Në emisionin “Autokton”të gazetares Anila Ahmataj, u trasmetua pjesa e 4 e “Saga e një Dinastie”.
Ngjarjet e vitit 1924
Ngjarjeve të vitit 1924, si eksperiment në trupin e brishtë dhe tërë plagë luftrash të atdheut, u shtohet syri vigjilent i vëllezërve Bektash e Hajredin bej Cakrani qe takojnë mikun e tyre Fan Noli, duke e kritikuar për ndihmën bolshevike ruse që kish marrë.
Republika dhe monarkia shqiptare mbajnë vulën e Ahmet Zogut, djalit energjik që vetë Bektash Cakrani e kish promovuar me forcë në kongres të Lushnjës, i cili nuk i shpëtoi kurthit shqiptar të pushtetit në kohra, duke e kthyer atë në pushtet autokratik, që në shqip përkthehet nënshtim për këdo. Por Dinastia e vjetër e kish promovuar atë dikur dhe kjo e vërtetë monarkut energjik i shfaqej përherë në ëndërr si një lloj fantazme që e ndiqte kudo që mund të fshihej. Në mes qëndronin konçesionet, që i kishin kushtuar jetë njerëzish më 1913. Nga armiqësi e heshtur ajo u shfaq papritur në Kryengritjen e Fierit 1935, ku Dinastia e lënë në baltë e në një rrezik të vetë ekzistencës së saj, vazhdoi luftën si përherë, vetëm. Kreu i kryengritjes, si gjithmonë legjenda Bektash bej, cakton nipin e tij Jashar Cakranin për të vrarë kreun ushtarak të mbretërisë shqiptare, gjeneralin kroat Leone Gilardin në Fier. Nga të dënuarit me vdekje pothuaj gjysma ishte me mbiemër Cakrani, tashmë nën tortura tashmë nga komandanti i operacionit Ali Topalli dhe ai i burgut Spiro Mojsiu, vetëm patriotin nuk guxuan as ta pyesin; Ai kërkoi që ta pyeste mbreti vetë, gjë e cila dihej që nuk mund të ndodhte. Ndërhyrja ndërkombëtare e detyroi Mbretin Zog ti linte të lirë pas pak kohësh.
7-të prill 1939
Me hyrjen e ushtrisë italianë më 7 prill të vitit 1939 shumë kundërshtarë të mbretit iu bashkangjitën italianëve, por kundërshtari më i madh Bektash bej Cakrani u shpalli sërish luftë. Monarkia kryengritësve mallakastriotë u kish marrë dhe çiftet e gjahut, prandaj në kërkesën për të pritur pushtimin me armë morën përgjigje negative Shumë krerë që i çuan mbretit italian Viktor Emanuelit III kurorën e Skënderbeut, i bënë Bektash bej Cakranit vizitë patriotit të vjetër, por morën këtë përgjigje; “Mbretit tonë asnjë nga ju nuk i ka thënë një fjalë nga frika! Bektash Bej Cakrani e ka sharë shqip! Juve do të veni tek një Mbret i huaj dhe do t’i bëni lajka në gjuhën e Tij. Edhe vetë e dini që keni trokitur në portë të gabuar, se këtë të huaj e kam luftuar që në njëzëtën!”
Pas mirqënies relative që shqiptarët po shijonin në vitet e parë të invazionit italian, por përfaqësuesit e dinastisë, tashmë duke ja kaluar përgjegjësinë një tjetër gjenerate, bijve të tyre, nuk e harronin se ishin ëngjëlli mbrojtës, roja i përjetshëm i kombit. Në skenë kanë dalë emra të rinj të kësaj gjenerate, ku spikasin si dikur etërit e tyre, në fushën e luftës Kadri Hajredin Cakrani studiuar në Vjenë, Kujtim Bektash Cakrani në Milano, në fushën e diplomacisë e kulturës Qani Sabri Cakrani, Budapest, poligloti Vasfi Hajredin Cakrani dhe Jashar Sulejman Cakrani në Sorbonë, Suhade Hajredin Cakrani në Firence, etj. dhe lufta erdhi shpejt. Një rrymë e re u shfaq në Mallakastrën e egër, Komunizmi, praktika vrastare për të cilën Bektash Cakrani ishte konfliktuar qysh më ’24 me Fan Nolin, por nën një kujdes të madh ai e mbajti nën kontroll, sa të ish e mundur. Përfaqësuesi i saj ishte Mehmet Shehu, biri i famëkeqit Sheh të Çorrushit, që kish luftuar kundër sa e sa patriotëve duke i varur ata, por dhe vetë Bektash Cakranit si kolonel i Princ Vidit properëndimor, në emrin e fanatizmin islamik dhe Orientit.
