Sami Frashëri është autori i Kamus-ul-alam (Fjalori i Madh i Diturive) që është Enciklopedia e Parë Turke me karakter historik dhe gjeografik të përbotshëm. Në këtë kryevepër diturake dhe sistematizuese Sami Frashëri nuk ka harruar që midis emrave të Fjalorit të shënonte edhe emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në 1888, kur u botua Fjalori, në Turqi sundonte një nga sulltanët më të urryer të popujve të ish- Perandorisë Turke, Abdyl Hamidi II-të. Ai mbeti në histori me emrin Kizil Sulltan (Sulltani i Përgjakur).

Në mjedisin e kohës dhe në historiografinë shekullore osmane, heroi kombëtar i shqipëtarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu quhej nga propaganda zyrtare turke si “Eshkija”, -dmth Bandit, Rebel, një tradhtar i perandorisë, në fakt edhe i vetë dinastisë së Sulltanit që ishte në fuqi.

Në Turqinë e asaj kohe ekzistonte një censurë e rreptë që përshkonte rrjesht për rrjesht dhe fjalë për fjalë çdo vepër që bëhej gati për botim. Në këto rrethana kërcënuese, kuptohet se çfarë guximi ka patur Sami Frashëri për të shkruar diçka për Gjergj Kastriotin.

Samiu shkruan duke e quajtur pasardhës të Aleksandrit të Madh, për më tepër kundërshtar i Sulltan Mehmetit të II-të, i mbiquajtur Fatihu (Ngadhnjyesi), që në fakt ishte stërgjyshi i Abdyl Hamidit II.

Ja çfarë shkruan Samiu në zërin Enciklopedik të quajtur: ISKENDERBEJ:

“Zanafillas, emri i tij është Xhorxh, ose Gjergj Kastrioti, biri i Jan Kastriotit, princ i krahinës së Krujës (Akçehtisarit) në kohën e pushtimit osman. Ka lindur në vitin 1404, sipas një dëshmie tjetër në një 1414.

Kur Sulltan Murati i II-të nisi të pushtojë viset shqiptare, atit të tij iu desh të nënshtrohej. Por Sulltani për të pasur garancinë e duhur të vazhdës së nënshtrimit, mori si peng katër të bijtë e Jan Kastriotit dhe i pruri në Andrianopojë. Skënderbeu qe më i vogëli nga këta.

Jashtëzakonisht i zgjuar dhe trim, tërheq vëmendjen dhe hyn në zemër Sulltanit aty për aty, i cili e quan ose e emërton Iskënder, në përgjasim të bashkëkombasit të tij Iskënderi Dhul-Karneinit dhe kështu u edukua së bashku me princin perandorak Mehmetin e II-të, Fahtiun e ardhshëm.

Sapo u bë burrë  emërohet Sanxhakbej. Me të këtë cilësi ka shërbyer në Serbi, në Damaskë dhe në krahina të tjera të Perandorisë.

Në luftrat ku mori pjesë, gjithkund u nda në shenjë nderimi për karakterin e tij burrëror, për trimërinë me zotësi ushtarake të jashtëzakonshme. Aq i rreptë ishte  më forcën e tij trupore dhe më guxim sa edhe faqe Sulltanit u dilte në mejdan (në dyluftim) shumë atletëve duke u mundur asnjëherë preje asnjërit.

Me vdekjen e të jatit zotërimi i tij i pavarur iu shtua zotërimeve të Perandorisë Turke, duke u dërguar kështu njëherësh në Krujë një qeveritar kështjelle. Në atë kohë Skënderbeu ndodhej në Sham (në Siri). Kur kthehet së këtejmi, merr vesh, se që të tre vëllezërit i kishin vdekur.

Skënderbeu ishte në pritje, që me vdekjen e të atit, njëri prej vëllezërve ose ai vetë të merrte sundimin në viset e trashëguara dhe ashtu të vendosej princ mbi to; duke mos parë të realizuar këtë,  e në tjetrën nga pikëllimi për vdekjen e tre vëllezërve, u pezmatua aq, sa mori vendim të arratiset.

