Nga prof.Dr. Nezir Muharemaj
Ali pashë Tepelena lindi në fshatin Beçisht të Tepelenës në vitin 1744 dhe u vra më 5 shkurt (24 janar me kalendarin e vjetër) 1822 në Janinë.
Ndonëse i ndodhur në skajin veri-perëndimor të trevës së Tepelenës, fshati i Kalivaçit ka pasur të bëjë me Ali pashë Tepelenën, jo thjesht se ka ndjerë shtypjen e regjimit të tij, si krejt vilajeti, por edhe ka disa ndodhì me lidhje të drejtpërdrejtë me të.
Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashës, disa kalivaças përmenden të kenë pasur raporte me Pashanë, sipas tregimeve të transmetuara nga të moçmit e fshatit dhe të tjerë nga krahina.
Ormën Alli Kalivaçi, kapedan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës (ka vepruar rreth viteve 1800). Sipas Muharrem Haredin Agaj, Ormëni i parë ka qenë nga lagjja Hasanimeraj (ka vepruar ndoshta para vitit 1750) dhe ka pasur djalë Alli Ormënin (rreth viteve 1775). Alli Ormëni ka pasur tre djem: Ormën Alliu, Mato Alliu dhe Ago Alliu (të cilët mund të kenë vepruar rreth viteve 1800).
Mato Alli Ormëni pati djalë Dulen, prej nga nis fisi Dulaj në fshat.
Nga Ago Alli Ormëni thuhet se rrjedh fisi i Agajve.
Ormën Alliu thuhet se ka pasur një vajzë por nuk la pas djalë tarshëgimtar dhe ajo derë u shua. Ormën Alli Ormëni ka qenë prijës dhe një prej figurave më të rëndësishme të fshatit Kalivaç, nga lagja Hasanimeraj. Sipas tregimeve nga të moçmit (treguar nga Begzo Hysenaj), shtëpitë e fiseve Ormënaj, Hysenaj e Haxhiaj kanë qenë mbi shtëpitë e sotme të Sadik Xhemal Hysenaj (të ndërtuara në vitet 1919-1921), të cilat ndodheshin në oborrin e Ormënit. Edhe sot, murishtet e Ormënit quhen ato ngjitur me të Sadikut. Edhe një arë e vogël mbi shtëpitë e Muharremajve quhej ara e Ormëne.
Sipas Tafil Stafaj nga Ploça e Vlorës, i cili e ka dëgjuar historinë nga i jati (Tafili i intervistuar në video nga poeti popullor Gjergji Hoxha nga Krahësi, në Vlorë, më 21 dhjetor 2021): “Ormën Alli Kalivaçi ka qenë me shërbim në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë me gradë të krahasueshme Gjenerali (kapedan). Në të njëjtën kohë, në shërbim të Aliut në Janinë ka qenë dhe Kapo Kanani nga Sevasteri me një gradë më të lartë se Ormëni. Ali pasha deshi të shtronte një vend dhe zgjodhi Kapo Kananin, i dha ushtri dhe i fali një kalë shumë të mirë dhe i tha: “Ik e do më shtrosh filan vënd”. Në këtë kohë kur Kanani mori ushtrinë dhe kalin, Aliu nuk besonte njeri, mendonte se pasi të shtronte atë vend, Kanani do t’i kthehej Aliut dhe mendohej si t’ja bënte se i dha shumë ushtri, shumë fuqi.
Ormën Alliu kishte kërkuar për të fejuar një vajzë në Sevaster, në Nazaj por nuk ia kishin dhënë hairin. Në të njëjtën kohë, këtë vajzë e kërkonte edhe i vëllai i Kapos, Harizi nga Sevasteri. Plaku i shtëpisë së vajzës i jep llafin Ormën Alliut për të fejuar vajzën. Kurse vëllezërit e vajzës, kur erdhën në shtëpi, nuk deshën për Ormënin e thanë:
- Do ia japim Harizit, vëllait të Kananit, se është i dyti i Ali Pashait.
Aty filloi divergjenca brenda në familje. Kananajt i shkruajnë letër Harizit në Janinë dhe i
thonë:
– Ktheu se Ormën Alli Kalivaçi na mori nusen.
Kjo letër për fat të keq, i bie Ali Pashës në dorë. Ali pasha e shfrytëzoi rastin, e thërret Ormën Alliun dhe i thotë:
- Atë zakonin, bashkë e kemi bërë apo e kam bërë vetëm unë?
- Jo, iu përgjigj Ormëni, bashkë e kemi bërë, po pse?
- Po ti ke marrë nusen e Kapo Kananit, i thotë Aliu. Ormëni iu përgjigj:
- Unë nuse kërkova e nuse fejova.
- Jo, jo, ke marrë nusen e Kapo Kananit. Jo vetëm që ti ike që ike, por ikën dhe Kalivaçi, çfarë do bësh?
