NOTAT DIPLOMATIKE TË ATIT TË KOMBIT
Nga: Aurenc Bebja, Francë – 04 Shkurt 2022
“Pro Armenia” ka botuar, me 10 tetor 1901, në f.172, një shkrim në lidhje me letrën e Ismail Qemalit drejtuar asokohe redaktorit të gazetës franceze “Le Matin”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar.
Një letër nga Ismail Qemali
Lexojmë në “Le Matin” :
Bruksel, 26 shtator 1901.
Zoti redaktor,
Vizita e perandorit të Rusisë në Francë, nuk është një nga ato mirësjelljet banale që përsëriten kaq shpesh midis sovranëve të Evropës. Sundimtari më i fuqishëm në tokë shtrëngon duart e më të ndriturës së republikave. Ky vëllazërim midis absolutizmit dhe demokracisë përbën në vetvete një nga ato fakte të jashtëzakonshme që nuk i hasim në historinë politike të kombeve. Në fillim të shekullit të kaluar, Car Aleksandri I erdhi në Francë në krye të ushtrisë së aleatëve për të zhdukur rrënjën e Revolucionit francez; në agimin e shekullit të sotëm, është Cari Nikolla II ai që vjen atje si mik, si aleat i këtij kombi të madh, i cili gjithmonë harron fyerjet e së shkuarës, gjithmonë i gatshëm për të bërë zgjedhje fisnike për të mirën dhe përparimin e njerëzimit.
Qëndrimi i autokratit të madh mes marinarëve, ushtarëve dhe qytetarëve francezë, është shenjtërimi i Revolucionit të madh; urbaniteti i skajshëm i këtyre të fundit ndaj pritësit të tyre të shquar shpall laicizimin e së drejtës hyjnore. Atë që patriotët e mëdhenj të Republikës së parë, kapedanët e mëdhenj, perandorët dhe mbretërit e mëdhenj francezë nuk arritën dot me kaq shumë sakrifica, kaq shumë pushtime, e arritën njerëzit e thjeshtë, por të përkushtuar dhe të sinqertë të Republikës së tretë. Franca, në formën e saj të vërtetë, është e vendosur fort midis kombeve të mëdha dhe, nga lartësia e madhështisë së saj, ajo është e lirë të ushtrojë ndikimin e saj mirëbërës mbi fatin e njerëzimit. Burrështetasit e Republikës mund të krenohen për këtë dhe ata që duan të përfitojnë nga madhështia e Francës janë të parët që urojnë veten për këtë.
Ne orientalët, pa dallim race apo feje, e ndiejmë, ndër të gjitha, efektin e dobishëm të kësaj situate politike në Francë; të gjithë ne e vendosim shpresën tonë në asnjëanësinë dhe në frymën e saj të drejtësisë. Qëndrimi i saj ndaj atij që me keqbërjet më të neveritshme ndot si shekujt më të ndritur ashtu edhe vendet më të shenjta, na jep një pamje të përurimit të një epoke drejtësie për popujt fatkeq të Lindjes.
Ishta Franca ajo që pati nderin të ndërpresë marrëdhëniet politike, jo me Turqinë, por me Abdul-Hamidin, i cili për një çerek shekulli ka përdorur të gjitha instrumentet administrative dhe politike që kurora i siguron atij për të shkatërruar vendin e tij dhe për të shtypur nënshtetasit e tij. Ne, osmanët, përshëndesim, pa përjashtim, nismën e lumtur të Republikës Franceze, së cilës i bashkohemi me zemër e shpirt për ta ndihmuar në aksionin e saj të shtrëngimit kundër regjimit të terrorit dhe hilesë. Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo kompromis që synon të vendosë në Kostandinopojë një qeveri të ndershme dhe njerëzore, të aftë për të garantuar marrëdhënie të mira me kombet e huaja dhe për të vlerësuar vlerën e angazhimeve ndërkombëtare; për të instaluar, për më tepër, në provinca një administratë që i përgjigjet aspiratave legjitime të popujve të ndryshëm dhe u siguron individëve gëzimin e lirisë individuale dhe të drejtën e iniciativës private.
Ne dëshirojmë të shpresojmë se fryti i menjëhershëm i aleancës së shpallur kaq solemnisht midis Republikës liberale dhe Autokratit të drejtë e paqësor, do të jetë rivendosja e rendit dhe drejtësisë midis popujve të Lindjes, të cilët banojnë nën shtypjen e një njeriu me një kapriço të paemër dhe të paprecedentë si dhe zhdukja e të vetmes njollë të zezë që kërcënon vazhdimisht horizontin e qetë të Evropës.
Iniciativa që Franca ka ndërmarrë në një rend thjesht humanitar, e mbështetur nga aleati i saj i shquar, zemra e të cilit është plot dashuri për drejtësinë dhe paqen, mund të përballet vetëm me miratimin unanim të të gjitha fuqive të qytetëruara dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë popujve të patrashëguar e të braktisur për kaq shumë kohë në regjimet më të urryera.
Ju lutem pranoni, zoti redaktor, shprehjen e ndjenjave të mia më të shquara.
Ismail QEMALI