Shkencëtarët australianë pretendojnë se kanë zbuluar një objekt të panjohur rrotullues në galaktikën tonë dhe theksojnë se është diçka që nuk është parë më parë.
Objekti, i cili u zbulua për herë të parë nga një student nga Universiteti australian Curtin, është specifik në atë që lëshon një sasi të madhe energjie në pjesën radio të spektrit elektromagnetik çdo 18 minuta.
Sipas BBC, objektet që pulsojnë me energji vërehen relativisht shpesh në hapësirë, por në këtë rast bëhet fjalë për një objekt që pulson për një minutë të tërë, gjë që është jashtëzakonisht e pazakontë.
Ky objekt i pazakontë u zbulua nga Tyrone O’Doherty duke përdorur një teleskop dhe një teknikë të re që ai zhvilloi vetë.
Ai është anëtar i ekipit të astronomëve të radios të udhëhequr nga astrofizikania Natasha Harley-Walker nga Qendra Ndërkombëtare për Kërkime në Radio Astronomi (ICRAR).
“Pulsi i energjisë u shfaq dhe u zhduk për orë të tëra gjatë vëzhgimeve tona,” tha O’Doherty në një deklaratë për shtyp në të cilën ICRAR informoi publikun për zbulimin.
Ai në deklaratë shton se ka qenë krejtësisht e papritur, pasi asgjë tjetër nga ato që dihej nuk sillet kështu.
Objekti që u “ndez” për një minutë të tërë është “shumë i çuditshëm”, tha në një deklaratë për shtyp astrofizikani i ICRAR Jema Anderson.
ICRAR thekson se objekti ndodhet rreth 4000 vite dritë nga Toka, është jashtëzakonisht i ndritshëm dhe ka një fushë magnetike jashtëzakonisht të fortë.