NGA: ZYMER MEHANI
1.Hyrje
Selman Riza u lind më 25 dhjetor 1909, në Gjakovë. Më tej, kishte qenë nxënës në shkollën plotore “Naim Frashëri” të Tiranës dhe në Liceun Kombëtar të Korçës. Pastaj vijoi dy fakultete të larta, në Toluzë të Francës dhe u kthye pedagog, ku ishte vetë nxënës, pra në Liceun e Korçës.
Si gjatë qëndrimit në Shqipëri e në Kosovë, ai u tregua atdhetar i flakët dhe i papajtueshëm ndaj çdo armiku. Prandaj u përndoq e u persekutua: U burgos e u internua, nga regjimi fashist dhe u burgos nga dy regjimet diktatoriale komuniste (në Kosovë e në Shqipëri); në vitet e fundit të jetës e larguan nga puna si shkencëtar e pedagog dhe, pasi iu bë një “gjyq” inkuizicional, u dërgua “për riedukim” në muzeun e Beratit. Ndërsa, në vitin 1970, u nxor në pension para kohe. Pastaj e munduan sa s’ka më: sëmundja e rëndë dhe e gjatë, mjedisi i heshtur dhe mospërfillës i shtetit monist. Ja, pra, se çfarë provoi ky atdhetar, pedagog e shkencëtar i madh, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta, në Tiranë, më 16.12.1988.
2. Vepra shkencore e Selman Rizës
Në historinë e albanologjisë vepra e Selman Rizës zë një vend shumë të rëndësishëm dhe me punën e vet shkencore ai shtroi probleme nga më të rëndësishme në albanistikë. Këto probleme, vërtet, janë shtruar edhe para, e edhe mbas tij, por gati asnjëherë me atë vëllim dhe intensitet të menduari. Për këtë arsye vepra e tij shënon një kontribut të pashlyeshëm në studimet albanologjike. Ky kontribut merr edhe më shumë peshë kur kemi parasysh jo vetëm intensitetin e të menduarit për këto çështje, por edhe thellimin teorik e metodologjik të autorit. ‘’Rezultatet e tij në fushën e morfologjisë historike dhe të studimeve të teksteve të vjetra e vendosin në ballë të autorëve, mendimi i të cilëve çon peshë edhe sot’’.
Selman Riza ia doli të botonte disa vepra shkencore:
“Tri monografina albanologjike, Tiranë, 1944
“Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Prishtinë, 1952
“Gramatika e sërbokroatishtes”,Prishtinë, 1952
“Diftorët e shqipes, Prishtinë, 1953
“Pronoret e shqipes”, Tiranë, 1958
“Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë, 1960
“Emrat në shqipen”, Tiranë, 1964 etj.
Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” Redaksia e Botimeve, në Prishtinë, vepra e Selman Rizës me titull: Studime Albanistike 1 (Pjesa e Parë), që ka 478 faqe.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nxori në dritë katër vëllime me Veprat (me mbi 2400 faqe, 1996-2004).
‘’Veprimtaria shkencore-gjuhësore e prof. S. Rizës, aq e gjerë dhe aq e thellë, paraqet interes, ndër të tjera, edhe për kërkimet sociolinguistike’’.
Vitet 1956-1967 qenë periudha më frytdhënëse në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës. Janë disa nga veprat më të mira albanologjike, që mbajnë emrin e tij dhe e ngritën në një shkallë të re cilësore gjuhësinë shqiptare dhe mendimin shkencor. Ai, gjithnjë luftoi për shkencë dhe kulturë të pavarur nga politika. Dhe ia arriti: sepse bëri gjithnjë atë që duhej , atë që i shkonte për shtat bindjeve të tij shkencore dhe politike.
Vepra shkencore e Selman Rizës, në tërësinë e saj, “ndonëse në një periudhë të shkurtër, të bie në sy, jo vetëm puna këmbëngulëse dhe kultura e gjerë, përkushtimi i jashtëzakonshëm shkencor dhe logjika e argumentit, forca krijuese dhe origjinaliteti i spikatur, qëndrimi kritik e parimor… shtrirja e interesave në shumë fusha siç janë gramatika, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, tekstologjia, kritika gjuhësore, terminologjia, gjuha letrare etj.”
Dhe, siç thonë studiuesit kosovarë, Hilmi Agani, Besim Bokshi dhe Rexhep Ismajli, “Me të kritika shkencore arrin shkallën e opinionit objektiv shkencor të nivelit të dëshiruar dhe si e tillë përmbush një funksion të rëndësishëm shoqëror”.
Selman Riza kritikoi ashpër në kulturën tonë diletantizmin, mediokritetin, konformizmin etj. Sigurisht që kritika, edhe pse objektive dhe konstruktive, jo gjithmonë u vlerësua. Dhe siç thoshte vetë ai, jo rrallë herë u ndesh me “Dhunë me veshje kritike deri në skualifikim”. Dhe inkuizicioni i kohës nuk mungoi. Shqipëria kalonte periudhën kineze, me revolucionin kulturor dhe ideologjik që përmbyste edhe ato pak suksese të albanologjisë, të arritura me shumë mund, nën një diktaturë që ishte armike e së vërtetës, e përparimit dhe e lirisë. U përmbysën plane dhe projekte, u nxorën si reaksionare kryeveprat e artit botëror dhe shqiptar. Pikërisht në këtë kohë, Selman Riza, pësoi një goditje të rëndë. Si njeri me karakter, ai nuk mund të pajtohej me mediokritetin, vetëkënaqësinë dhe servilizmin që karakterizonte Institutin e Gjuhësisë, ku forcat e afta shkencore luftoheshin dhe pengoheshin nga drejtuesit partiakë. Kritika e tij e guximshme dhe objektive, u konsiderua si veprimtari armiqësore. Ai u shpreh, se drejtuesit e institucioneve shkencore nuk duhet të kenë disa funksione dhe se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Për këto mendime, në prill të vitit 1967 profesorin e nderuar, pas fletërrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e luftës kundra “mbeturinave borgjeze”, e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, si ciceron në muzeun e qytetit dhe më vonë në bibliotekën e qytetit.