Kështu, duke qënë i dërguar për në luftën e Moravës, më 1443, largohet me një grup shqiptarësh, që i kishte pranë vehtes. Pasi rishtiu në dorë zotërimin e të jatit, fton princat dhe  kryezotët që ndodheshin në Shqipëri dhe ashtu bëri që të njihej kreu i krerëve të shqiptarëve.

Me zotësinë dhe talentin luftarak, duke qënë i favorizuar edhe prej pozitave natyrale të vendit, mundi t’i qëndrojë përballë për shumë ushtrive të Perandorisë.

Mbretërit e krishterë të Europës, posaçërisht Papa me Mbretin e Hungarisë, duke menduar se Skënderbeu do të bëhej një mur i hekurt karshi osmanëve, s’u kursyen ta inkurajojnë, duke lidhur aleance me të, por këto pushtete, që s’guxonin t’i dilnin vetë përballë stuhisë osmane, pasi e futën Skënderbeun në zjarr, qëndruan, duke bërë sehir për së largu.

Megjithatë Skënderbeu i mbështetur në atë strategji dhe mënyrë luftimi, që ishte një veçanti e tij, e sidomos duke mbajtur grykat e duke u fshehur nëpër pyje të pafundme, me mësymje të befasishme dhe duke iu shmangur betejave të hapëta arriti t’u qëndrojë ushtrive të komanduara nga vetë Sulltan Mehmeti i II-të.

Këto qëndresa bënë që si ushtria, ashtu dhe atdheu i tij, të dëmtoheshin mjaft. Për më tepër dëshpërimi i tij qe më i madh, kur pa kundër vehtes dhe të bashkuar me ushtrinë osmane nipin e tij, Hamza Kastriotin. Aq më i madh qe dëshpërimi kur u braktis edhe prej më trimit shok të tij Moisiut të Dibrës, që e pa, krahas ushtrive perandorike, t’i hidhet përsipër. Por, më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë.

Sulltan Mehmeti i II-të, Fahtiu ka dërguar shumë herë ushtrinë mbi Skënderbeun. Më në fund Skënderbeu qe shtrënguar të kërkojë paqe, kështu më 1461 u lidh një traktat. Skënderbeu duke përfituar prej kësaj paqeje, kalon në Itali, ku krahas Feerdinandit, Mbret i Napolit dhe i Siqilisë lufton kundër mësymjeve të Karlit të VII, Mbret i Francës.

Si shpërblim ndaj ndihmës dhe ngadhnjimit në këtë luftë, Ferdinandi i jep Skënderbeut titullin e Dukës së Shën Pjetrit. Me t’u kthyer nga kjo luftë në 1463, ai hidhet përsëri në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kësaj here dërgohet një ushtri shumë e madhe, prej Sulltan Mehmeti i II-të.

Skënderbeu, duke kuptuar se s’mund t’i bënte ballë dhe, në anën tjetër duke e parë vehten edhe të sëmurë, niset për në qytetin e Lezhës për të kërkuar ndihmë prej venedikasve. Por aty ndërron jetë, më 1467.

Luftëtarëve u qe mbushur mendja se eshtrat e tij kishin një tallasum (talisman) që mbronte dhe shmangte goditjet, ndaj i patën nxjerrë këto eshtra nga varri dhe pastaj i patën shpërndarë dhe qepur nëpër veshjet e tyre.

Pati lënë një djalë të vogël, i cili së bashku me disa krerë pati ikur në Venedik, por më tej s’është marrë vesh gjë mbi fatin e tij. Me vdekjen e Skënderbeut Kruja dorëzohet, pushtohet e tërë Shqipëria. Historia e Skënderbeut ka qënë shkruar në gjuhën latine, prej bashkëkohësit dhe mikut të tij Marin Barleti.

Sami Frashëri: Kamus-ul-alam II, f.927-923

Ky shkrim i shkurtër i Samiut i parë nga sot ka disa pasaktësira, që janë të kuptueshme në nivelin e njohjes të asaj kohe. Por ka edhe ndonjë të dhënë të re. I ndjeri Moikom Zeqo në shënimet e tij në gazetën DITA ka lënë pas korrigjimet e mëposhtme:

“Për Samiun data e lindjes së Heroit  jepet ose 1404 ose 1414 ndërkohë  që mendimi kryesor i historianëve të kohës tonë është se Skënderbeu ka lindur më 1405. Kurse viti i vdekjes  është dhënë 1467, duhet saktësuar që është viti 1468. Samiu  e ka të saktë thënien që Skënderbeu është emëruar Sanxhakbej, por në fakt nuk ka asnjë të dhënë deri më sot që Skënderbeu të ketë shërbyer si Sanxhakbej në Serbi.

