kishin shumë vetura, ama mendonin për asfaltin dhe nxënësit. Jonormale kjo për normalitetin e sotëm, apo jo?
Problemet me universitetin ishin pothuaj të njëjta, sikur edhe sot. Në një anketë me studentët, Mehmet Emini p. sh., thotë: “Çfarë suksesi pritet nëse banojmë e jetojmë në një konvikt si ky i vjetri te ne”? Në një distancë kohore prej 50 vjetësh do të mund thoshim: Nuk e dimë! Por, e dinim se tash e tutje më shpesh do ta pimë … birrën “Peja”!
Atë vit definitivisht jemi munduar t’i thyejmë tabutë. Është folur për seksin pa pikë turpi e frike (ndoshta pse pakkush atë kohë e ka kuptuar fjalë seks). “Zëri i rinisë” kishte rubrikën: “Seksi në jetë”. Fantazi! … Aty, ndër të tjera, keni mundur të lexoni edhe këta tituj: “Burimi i konflikteve seksuale” dhe “Duhani – rrezik për jetën seksuale”. Pastaj, ishte edhe një rubrikë tjetër me emrin: “Për femra, por ta lexojnë edhe meshkujt”, ku shkruhej dhe flitej për këmbët e lodhura, çorapët me lara, jelekun etj.
Ueh, çfarë “zhvillimi”! … Hymë në Evropë (kemi menduar po ashtu).
Në atë kohë flitej edhe për emancipimin e femrave (fatkeqësisht ky “emancipim” do të na përcjell edhe në 50 vjetët e ardhshme). Ama, atëherë emancipimi i femrave kuptohej më mirë se sot. Një artikull i “Zëri”-t kishte këtë titull: “Pavarësia ekonomike e femrës, kusht për barazi të plotë”.
Vitin e Ri 1972 e prisnin 31 mijë të papunë. Ndërsa, “politikologët” i kaplonte dilema: “Të rinjtë dhe vetëqeverisja (A jemi indiferentë)”?
Në botë më së shumti dëgjoheshin: Carol King, Rod Steëart, James Taylor, T-Rex, Rolling Stones, John Lennon, Pink Floyd etj. Ndërsa, në Kosovë: Shahindere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Ismet Peja, Sadete Musliu, Sabri Fejzullahu, Shyqrije Spahiu, Idriz Dhomi, Belkize Tuli, Shaban Gjekaj, Dueti Ejupi dhe Vanja Stoilkoviq e “cila i shqiptonte fjalët më mirë se disa shqiptarë” (epo, ishte kjo koha e “vëllazërim-bashkimit”).
Më 1971 vdes legjenda e rokut, Jim Morrison, dhe legjenda e xhazit, Louis Armstrong. Po të njëjtin vit vdes edhe kompozitori Igor Stravinsky dhe kreatorja e famshme Coco Chanel.
Më 1971 lindi violinisti Shkëlzen Doli dhe boksieri Luan Krasniqi, kryeministri i 23-të kanadez, Justin Pierre James Trudeau, komediani Sacha Baron Cohen, si dhe aktivisti dhe kreu i ËikiLeaks-it, Julian Assange. Më 1971 pushtetin në Siri e merr Hafez al-Assadi. Djali i tij, për ta ruajtur këtë pushtet të babës dëshmoi se është terrorist, meqë i luftoi pamëshirshëm civilët (Lufta Civile në Siri që nis 40 vjet më vonë shkaktoi afro 600 mijë viktima). Po më 1971 lindi edhe terroristi irakian Abu Bakr al-Baghdadi, kreu i Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë – ISIS (deri në vrasjen e tij më 2019), që po me të njëjtin brutalitet ndaj civilëve e luftonte trashëgimtarin e Assadit.
Nobelin për Letërsi më 1971 e fiton Pablo Neruda. Për shkak të pikëpamjeve të tij komuniste, më parë ai e ka shkruar poezinë “Shqipëria”, që nis me këto vargje: “S’kam qenë ndonjëherë / në Shqipëri / n’atë tokë të ashpër e të dashur / n’atë dhe malor / barinjsh”. Ndërsa, një reportazh britanik e quan Tiranën si qytetin më të zymtë në botë; më të thjeshtë e më të lodhtë; qytet pa shpirt.
Në vitin 1971 lindi edhe sipërmarrësi kreativ, njeriu i cili 50 vjet më vonë do të ketë epitetin e më të pasurit në botë – Elon Musk. /Telegrafi