Ministri Çeku takon skenën e pavarur kulturore të Mitrovicës
Dje në Mitrovicë, u mbajt një takim konsultues në mes të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrullah Çeku si dhe organizatave anëtare të Rrjetit të Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RROK-M). Në emër të sekretaritatit të RROK-M, z.Lulzim Hoti e mirëpriti ministrin Çeku dhe njëherit e falenderoi për interesimin dhe mbështetjen që ministri Çeku tregoi krahas skenës së pavarur kulturore të Mitrovicës.
Njëherit, Kryesuesi z.Erhan Mujka, në emër të Kryesisë së RROK-M e njoftoi Ministrin Çeku mbi zhvillimet në skenën kulturore si dhe mbi potencialin që ka qyteti i Mitrovicës, duke riktheksuar të kaluarën si dhe potencialet e tanishme në sektorin e skenës së pavarur kulturore. Gjatë takimit u shtjelluan çështje të ndryshme që preokupojnë OJQ-të në sferën e kulturës, e me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me politikat kulturore, subvencionet, si dhe trashëgiminë kulturore.
Ndër të tjera, u përmend edhe mungesa e infrastrukturës dhe telashet nëpër të cilat kalojnë këto organizata për arritjen e objektivave dhe qëllimeve të tyre. Ministri z.Hajrullah Çeku u dakordua me të pranishmit që bashkëpunimi të vazhdojë më tutje, duke organizuar tryeza takimesh edhe në të ardhmën e afërt, në të cilat takime, do të shtjellohen më gjerësisht planet, strategjitë dhe idetë e përbashkëta që do çonin drejt zhvillimit të jetës kulturore në këto anë.
Të pranishëm ishin dhjetë përfaqësues nga organizatat kulturore të RROK-Mitrovicë, si dhe këshilltarë e zyrtarë të MKRS’së.
(RROK MITROVICA)