Vetëm për të evituar përçarjen në Mallakastër në këtë kohë mjaft komplekse padiskutim si përherë pjestarët e Dinastisë u rreshtuan edhe këtë herë krah kombit e atdheut, duke krijuar formacionet e shumta nacionaliste në krahinë. Por për të evituar çdo lloj përçarje Bektash bej Cakrani, caktohet unanimisht kryetar i këshillit nacional-çlirimtar të Mallakastrës. Si gjithmonë pararojë në çdo ngjarje, Cakranët ndërmarrin betejën e parë luftarake në Luftën e dytë në Shqipëri atë të Ruzhdies në shkurt 1943, ku nga dezertimi i formacionit komunist, kushtoi jetën e studentit të Sorbonës Jashar Cakranit, por dhe dhjetra ushtarëve italianë.
Mehmet Shehu me çetën e tij “plakë”
të Mallakastrës në koordinim me atë të Vlorës pas betejës me batalionin karabinier, si forcë e ruajtjes së rendit që ruante Minierën e Selenicës, kërkuan marrveshje në Mallakastër. Qëllimi ishte shkëmbimi i robërve italianë tashmë, me të burgosur komunistë, të cilën ushtria italiane nuk mund ta pranonte. Në kundërshtim me çdo ligj lufte komunistët mallakastriotë masakrojnë dhe ekzekutojnë qindra karabinierët e mbajtur peng duke i hedhur në “Shpellën e lakuriqëve” në Kremenar të Mallakastrës.
Mënyrën e traditës “luftë armikut nën flamurin kombëtar” patrioti legjendë Bektash bej Cakrani i detyruar të shmangëte përçarjen e bëri fakt në Mallakastër, duke përjashtuar të dy grupet ndërluftuese Nacionalistët dhe Komunistët, gjë që i bën të dy këto grupime luftarake të shkonin me të shpejtë, ndoshta të paftuar, pasi e dinin fuqinë dhe karizmën e patriotit. Por këtë herë Luçiferi, si ëngjëll i dështuar ishte vënë në shërbim të djallit fshehtas. Dhe fshehtas kryente gjithçka! Nacionalistët akuzuan komunistët për sjelljen në Mallakastër të dy emisarëve jugosllavë; “Është më se e vërtetë që Nasjonal Çlirimtarja e Komunistët në të, kanë me vete në Mallakastër dy Sërbët më të egër dhe u mburren atyre se kanë në dorë atë, Mallakastrën! E dini pse janë këtu? I mban i biri i Ismail Klosit në konak, se duhet të mësojnë të birin e Ismail Shehut që i vari të jatin këtij, se si e qysh të therë e vrasë nevej! Kjo nga që nuk ka mësuar mirë në Spanjë! Prandaj i kërkoj popullatës, jashtë Sërbët nga Mallakastra!” Ky fakt që solli mosmarrveshje, u kthye në konflikt në çast mes Kadri Cakranit dhe Mehmet Shehut që nxorrën armët. Por në mes gjendej ai, Atdheu, që i pengoi me të drejtë apo jo! “Unë në çast e kishja nxjerrë Nagantin për t’a vrarë dhe u sula. Këdo që të qëlloja nga grupi i tyre, e dija se ishte shërbimi më i madh që mund t’i bëhej Shqipërisë. Sa më preu rrugën Bektash Beu edhe ai e nxorri revolen. E dija që ai do të godiste dhe xhaxhanë në kokë për të më vrarë mua, po ky ishte një rast që nuk të vjen më në jetë. Mundësitë për të vrarë të birin e Shehut dhe t’i shpëtoja të tërë, ranë fare, se xhaxhaji j’U afrua dhe atij, kur Bektash Beu pështyti fort në mes nesh. Ptu! Ju do t’a bëni Shqipërinë?! Prapë po më tërhiqnin nga dora dhe i thashë xhaxhajit duke u prapsur. -Jo do t’a bëjnë Sërbët!”shkruan Kadri Cakrani. Mehmet Shehu u largua menjëherë në drejtim të Korçës, por ajo që nisi aty ishte tashmë një rrugë pa kthim.
Qarkomandanti i Beratit Kadri Hajredin Cakrani.
