“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në shkurt të 1931, në faqen n°81, një shkrim në lidhje me përurimin e legatës së re amerikane në Shqipëri në prani të mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Në Ditën e Falënderimeve (Thanksgiving Day), me 27 nëntor (1930), u përurua legata e re amerikane në Tiranë nga ministri amerikan, Herman Bernstein, në praninë e Mbretit Zog, anëtarëve të qeverisë së tij dhe të trupit diplomatik, si dhe anëtarëve të komuniteteve amerikane dhe të tjera të huaja.

Fjalimi i hapjes u bë nga ministri amerikan, të cilit Mbreti iu përgjigj shkurtimisht. Në vijim, kryeministri foli në emër të qeverisë shqiptare. Në emër të përfaqësuesve të huaj foli edhe ministri britanik, dekan i trupit diplomatik. Prania e Mbretit i shtoi shumë interes këtij rasti, veçanërisht pasi kjo ishte vizita e tij e parë në një mision të huaj.

ImageBurimi : The American Foreign Service Journal, shkurt 1931, f.81FOTO GALERI
Legata e re përbëhet nga tre ndërtesa; rezidenca e ministrit, rezidenca e sekretarit dhe kancelaria. Është Legata e parë që kompletohet nga fondet e parashikuara nga projektligji i Porter-it, i cili përvetësoi 10,000,000 dollarë për ndërtimin e legacioneve të ambasadave dhe konsullatat në vendet e huaja. Të tre shtëpitë ndriçohen dhe ngrohen nga një impiant qendror, i pavarur. Shtëpia e ministrit është përshtatur në mënyrë të mrekullueshme për pritjet (takimet) pasi ka tre dhoma të mëdha pritjeje.

Prona e re shtrihet një sipërfaqe prej 3.5 akrash, mbi një vend të lartë në rrugën e Elbasanit rreth një çerek milje nga qendra e Tiranës. Ndërtesat kanë pamje nga jugperëndimi drejt një vargu të bukur kodrash, mbi më të afërtën e të cilave një ditë do të ndërtohet pallati i ri i Mbretit Zog. Mbrapa Legatës ngrihet një varg i mrekullueshëm i Alpeve Shqiptare me malin Dajti që ngre majën e tij mbi malet përreth, i veshur me borë në dimër dhe në verë duke reflektuar ngjyrat e mrekullueshme të perëndimit të diellit nga maja e tij shkëmbore.

Legata amerikane në Tiranë është ndërtimi i parë vërtet modern në Shqipëri dhe populli shqiptar ka shfaqur interes të madh për rehatinë dhe komoditetet e ndërtesave moderne amerikane. Shumë vëmendje kanë tërhequr banjat, ngrohja me avull dhe frigoriferët elektrikë.

Ngritja e godinave të reja për të strehuar Misionin Amerikan në Shqipëri ka inkurajuar edhe vendet e tjera të ndjekin shembullin. Britanikët, italianët dhe francezët tani po planifikojnë të ndërtojnë legata të reja dhe tashmë janë blerë vende për këtë qëllim nga qeveritë britanike dhe italiane në afërsi të pronës amerikane.”

ImageThe American Foreign Service Journal, shkurt 1931, f.81

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here