- Çfatë të bëj? Kërkova nuse, më dhanë hairin dhe e fejova, foli Ormëni.
Sa kishin marrë hairin këta tek Ormëni, por as kishin vajtur e as ardhur.
- Ti do dalësh filan vënd, do marrësh dhe një tjetër e do vrasësh Kapo Kananin, i thotë Ali pasha, se ndryshe e ke punën keq. Sa të kthehet Kapua këtu, do i paguash të gjitha gjërat.
Me urdhërin e Ali Pashës, Ormëni së bashku me Mënon, zunë pritë në qafën e Memete, nën fshatin Martalloz dhe vranë Kapo Kananin nga Sevasteri.
Vrasja e Kapos ishte ofendim i madh për Kudhësin, kështu që, për të marrë hakun u ngarkua Hysen Luzi nga Shkoza (me nofkën ‘Maçi’). Hyseni ishte trim. Në vitin 1805, në Janinë vrau Kurt Mahmarin, komandantin e togës, ku Hyseni kryente shërbimin. Qeveria turke e futi në burgun e Janinës, por dhe aty Hyseni lidhi çarçafët dhe zbriti nga kati i tretë i burgut e u arratis. Rojet turke s’u besonin syve dhe e thirrën me nofkën ”Hysen Maçi”. Që atëherë i mbeti nofka ”Maçi”. Më pas, Hysen Maçi e vrau Ormën Allinë në Fushën e Kalivaçit, sikurse thuhet në vargjet e këngës popullore:
Në fushë të Kalivaçit,
Lufton palla e Hysen Maçit,
Vuri në vendin e nderit,
Kanunin e Sevasterit”.
Tafili vazhdon: “Ormën Alliu ishte nisur [nga Janina] për të ardhur në Kalivaç, se e dinte që mbas të shtatave do të kishte diçka. I vëllai i Kapos, Harizi, pas të shtatave të vrasjes së Kananit, mblodhi krushqit që bëheshin 500 burra, jo pak. Ndërkohë, Aliu, për të mos u kuptuar urdhëri që kish dhënë vetë për vrasjen e Kapos, emëroi me detyrë të vëllanë Harizin në vend të Kapos në Janinë; me këtë, donte të thoshte që “unë nuk kam punë në këtë ndodhi”. U mblodhën Kudhësi, u hodhën në Kalivaç dhe e kanë djegur fshatin. Kur erdhi Ormëni nga Janina, erdhi me ushtri por fshati ka qenë djegur, është bërë luftë në fushë të Kalivaçit, ushtria bashkë me fshatin, Kudhësi është thyer dhe është hedhur në lumë”.
[Shënim: nuk ka ndonjë të dhënë se është djegur fshati i Kalivaçit ndonjëherë].
Sikurse tregojnë dhe në Shkozë, Ormën Alliu është vrarë nga shkozioti Hysen Maçi në Fushë të Kalivaçit, në hakmarrje për vrasjen e Kapo Kananit.
Historiani Shyqyri Hysi shtjellon një trajtesë tjetër për Ormën Alliun: “Një tjetër emër prijsi popullor dhe trim i Ali Pashë Tepelenës është ai i Ormën Alliut (Agës) që ka udhëhequr fshatin në kapërcyllën midis dy shekujve. Në mbledhjen që Valiu i Janinës organizoi në Sevaster për mbledhjen e taksave, Ormëni përfaqësoi Kalivaçin. Pas konfliktit me Valiun për taksat e fshatit, Ormëni vendosi t’i zinte pritë në Qafën e Mehmete, në zonën e Sinanajve. Për këtë duhej dhe fshehtësi, ndaj me vete mori vetëm djalin dhe nipin.
Bëmat e trimit kalivaças Ormën Alliu janë përjetësuar, ndër të tjera edhe në këngën “Ormëni ç’i hipi kalit”, e cila është kënduar me mjeshtëri në festivale kombëtare nga Grupi i Këngës Polifonike të Kalivaçit, i drejtuar nga marrësi virtuoz i këngëve Shyqyri Hysi.
Në disa këngë popullore të zonës së Kudhësit përmendet dhe një trim tjetër po me emrin Ormën, por ky është Ormën Dashi nga Golimbasi (dajua i babait të Tafil Stafajt) që ka vrarë Hariz Kananin, të vëllanë e Kapo Kananit nga Sevasteri dhe nuk duhet ngatërruar me Ormën Alli Kalivaçin.
Kundërshtimi i kalivaçasit Rrapo Mustafai ndaj raprezaljeve të Ali Pashë Tepelenës.