Në këtë qytet të tij të lindjes me kapitullimin e italianëve dhe ardhjen e gjermanëve, i dilte detyrë urgjente ruajtjen e mijra hebrejve, që kishin qënë dhe kishin ardhur së fundmi; “Xhaxha, po të shkruaj urgjent mes halleve të shumta që pllakosën tani me kapitullimin e italianëve, pasi ti e ke Mallakastrën në dorë. Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati tek ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i prurë aty. Nuk duhet të bjenë në dorë të armatës gjermane që është duke ardhur, asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëve për ta. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës i tyre, për arsye se do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori. Tjetër rrezik që ti e di vetë është se po u muarr vesh, Mallakastra mund të digjet!” shkruan ai. Pas pamundësisë së fshehjes, pasi gjermanët mbrritën në Berat i pajisi hebrejtë me dokumenta të fesë islame, por edhe duke nxjerrë një urdhër pushkatimi për atë që tregon se janë hebrej. Ky është rasti unikal në Luftën e Dytë Botërore, që në një qytet bashkëjetojnë hebrej dhe ushtria gjermane plot një vit. “Të çoja furrave çifutët, se kisha në dorë Beratin? Dy orë punë duhej, dhe 20 kambjonë!” vazhdon ai. Adolf Hitler e dekoroi Kadri Cakranin si ushtarak antikomunist, dhe ky i fundit shkelmoi pa drojë doktrinën e tij antisemite. Ëngjëlli mbrojtës tashmë kish shkelur çdo ligj. Kjo nuk quhet më njerëzore! Kjo është hyjnore!
Duke marrë vesh të vërtetën e masakrës së karabinierëve të Kremenarit, në këtë kohë të ardhjes së gjermanëve Kapiteni i Kavalerisë së akademisë milaneze Kujtim Cakrani, shkoi me forcat e veta në Skrapar, nga ku shpëtoi 7500 trupa të kapitulluar italianë të divizionit “Peruxhia” Ndërsa 500 trupa, batalionit 151 i ngriti një kamp në Cakran, me spital dhe kushte, si e kërkonte ndjenja kalorsiake e fisnikërisë dinastike, ti paguante vetë të gjitha; “Kam shpëtuar jetën e 7,500 ushtarëve italianë, të cilët pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943 u braktisën nga fati i tyre, nga qeveria qendrore e Romës, në Mallakastër dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë. Pa shpërblim unë kisha krijuar edhe një spital për të sëmurët duke paguar mjekët nga xhepi im. Janë 7500 italianë të braktisur, të dënuar si “tradhtarë” nga gjermanët dhe “pushtues” nga partizanët shqiptarë; të dy të tjerët donin t’i vrisnin. Unë i shpëtova ata!” Përshkrimi i ushtarakëve italianë është tamam tronditës; “Mbi 500 burra ushqeheshim në mëngjes bukë vaj ulliri, djath dhe qepë; Në drekë mish qengji dhe bukë (jo më pak se 4 herë në javë), në darkë polenta (arapash) deklaron përpara senatit italian kolonel Rubino Rubini, ndërsa At Daniele Barbierini Aidinei, kreu i misionit katolik në Shqipëri flet po aty; “Misioni ynë punoi tek spitali që bëri vetë kapiten Kujtim Cakrani i cili pagonte mjekët ushtarakë marrë nga spitali 146 fushor tek ai yni duke shëruar shumë italianë. Vetëm rreth një viti punë bamirësie spitali u plaçkit dhe u shkatërrua nga hordhitë komuniste.
Komandant ushtarak i nacionalistëve të Ballit Kombëtar Kadri Cakrani.
