Gregor MacGregor lindi në Skoci më 1786 dhe vdiq në Venezuelë më 1845. Ishte ushtar aventurier dhe mashtrues i madh. E shpiku shtetin Poyais, një vend në Amerikën Qendrore që nuk ekzistonte, por që e shpalli veten për sundimtar të tij. Në vitin 1822, në Londër, MacGregor arriti të bindte qindra njerëz për ta kaluar Oqeanin e për të shkuar në Poyais, duke shkaktuar vdekjen e shumicës së tyre. Sot konsiderohet si “Mbreti i Mashtruesve”, njeriu që arriti të krijojë gënjeshtrën më të madhe të krijuar ndonjëherë.

Ishte djali i një kapiteni detar të Kompanisë britanike të Indisë Lindore, i cili u rrit duke folur galeishten skoceze. Më vonë mësoi anglisht në shkollë.

MacGregor ka pretenduar se ka studiuar për disa kohë në Universitetin e Edinburgut, por në lidhje me këtë nuk ka asnjë dëshmi. E, duke pasur parasysh karakterin e tij, është e lehtë të dyshosh në të.

Dihet me siguri, që në moshën 16-vjeçare, pak para se të fillonin Luftërat Napoleonike, u regjistrua në Ushtrinë britanike. U martua me Maria Bowaterin, vajzën e një admirali të pasur dhe gjithashtu falë parave dhe famës së familjes së saj, bëri një karrierë të shpejtë ushtarake. MacGregor u bë kapiten në një kohë shumë të shkurtër dhe më pas gjeneral.

Pas disa vitesh në Gjibraltar, la ushtrinë më 1810 dhe u kthye në Mbretërinë e Bashkuar. Sidoqoftë, më 1811, vdekja e gruas së tij ia ndryshoi perspektivën e jetës. Pa paratë dhe pa mbështetjen e familjes së saj, u detyrua që në vitin 1812 të nisej për në Venezuelë, në kohën kur po zhvillohej një revoltë kundër spanjollëve. Atje u martua me një kushërirë të revolucionarit Simon Bolivar dhe përsëri bëri karrierë ushtarake – këtë herë në radhët e ushtrisë së Republikës së Venezuelës. Shënoi disa suksese dhe u bë i njohur si themeluesi i Republikës së Floridës e cila zgjati vetëm disa muaj.

Në verën e vitit 1821, një dekadë apo më shumë pas largimit të tij, u kthye në Mbretërinë e Bashkuar. Iu bashkua edhe bashkëshortja e cila kishte mbërritur nga Amerika e Jugut në Evropë. Tha se ishte kthyer në Londër për të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit George IV, në emër të shtetit Poyais. Kishte prodhuar dokumente të ndryshme, monedha, stemë dhe një flamur. Madje, arriti të shkruajë edhe një libër për atë vend të largët të nënshkruar me pseudonimin Thomas Strangeways.

Duket absurde, por ndoshta nga frika se do të humbnin investimin e duhur apo thjesht u mashtruan nga disa premtime, shumë njerëz arritën të blinin bonot e shpikura nga MacGregor. Referuar vlerësimeve të bëra nga “The Economist”, mendohet se bonot, të gjitha së bashku, kapin vlerën e katër miliardë eurove. Shumë nga personat që u mashtruan ishin skocezë.

Teksa interesi për vendin imagjinar rritej, MacGregor rriti çmimet dhe filloi të shesë tokë. Madje përfundoi duke organizuar udhëtime në Poyais. Arriti të mbushë dy anije prej 250 personash që u nisën në shtator të 1822 dhe në janar të 1823. Udhëtimi zgjati dy muaj. Ata që pretendonin se do të gjenin Poyaisin, fatkeqësisht nuk gjetën asgjë. Shumë vdiqën nga uria ose nga malaria, por disa falë edhe kontakteve me popullsinë vendase dhe mbështetjes së anijeve që kalonin, arritën të largoheshin. Shumë vdiqën rrugës në kthim, të tjerë u ndalën në vende të ndryshme të Amerikës, por vetëm rreth pesëdhjetë njerëz arritën të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ishte e qartë se kishin jetuar në kushte ekstreme dhe dukeshin si fantazma dhe kufoma”, shkruante një gazetë skoceze e kohës.

Lajmi se shteti Poyais nuk ekzistonte u përhap me shpejtësi, duke ndihmuar kështu në anulimin e nisjes së anijeve të tjera, lajm ky që detyroi MacGregorin të arratisej në Paris, nga ku u përpoq përsëri të shiste idenë e Poyaisit, por me shumë pak sukses.

U arrestua në Francë. Në një gjyq të zhvilluar më vonë u shpall i pafajshëm. MacGregor u kthye në Skoci dhe përsëri u mundua të përfshihej në disa mashtrime që kishin lidhje me Poyaisin. Më 1838 u largua për në Karakas, ku u mirëprit përsëri si qytetar venezuelian. Vdiq atje në vitin 1845. /TCh/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here