Marrëveshja e Ceno beg Kryeziut me Qeverinë jugosllave
Disa të dhëna jo sa duhet të njohura për opinionin tonë lexues, lidhur me studimin e historianit, Zhivko Avramovski të titulluar: “Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër regjimit të Zogut në Shqipëri përmes Ceno Beg Kryeziut (1926/1927)”. Ky studimi i historianit Zhivko Avramovski është botuar për herë të parë në “Gjurmime Albanologjike II”, në Prishtinë, në vitin 1965.
Cili ishte Ceno beg Kryeziu, sipas Zhivko Abramovskit
Ceno begu ishte djali i Hysein beg Kryeziut, i lindur në Gjakovë nga familja feudale e kryezinjve, që i përkisnin fisit të Bizhuzve. Shkollimin e kishte kryer në Turqi, ndërsa me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Ceno begu iu bashkohet radhëve të Esat Pashë Toptanit, i cili për veprën e tij tradhtare në shërbim të Jugosllavisë vritet në Paris, nga heroi i kombit, Avni Rrustemi.
Në kohën derisa Esad Pashë Toptani kishte ndarë për vete Shqipërinë e mesme, ndërsa veriun ia premtonte Jugosllavisë, e jugun Greqisë, Ceno begu ishte kryetar i rrethit në Krumë. Në vitin 1918 emërohet kryetar komune në Gjakovë, si njeri tejet i besuar i forcave okupatore jugosllave, pasi që serbëve iu kishte kryer shërbime edhe gjatë kohës së fundit të sundimit turk. Me qëllim për të përfituar favore politike, martohet me motrën e Ahmet Zogut.
Në kohën e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, në qershor të vitit 1924, Ceno begu së bashku me Ahmet Zogun dhe disa oficerë si: Marka Gjoni, Zef Ndoci, Maliq Bushati, Luigj Shantoja, Tafë Kaziu e të tjerë, ikin në Jugosllavi, ku kërkojnë azil politik për një kohë të caktuar dhe ndihmë ushtarake, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.
Marrëveshja e Pashiqit me Zogun në Beograd
Duke qenë në pozitë inferiore, Ahmet Zogu gjatë qëndrimit në Beograd, lidh një marrëveshje me Nikolla Pashiqin. Të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje, të lidhur në gusht të vitit 1924, ishin poshtëruese, fyese dhe diskredituese për kombin dhe shtetin shqiptar. Në pikën e parë të marrëveshjes thuhet: Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal. Kryetari i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do ta njohë dinastinë e Karagjorgjeviqëve. Në radhët e xhandarmërisë së Shqipërisë të ketë edhe një xhandarmëri serbe, ku do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë e të tjerë. Qeveria jugosllave do ta mbante atë xhandarmëri me armë dhe mjete financiare. Ahmet Zogu ndër të tjera obligohet që të mos interesohej për elementin shqiptar jashtë kufijve të vetë. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, interpretuar nga libri i Faton Mehmetajt Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207).
Intervenimi i mercenarëve serbë e pro serbë kundër Qeverisë Demokratike të Nolit, në dhjetor të vitit 1924
Me qëllim të interevnimit ushtarak në Shqipëri, Ahmet Zogu bisedon me gjeneralin Terziq, i cili ishte komandant i Zonës së tretë Ushtarake në Shkup. Merecenarët kryesorë në këtë shtab ishin: Ceno beg Kryeziu, Gjilardi, Muharrem Bajraktari, Abdurrahim Krosi, Llesh Topallaj e të tjerë. Ata u shpërndanë për të rekrutuar mercenarë me nga 4 napolona flori në muaj. Mercenarët vinin nga Gjakova, Prizreni, Peja, Dibra etj.( cituar sipas Faton Mehmetajt).
Asokohe Bajram Curri informohej nga Gjakova se, Ceno Crnogllaviqi, ka sjellë 1 milionë e gjysmë dinarë, i cili ka fillue t ua shpërndajë mercenarëve. Përveç kësaj ushtria jugosllave ka pru edhe armë e municion, të cilat do t u shpërndahen njerëzve që po regjistrohen.