Sipas Xh. Aliut, Rrapo Mustafai ka qenë nga lagja Hasanbegaj dhe kishte dy vëllezër të tjerë. Ky kalivaças ka kundërshuar Ali Pashë Tepelenën për raprezaljet që ai kryente ndaj popullsisë së pafajshme. Rrapo Mustafai ka vepruar rreth viteve 1800. Ai ka qenë njeri nga tre djemtë e Mustafait, pasardhës i Mato Hasanit, që banonin në pronat e tyre në Leshnje e Mëhallë të Specovës. Kalivaçasi Rrapo Mustafai, si dhe prijësa të tjerë të njohur të krahinës, si Caush e Lame Lika në Dorëz (para se të shpërnguleshin në Specovë të Kalivaçit), Demirajt në Kutë dhe Leskajt në Levan të Tepelenës nuk i kishin mirë punët, por konflikte me Ali Pashën, ndaj të cilit kishin reaguar hera herës. Kur Aliu deshi të dënonte pa të drejtë këta prijësa, fshatarët çorrushiotë vihen në ndihmë të tyre për të mos u kapur nga pashai. Beber Sadikaj nga Çorrushi (i ngarkuar nga Ali Pasha si shef i armatimit për pashallëkun e Janinës, si dhe përgjegjës i depove të armatimit për zonën Tepelenë-Mallakastër), megjithëse shërbente pranë pashait, nëpërmjet angazhimit të bashkëfshatarëve çorrushiotë ndihmoi Rrapo Mustafain nga Kalivaçi me municione e fishekë, që të mos binte në pritën e ngritur nga Aliu.
Çaush Lika e Lame Lika
Fisi i Çaush Likës dhe të vëllait, Lames u shpërngulën nga fshati Dorëz për në Specovë të Kalivaçit, për t’u shpëtuar raprezaljeve të Ali Pashës. (Çaush – nënoficer me gradën e rreshterit në ushtrinë e Perandorisë Osmane; ushtarak pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme; topçi; por edhe emër që u vihej djemve).
Për këta dy burra të shquar ka disa rrëfenja të treguara dhe këngë të kënduara qysh para më shumë se 200 vjetëve në zonat tona, të cilat kanë mjaft ngjajshmëri midis tyre, por në disa aspekte ndryshojnë nga njera tjetra. Tregimet dhe këngët e kanë burimin nga tradita gojore prej pasardhësve të fisit të Çaushajve në Dorëz (e treguar nga Agron Mema), sipas tregimit të mësuesit Syrja Dalipi dhe tregimit të publikuar nga Xhelil Aliu nga Kalivaçi, në këngët popullore që këndohen në trevën tonë, si dhe në një këngë popullore Kënga e Lame Ligës e marrë nga MBLETA e Thimi Mitkos.
Tek ‘Kënga e Lame Ligës’ (Mitko, Th. 1918, popullore, marrë nga MBLETA e Mitkos, botuar në ‘The Adriatic Review’ September 1918, f. 45) të Thimi Mitkos: Sipas titullit dhe shënimeve sqaruese del se kënga i kushtohet Lame Ligës nga Mallakastra. Nuk ka dyshim se këtu, për ‘Mallakstër’ duhet kuptuar Kalivaçi, fshat që bënte pjesë në këtë krahinë dhe është e njohur historikisht se këtu kanë ardhur nga fisi Çaushaj nga Dorëza pas konfliktit me Ali Pashën. Po ashtu, në këngë, fjala‘Çaush’ mendoj se ka të bëjë me detyrën që i kishte caktuar Ali pasha Lame Ligës (si nënoficer me gradën e rreshterit, që komandonte grupin e rojeve në kalanë tek Shkëmbi i Ylynecit për kontrollin e rrugës Vlorë-Ylynec-Tepelenë-Janinë dhe marrjen e taksës për rrugën). Kështu që, fjalët “Çaush Liga’ duhen kuptuar si ‘Çaushi – nënoficeri Lame Liga’. Kënga e përshkruan Lamen si një burrë të shkurtër por trim, i cili ka patur djalë Tahirin dhe vajzë Havanë. Në shtëpinë e Lames vjen një mysafir që e ndiqnin armiqt’ e tij t’a vrisnin. Por, sipas traditës dhe besës, i zoti i shtëpisë nuk mund t’a dorëzonte mysafirin dhe lufton me armiqt e tij. Lufta zgjat një ditë e një natë, dhe, megjithëse Çaushi Lame ka vetëm 28 fishekë, arrin të vrasë 7 a 8 armiq deri sa plagoset rëndë duke iu thyer një dorë dhe një këmbë. Tahiri, i trëmbur nga frika e braktisi të jatin, teksa e bija Havaja trime i qëndroi pranë duke i mbushur fishekët dhe ai qëllonte.