Samiu citon në fund librin e Marin Barletit, por, dihet se Barleti në fakt nuk e ka njohur dhe nuk ka qënë bashkëkohës i Skënderbeut dhe as miku i tij. Marin Barleti e ka botuar veprën për Skënderbeun më 1508 dhe ka shfrytëzuar dokumenta familjare të Kastriotëve, sepse ka qënë njohur nga afër me nipin e Gjergj Kastriotit, me Ferrante Kastriotin.

Moikom Zeqo 1949 – 2020

Samiu përcjell tek lexuesit ritin e çuditshëm që ka ndodhur me nxjerrjen  e eshtrave të Skënderbeut, me sakralizimin e tyre, sikur kishin fuqi magjike dhe mbrojtëse dhe jep një hollësi që këto eshtra i kanë qepur në rrobat e tyre ata që i poseduan.

Sami Frashëri e quan Skënderbeun si pasardhës të Aleksandrit të Madh. Aleksandri i Madh njihet në botën arabe madje përmendet edhe në Kuran si Dhul-Karneini  që do të thotë “Mbajtës i dy brirëve”, titull që arabët ia dhanë Aleksandrit të Madh, për shkak të kurorës së tij me dy maja porsi brirë, ose për zotërimin e Lindjes dhe të Perëndimit.

Në të njëjtin vit 1888, kur Sami Frashëri botoi veprën e tij Enciklopedike, vëllai i tij Naim Frashëri boton Eposin e tij poetik “Historia e Skënderbeut”. Libri i Naimit u botua në gjuhën shqipe dhe u shtyp në Bukuresht.

Ishte hera e parë mbas shekujsh, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit që një poet shqiptar shkruan një Epos poetik në gjuhën shqipe. Kjo vepër  ka shprehje dhe qëndrime të ashpra kundër Turqisë.

Një shikim krahasimtar dhe përmbajtësor na bën të njohur se Naim Frashëri është mbështetur edhe ai mbi veprën e Marin Barletit ashtu si dhe Samiu, por ndoshta jo në variantin latinisht të veprës barletiane por në ndonjë përkthim siç është përkthimi  në gjuhën frënge.

Tek Historia e poetizuar e Gjergj Kastriot Skënderbeut Naim Frashëri ka shfrytëzuar edhe burime të tjera, por reflekton dhe një ndikim nga kryeveprat botërore siç është Eposi Homerik, Virgjilian por dhe Dantesk.

Ndërkohë  duhet vënë në dukje se Naim Frashëri ka shkruar edhe ndonjë prozë që pasqyron ekspeditën e Gjergj Kastriotit në Itali për të mbrojtur Mbretërinë e Napolit. Do kishte interes që gjatë shkrimit të Eposit për Skënderbeun të dihet nëse Naimi konsultohej me të vëllain Samiun, sepse ka një unison pikëpamjesh me karakter unik të Historisë Skënderbejane.

Në të  vërtetë Samiu dhe Naimi po bënin demitizimin, shkatërrimin e mitit negativist osman, që në të gjitha kronikat e konsideronte Skënderbeun vetëm si “Eshkija”. Ata arritën ta thyejnë përfundimisht këtë mit të mbrapshtë dhe deformues të historisë. Ky mit osman i shekullit XV  gjallon ende sot si deformim historik, pra antihistorik.

Të dy vëllezërit në një mendje të kthjellët dhe të fuqishme nuk kishin ndërmend aspak që të ndryshonin në këtë pikë historiografinë zyrtare osmane. Por  kishin për qëllim të epërm për të çliruar nga deformimi figurën e Skënderbeut, për t’i dhënë statusin që meritonte jo vetëm në historinë e shqiptarëve por dhe në historinë europiane dhe botërore që Heroi e kishte gëzuar në të gjallë.

i.b. / dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here