Më 4 dhjetor Ceno begu ishte nisur në Gjakovë, me një shumë të konsiderueshme të hollash. Ai, me shumë sukses po organizonte mercenarë. Më 8 dhjetor 1924 Prefektura e Kosovës në Shqipëri njoftonte se forcat mercenare do të mësyjnë. Topat janë me ngjyrë të bardhë dhe janë nën komandën e Gjon Fushës. Edhe Alush aga do të mësyjë nga Topojani, Muherrem Neziri nga ana e Morinës përmbi Kukës dhe i vëllai i Ceno begut do të mësyjë nga Zogaj dhe nga Qafa e Prushit… Bahri Begolli ka shkrue 500 veta ( mercenarë). Të gjitha këto fuçina janë nën komandën e Ceno begut. Topxhinjtë janë ushtarë të serbit ( cituar sipas librit Veprimtaria kriminale….. shkruar nga Faton Mehmetaj).
Për shkak të meritave të tij në likuidimin e kundërshtarëve politikë dhe në vrasjen e Bajram Currit, në dimrin e vitit 1925, Ceno begu gradohet kolonel dhe emërohet komandant i Garnizonit ushtarak në Shkodër. Ndërkohë, Ahmet Zogu e emëron ministër të Punëve të Brendshme.
Asokohe pasi kishte kryer me sukses detyrat kundër kombit, Ceno beg Kryeziu, njoftonte Aleksander Karagjorgjeviqin dhe Nikolla Pashiqin, se kishte likuiduar Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën e të tjerë.
A po e shihni, e mbajta premtimin, i mbyta vetë Gurakuqin, Bajram Currin, Zija Dibrën,( radi nasheg i vasheg mira) për paqen tonë dhe Tuajën
( Ora e Shypnisë, cituar sipas F. Mehmetaj).
Përçarja në mes të Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut
Pasi që Ahmet Zogu kishte konsoliduar pushtetin e tij represiv, për të përfituar masat, dhe për të larë me aq sa ai mendonte se mund të lahej turpi i bashkëpunimit me Beogradin, ai vendos t’i ndërpres marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke kalkuluar afrimin e mundshëm, por edhe të sigurt me Italinë. Mirëpo këtë veprim e kundërshton tinëzisht Ceno beg Kryeziu, i cili ishte agjent i fshehtë i shërbimit jugosllav. Ai kishte denoncuar edhe të deleguarin special të Beogradit në Tiranë, Branko Llazareviq, të cilin Pashiqi e tërheq nga Tirana. Bashkëshortja e Llazareviqit, asokohe kishte zbuluar se Ceno begu ishte agjent i Beogradit dhe përmes atyre të dhënave të besueshme e kishte denoncuar publikisht.
Raportin lidhur me këtë zbulim e kishte dërguar në Beograd më 16 qershor të vitit 1926 ministri i Ushtrisë dhe i Marinës, z. Diniq.
Pasi kishte mësuar këtë lajm, Ahmet Zogu propozon që Ceno beg Kryeziu të dërgohet ambasador i Shqipërisë në Beograd. Duke qenë se Ceno beg Kryeziu qe zbuluar, ai shpreh shqetësimin e tij për largim nga Shqipëria, në një kohë kur lakmonte se me mbështetje ushtarake nga Jugosllavia do t ia rrëmbente pushtetin Ahmet Zogut.
Ceno begu ambasador i Shqipërisë në Beograd
-Ti e di se në prezencë të Ahmet Zogut kam qenë i detyruar t’i pranoj të gjitha. Unë nuk kam guxuar ta refuzoj agremanin, dhe sikur të mos e pranoja këtë, Branko Llazareviqi do të më denonconte para Zogut. Më vonë Branku më jep agremanin, duke kërkuar nga unë që kur të shkoj në Beograd të punoj për të.