Vrasja e Ali Pashë Tepelenës
Trima nga fshati i Kalivaçit, si dhe Krahësi etj., e mbështetën fuqimisht Ali Pashë Tepelenën. Mjaft bashkëfshatarë kanë qenë oficerë dhe ushtarë në garnizonin e Janinës, në kalanë e Gjirokastrës e gjetkë. Thuhet se edhe në momentet e fundit kur ishte i rrethuar nga ushtritë turke, pasi ishte shpallur ‘fermanlli’ nga Sulltani për synimet e tij për shtet të pavarur, Aliu dërgoi njerëz dhe pyeti nëse Kalivaçi i qëndronte besës dhe a do të vinte në pranverë ta çlironte nga rrethimi (me sa duket mbështetur në besnikërinë e kapedanit kalivaças në shërbim të tij, Ormën Alliut dhe kalivaçasve të tjerë).
Aliu ushqeu synimin për pavarësi të plotë ndaj Turqisë, duke u ngritur hapur kundër saj në vitin 1820, vit në të cilin shpallet “Fermanlli” prej Sulltanit (shkelës i dekretit të Sulltanit dhe duhej ekzekutuar). Për rreth dy vjet ndodh përballja e madhe e Aliut me Perandorinë. Paralelisht, ai ndihmon lëvizjet çlirimtare të popujve të ballkanit e vecanërisht kryengritjen e popullit grek. Megjithëse i tradhtuar prej bijve dhe prej shumë nga trashëgimtarët krahinorë, përballoi me dinjitet perandorinë. I quajtur nga personalitetet më në zë të kohës ‘Pirrroja i ri’, “’Pantera e Epirit’, ‘Asllani i Shqipërisë’, ‘Luan i Janinës’, ‘Napoleoni i vogël’, ‘Skënderbeu modern’, vritet pabesisht te kisha e Pandelejmonit nw ishullin e liqenit tw Janinës, më 24 janar (5 shkurt me kalendarin e ri) 1822, duke i prerë kokën. Trupi i Ali pashë Tepelenës u varros përkrah Eminesë së tij të virtytshme në kështjellën e Litharicës, Janinë ndërsa koka e tij, pasi i bënë të githa nderet dhe e shetitën mbi një tepsi nëpër rrugët e qytetit të Janinës, e treguar nga posta në postë, u dërgua në Stamboll si peshqesh Sulltanit dhe u vendos në oborrin e Sulltanit në ‘Kamaren e Turpit’.
Lidhur me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës po përmendim dy raste.
(i) Tregimi i cicerones së Muzeut të Ali Pashë Tepelenës në ishullin e Janinës: gjatë një vizite në shtator 1986, ciceronia e Muzeut tregonte se kjo shtëpi ka qënë pronë e Aliut, por që nuk e dinte njeri. Dukej se nga një derë anësore e brendshme e shtëpisë dilje në një tunel, i cili kishte lidhje me kështjellën e Litharicës, në anën tjetër të ishullit, në Janinë. Kur Aliu ishte i rrethuar në kështjellën e Janinës dhe priste fermanin e faljes nga Sulltani, nëpërmjet tunelit erdhi tek shtëpia e ishullit i shoqëruar nga e shoqja dhe një numër i vogël besnikësh të tij. Për habinë tonë, ciceronia na tregoi se Aliun e tradhtoi e shoqja, Vasiliqia. Vasiliqia ka qenë mjaft e bukur dhe portreti i saj thonë se njihej në Perandori. Kur ushtarët osmanë endeshin duke kontrolluar nëpër ishull, Vasiliqia doli në hajatin e katit të dytë, ku qëndronte me Aliun dhe u bëri shenjë ushtarëve. Kur ushtarët hynë në katin e parë, Vasiliqia goditi me këmbë dyshemenë në vendin ku qëndronte Aliu. Ata qëlluan me kobure që poshtë (tre vrima duken edhe sot në atë dysheme), duke e plagosur Alinë. Pashai së bashku me trimat e tij luftoi egërsisht me ushtarët osmanë, por më në fund, e nxorrën tek shkallët dhe atje i prenë kokën. Vasiliqinë nuk e prekën por i dhanë një çiflik ku jetoi deri në fund.
Mendojmë se kjo rrëfenjë mund të mos jetë pa bazë, përderisa edhe studiuesi A. Baldaçi e përmend tradhtinë e Vasiliqisë.
(ii) Baldaçi, në librin e vet (Baldacci, A Rrugëtime Shqiptare ” 1892, f. 119) shkruan për vizitën e tij “… në nisinë e famshme (ishulli i Pandeleimonit në liqenin e Janinës) për vrasjen e Aliut, kryer në bashkëpunim me bukuroshen e tij të dashur Vasiliqi (e cila rrinte shtrirë me tiranin, ndërsa armiqtë po vërshonin në shtëpi, duke shkallmuar dyert dhe duke kërkuar prenë, që ua tregoi tradhtarja greke, pasi e braktisi menjëherë në fatin e vet)”.