Ai nuk kërkoi ndihmë, as dhe mbrojtje nga ndokush lart. Në vitin 1970, Selman Riza, del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes së tij në Tiranë, i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi i shtetit. Ndonëse shkencëtar i madh, i njohur edhe në qarqet shkencore ndërkombëtare, me vepra dhe tituj, Selman Rizës, iu mohua e drejta për t`u kthyer në punë në Institut dhe faktikisht iu mbyllën të gjitha rrugët për veprimtari shkencore, aq sa nuk e lejonin të merrte libra në bibliotekë. Bashkënxënësi dhe bashkëmësuesi, që nuk arriti të merrte asnjë provim në universitetin francez, diktatori paranojak, i hoqi emrin nga veprat e tij. Ndoshta ky ishte i vetmi nder që i ka bërë ai, Selman Rizës, sepse në të tilla raste lavdërimet janë më të këqija se sharjet.
Autori, E. Angoni, në hulumtimet e tij për Rizën, publikon edhe një fakt tjetër. “Sa qe gjallë as një shkrim vlerësues për Selman Rizën, as si gjuhëtar, pa le si atdhetar”.14 Vitet e fundit të jetës ishte i sëmurë dhe nuk iu krijua asnjë mundësi për t‘u dërguar jashtë shtetit për kurim, për t‘i lehtësuar dhimbjet e zgjatur jetën dhe studimet. Madje, edhe kërkesa për një fjalim nga kolegët e tij në ceremoninë e varrosjes (16.2.1988), nuk u miratua nga instancat e larta të partisë shtet. Ata nuk ia falnin Selman Rizës, sfidën e përjetshme. Heshtjen e kobshme zyrtare e prishi në çastin e fundit profesor, Aleks Buda, Kryetari i Akademisë. Me një fjalë të shkurtër të improvizuar, i dha lamtumirën kolegut, mikut të afërt.
3. Përfundimi
Selman Riza me jetën dhe veprën e tij, mbetet një luftëtar i paepur i çlirimit të Kosovës dhe çështjes shqiptare, ndjekës i papërkulur e sistematik i parimit të papajtueshmërisë së pakompromis me çdo gjë antikombëtare e regresive, për Shqipërinë dhe shqiptarët edhe se për këtë u përndoq dhe dhunua gjithë jetën, por nuk u nënshtrua. Ai mbetet po aq dhe një nga gjuhëtarët më të shquar në lëmë të albanologjisë. Shkenca shqiptare dhe jo vetëm ajo, i detyrohen së tepërmi atij dhe kjo gjendje heshtjeje dhe mosvlerësimi duhet të ndryshoj sa më parë.
Në gjuhësinë e re shqiptare prof. Selman Riza, zë në vend të shquar. Ai i përket atij brezi të shquar gjuhëtarësh, të shquar shqiptarë, të cilët iu përveshën punës me përkushtueshmëri dhe me guxim për një studim ballësor sa më të thelluar të sistemit të gjuhës shqipe, si në gjendjen e saj të sotme, ashtu edhe në evolucionin e saj historik ‘’Në historinë e albanologjisë, vepra e Selman Rizës, zë një vend shumë të rëndësishëm. Ky vend i rëndësishëm arsyetohet shumëfish: Me nivelin e lartë shkencor dhe metodologjik (nga aspekti albanistik dhe risitë në këtë drejtim) të studimeve të tij.Me mospajtimin me një traditë konceptesh dhe pikëpamjesh, për më tepër me një rrugë, tashmë të stabilizuar dhe me mbjelljen e farës së albanalogjisë në Kosovë dhe me mbjelljen e kësaj fare me një veprimtari që nuk mbetet mbrapa nivelit të albanologjisë, por përkundrazi shndërrohet në një objekt synimi dhe me nivel etalon për çdo lëvizje që dëshiron të shpjerë përpara në këtë drejtim.’’
‘’Punimet e Rizës të çuditin për mënyrën moderne të të menduarit (sidomos në sfondin e arritjeve të deritanishme të gjuhësisë shqiptare.) dhe në përpjesëtime të mëdha japin zgjidhje teorike të përshtatshme për linguistikën e kohës. Punimet e këtij autori i karakterizon logjika, saktësia dhe qartësia e interpretimit…Vlera e punimeve të Rizës është veçanërisht e madhe në fushën e gramatikës historike dhe zhvillimit të mendimit teorik.’’
LITERATURA:
Riza, Selman, Prof., Studime albanistike, I, Rilindja, Prishtinë, 1979;
Mujaj, Hasan, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012;
Angoni, Engjëll, Selman Riza: Gjuhëtar dhe atdhetar i shquar, Botimet Toena, Tiranë, 1999;
Hasani, Hasan, Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, Faik Konica, Prishtinë, 2002.