-Dhe çfarë bëri Beogradi me atë agreman?- pyet Diniqi.
-Me të jam varrosur, sepse të gjitha depeshet e mia të fshehta i janë dërguar Italisë. Çfarëdo të ndërmerrja nesër në Shqipëri, ata do të reagonin, sepse në depeshet Tuaja vërtetohej se jam njeriu juaj besnik. Ndërsa në sytë e nacionalistëve shqiptarë, unë kam humbur shumë, sepse pas atyre depesheve të gjithë nacionalistët shqiptarë tani më konsiderojnë si agjent të Serbisë.
. Në pyetjen e Diniqit se a është ende Ceno begu “ai i moçmi” dhe a mund të llogarit ende në shërbimet e tij për Beogradin, Ceno begu përgjigjet:
-Beogradi më ka shkatërruar, por unë betohem në atë, që është më e shenjtë, betohem në eshtrat e babait tim, se kundër Beogradit kurrë nuk do të veproj. Tash mund ta them këtë, ndërsa deri në cilën kohë Beogradi mund të llogaritë në mua, për këtë as do të flas, as do të shkruaj, sepse kam frikë, pasi që këtu te ju edhe gratë i dinë fshehtësitë. Nëse mund ta shoh edhe një herë Shkelqësinë tij të nderuar, Kralin, vetëm atij do t’ ia bëj të ditur ndjenjat që ushqej për të dhe mendimet e mia.
Ky dialog është interpretuar nga studimi i historianit Zhivko Avramovski titulluar Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër Ahmet Zogut përmes Ceno beg Kryeziut, botuar në gjuhën serbe, në Gjurmime Albanologjike 2, Prishtinë 1965, f. 233.
Ahmet Zogu kundër Ceno Beg Kryeziut, prishja e marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi
Duke ditur mirë dhe duke dyshuar thellë në bashkëpunimin e Ceno begut me Beogradin, Ahmet Zogu përmes një preteksti diplomatik, meqë nuk posedonte leje të rregullt qëndrimi, burgos përkthyesin, (dragomanin) Vuk Gjurashkoviq, tek i cili gjenden të gjitha dokumentet komprometuese për Ceno begun. Burgosja e Gjurashkoviqit nxit disa nota protestuese të Beogradit drejtuar Tiranës, me kërkesë që Gjurashkoviqi të lirohej përnjëherë dhe t’i kërkohej falje për një veprim të tillë. Ahmet Zogu, meqë asokohe kishte trashur miqësinë me Italinë, tanimë nuk i frikësohej Jugosllavisë. Më 12 qershor të vitit 1927 Jugosllavia ndërpret të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kërkon tërheqjen e personelit të Ambasadës. Ceno begut nuk i shkohej në Tiranë. Gazetat shkruanin se ai do të kërkonte azil politik në Jugosllavi.
Ceno beg Kryeziu, më 15 korrik të atij viti, me rastin e nisjes për në Durrës jep një deklaratë për shtypin jugosllav, në të cilën thuhej:
-Me zëmër të thyer po e lëshoj Beogradin. Ju e dini sesa kam punuar për të mos ardhur deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike… Por edhe pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, ju lutem, shënojeni, se edhe më tej mbetem miku juaj besnik, ashtu sikur kam qenë gjithmonë, dhe shpresoj se së shpejti do të jem në Beograd.
Pas kësaj deklarate, e cila u botuar në gazetën “Politika” të 15 korrikut të vitit 1927, Ceno begu nga Dubrovniku arrin në Durrës.