I cili zbulon se në Berat fshihen 3 infermiere amerikane në tetor të 1943, rënë nga një avion aleat të cilat nuk e arritën grupin e tyre, së bashku me një anglishtfolës shkon dhe i takon nën një rrezik të pazakontë të survejimit gjerman. “Kadri Cakrani ka vizituar disa herë infermieret dhe u shqetësua kur familja strehuese i tha se ato kishin vendosur të iknin vetë. Një natë i mori me makinë dhe i dërgoi tek shtëpia e tij për darkë. Nga fillimi i marsit, Cakrani ua kishte shpjeguar planin infermiereve. Ai i pajisi me pasaporta shqiptare. Plani u realizua kur me dy makina të Ballit në Berat, infermieret i çuan të maskuara deri në Karaburun, pasi që andej do të niseshin me anijë në Itali.” thuhet nga dëshmitaret infermiere në librin “Arratisja e fshehtë”
Në Berat armata gjermane tashmë i kërkoi Kadri Cakranit nëpërmjet një oficeri bizantolog, kodikët mijravjeçarë të kishës Shën Gjergjit. Në bashkpunim me peshkopin At Visarion Xhuvani e bindi këtë të fundit që sinodi i kishës të bënte një dëshmi të rremë para gjermanëve, por peshkopi kundërshton sepse ndëshkimi për këtë gjë vjen prej vetë Zotit; “Peshkop! Zoti ka shkuar në luftë, nuk e thërret dot as ti e as unë. E shikon si është ndezur gjithë dynjaja dhe ai Zot që e krijoji, i vuri zjarrin nga lart me Komunismën! Ju ortodoksët mbanit urën!” përgjigjet Cakrani. Përgjegjësitë që i ngarkon dinastia përfaqësuesit të saj, por dhe koha për të sajtën herë si ëngjëll mbrojtës, duken nga më të çuditëshmet, por ato vetëm sa i tregojnë misionin atij; detyrën ndaj atdheut e dinte vetë!
Po fitimtarët e luftës, zgjedhur dhe bekuar prej aleatëve, e njihnin fare mirë fuqinë dhe influencën e Dinastisë Cakrani. Ata kishin luftuar papushim kundër saj dhe misionit të madh, mbrojtjes së atdheut, duke bërë ç’është e mundur kundër tij, krah armiqëve shekullorë të shqiptarëve, serbëve. Mehmet Shehu e pushkatoi promovuesin dhe mirbërësin e vet Bektash bej Cakranin, i cili qëndroi në truallin e të parëve vetëm për ti treguar se misioni i tij ishte atdheu dhe koha e solli që të ishte ai qëndrestari i fundit. Në gjyqin farsë ai iu drejtua prokurorit, nipit të tij Qemal Klosit; “Unë qysh në moshën e njomë e gjer sot në moshën e thinjave të bardha çdo gjë të shtrenjtë e të shenjtë të trupit e mendjes sime ja kam kushtuar atdheut me parimin; Çdo gjë për atdhe, dhe atdheu mbi të gjitha!”
Terrori i verbër i fitimtarëve komunistë…
U derdhë pa kufi mbi qëndrestarët dhe ushtarët e fundit të dinastisë, që koha i vendosi si ushtarët dhe flamurmbajtësit e fundit të ngjarjeve epokale por dhe fatkeqe që do ti ndodhnin Shqipërisë. Në epilogun e hidhur të kësaj lufte një listë e gjatë orurzezë u fashit, ku vetëm me familjen e firmëtarit të pavarsësisë Hajredin bej Cakrani, makabriteti nuk njohu kufi. Ishte ajo urrejtja për shtetbërësin, por dhe gjeneratave që u caktuan të iluminonin dhe mbonin atdheun! Biri i tij ushtarakun e Hajdar Cakrani u var në Fier, vëllezërit e tij Hysen e Vasfi Cakranin e Sorbonës i dergjën burgjeve, Nëna e tyre vdes me helmin e fëmijëve të ndëshkuar, dhe motra Suhade Cakrani, studentja e arteve të bukura, vdes pas pak kohe në vetmi të plotë në një çmendinë. Atdheu i kapur nga disa duar të përgjakura, do të njihte tashmë errësirën dhe zgjedhën më të kobshme në histori.
Dinastitë kanë natyrë ciklike, thuhet, por Dinastinë Cakrani u kujdesën ta zhduknin pa lënë gjurmë.
Ajo identifikohej me vetë atdheun që e shqetësonte diktaturën pa masë, ndaj koha e rilindi përsëri pas një kohe të errët shqiptarësh. Madhështia dallon nga vegjëlia nga misioni; Dikush e grabit dhe e gjymton atdheun me shitje detesh e kufijsh, por dinastia qëndron si ushtari flamurmbajtës i përjetshëm, ëngjëlli mbrojtës i atdheut. Ajo herë me klithmën e një zogu vetëmitar dimëror, dhe herë me tingullin e një këmbane alarmi gjëmëmadh, jo si notat e internacionales nga orët e Kremlinit, gjëmon ndër kohra për tu kujtuar shqiptarëve betimin e përjetshëm; Çdo gjë për atdhe, dhe atdheu mbi të gjitha!!!