Gjyqi Special i Tiranës (1 mars- 13 prill 1945), “gjykoi” dhe “dënoi” në 31 seanca, 60 nacionalistë të akuzuar si kriminelë të luftës:
U dënuan 17 vetë me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme.
Midis tyre ishin intelektualët dhe nacionalistët e njohur: Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti, Ismail Golemi etj, të cilët u pushkatuan.
Trupi gjykues përbehej nga 9 vetë: Gjeneral Lejtnant Koçi Xoxe (teneqexhi me 5 klasë shkollë), kol. Hysni Kapo, nënkol. Beqir Balluku, kap. i Parë Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla; Faik Shehu, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi.
Prokuror i Përgjithshëm ishte anëtari i Byrosë Politike të PKSH, Bedri Spahiu, dhe kryetar gjyqi ishte anëtari tjetër i byrosë politike të PKSH dhe zv. kryetar i qeverisë, Koçi Xoxe.
Asnjëri prej këtyre të dyve nuk ishte jurist, gjë që dëshmon për politizimin e plotë dhe njëanshmërinë e skajshme të këtij gjyqi.
Ironia qëndron në faktin, se disa vite më vonë edhe Koçi Xoxe u dënua me pushkatim nga një gjyq ushtarak me prokuror akuze Bedri Spahiun.
Vite më vonë edhe Bedri Spahiu u dënua si armik me burg e internim nga një gjyq i tipit të tillë komunist. /Kalendari Enciklopedik Shqipëtar