Rivendosja e marrëdhënieve dhe vrasja e Ceno begut në Pragë
Njëzet ditë më vonë katër fuqitë e mëdha: Anglia, Italia, Gjermani dhe Franca detyrojnë Shqipërinë ta lirojë nga burgu Gjurashkoviqin, ndërsa detyrojnë edhe Jugosllavinë që ta tërheqë notën, e cila çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve. Më 4 gusht 1927, rivendosen marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ambasador i Shqipërisë në Beograd emërohet Tahir Shtylla, njeriu që kishte zbuluar lidhjet e Ceno begut me Beogradin, ndërsa në Tiranë emërohet ambasador, Milivoje Milçiç. Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ambasadori i Shqipërisë Tahir Shtylla premton se së shpejti në Beograd do të kthehet Ceno begu, i cili ndërkohë kishte shkuar në Pragë, ku do të dorëzonte letrat akreditive për Çekosllovakinë dhe ku pritej të emërohej ambasador.
Më 14 tetor të vitit 1927, derisa po dilte nga një restorant i Pragës, Ceno begun e vret me revole, studenti, Alkibijad Bebi, një bursist shqiptar, i cili kishte ndjekur dhe kishte ndjekur hap pas hapi Ceno begun edhe gjatë qëndrimit të tij në Beograd, duke u paraqitur si kandidat për t’ u regjistruar në ndonjë fakultet. Agjentët serbë e kishin arrestuar si të dyshuar mirëpo e kishin liruar në mungesë të fakteve, meqë ai nuk e zbulon qëllimin e tij. Pas kryerjes së atentatit në Pragë, Alkibijad Bebi nuk ikë, por iu dorëzohet organeve policore. Në pyetjen për se a e kishte kryer atentatin dhe kush qëndronte pas tij, ai përgjigjet:
E kam vrarë Ceno begun, sepse ai është serbofil, i cili ka bërë përpjekje për t’ia shitur Shqipërinë Jugosllavisë.
Pashiqi kishte planifikuar dhe organizuar hakmarrjen për mikun e tij besnik dhe të devotshëm. Kishte gjetur në Kosovë një bastard tjetër, të cilin e kishte paguar me dukat, dhe të cilin e kishte dërguar me aeroplan special në Pragë. Me ndihmën e agjentëve çekë, agjentët serbë e kishin futur në sallë Zijah Vushtrrinë, apo Zeqirin ( sipas Avramovskit), për të cilin thuhej se kishte qenë truproje e Ceno begut. Në kohën kur kishte filluar seanca e gjykimit kundër Alkibijad Bebit, i cili nuk e kishte ndërruar deklaratën as para trupit gjykues i afrohet afër me revolen e mbushur, vegla e verbër e Pashiqit. Derisa Alkibijad Bebi para trupit gjykues ripohonte se veprën e kishte kryer nga patriotizmi dhe jo i shtyrë nga askush, në një moment, vegla çorre e Pashiqit nxjerr revolen dhe para trupit gjykues vret Alkibiad Bebin. Autoritetet jugosllave intervenojnë tek autoritetet çekosllovake dhe përnjëherë e lirojnë nga arresti vrasësin, të cilin nën masa të rrepta sigurie e kthejnë në Kosovë, për të kryer edhe shërbime të tjera bastarde. Ahmet Zogu dërgon njerëzit e vet, dhe nga Praga e sjell në Tiranë motrën e vet dhe djalin e Ceno begut. (Ahmet Qeriqi)
Literatura:
Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924.
Skënder DEMALIAJ: Konferenca e Bujanit – Ngjarje e ndritshme në historinë e Kosovës.
Gazeta 55″, 13. 5. 1999).
Radio-Kosova e lirë “Nostalgjikët e Titos, edhe 25 vjet pas vdekjes, i mbesin besnikë rrugës së bashkim vëllazërimit”.
Zhivko Abramovski: “Aksioni i Qeverisë së Jugosllavisë kundër regjimit të Zogut në Shqipëri, përmes Ceno Beg Kryeziut”, Gjurmime Albanologjike, II, Prishtinë, 1965.
Dokumenti sekret AVII mikrofilm në IDN raporti i Diniqit etj.
Politika, Beograd, 15 korrik 1927.
AVII, 17, 61g, 1, 14, Elaborat “Albanija izmedu dva rata”
Faton Mehmetaj: “Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare”, Prishtinë, 2004. /radiokosovaelire