Nga: Bajram Mjeku
Miku im Gani Perolli, i cili është në moshë të shtyer dhe jeton në Nju-Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga viti 1956, sjell një bisedë interesante e deri tash të panjohur për ne – më saktë, takimin e parë së bashku me babën e tij Hamit Perolli me ish-kryeministrin shqiptar, Fan Noli, takim i cili ndodhi në vitin 1956 në apartamentin e Nolit në Boston të Shteteve të Bashkuara.
Hamit Perolli deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte imam i xhamisë në Krumë dhe i takonte rezistencës antikomuniste në Shqipërinë e Veriut. Me të përfunduar lufta, Hamiti dhe familja e tij kaluan ilegalisht kufirin e hekurt shqiptaro-shqiptar. Në fillim u vendosën në Gjakovë, pastaj në Vushtrri, por odiseada e kësaj familjeje nuk përfundoi këtu. Regjimi jugosllav familjen Perolli dhe disa familje tjera shqiptare i dërgoi në Sisovec të Serbisë, prej nga këto familje – pas një sakrifice të jashtëzakonshme – migruan në Itali. Aty jetuan deri në vitin 1956, prej nga migruan në Shtetet e Bashkuara, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe.
Gani Perolli kujton kështu takimin e parë me Fan Nolin:
“Unë dhe baba im Hamit Perolli u takuam me Fan Nolin në apartamentin e tij në vitin 1956, sapo u akomoduam në Boston, pas largimit nga Italia. Nolin e vizituam së bashku me z. Robis, i cili kryesonte shoqatën e Veteranëve Shqiptaro-Amerikan të Luftës së Dytë Botërore. Atëbotë shoqata Vatra dhe Shoqata e Veteranëve kishin qëndrime të kundërta ndaj Qeverisë komuniste të Tiranës, por këto dy shoqata mbanin qëndrim miqësor midis tyre, prandaj nuk ishte i pavend shoqërimi i z. Robis, që së bashku me të, të ishim mysafirë të Nolit në Boston.
Pas përshëndetjeve formale dhe bisedave të zakonshme, biseda mori një trajtë tjetër midis babës dhe ish-kryeministrit Noli dhe dialogu midis tyre ndodhi si vijon:
Fan Noli: Zoti Imam, a mund t’u pyes pse pas çlirimit të vendit ju zgjodhët këtë kohë që të largoheni nga atdheu?!
Hamit Perolli: Hirësi, unë jam njeri i fesë siç jeni edhe ju, por kur fashizmi italian okupoi vendin tim, unë e vura Kuranin në raft, mora pushkën në dorë dhe krijova çetën time për të çliruar atdheun tim dhe vazhdova luftën deri në tërheqjen e Italisë nga Shqipëria. Njësoj kam luftuar edhe kundër okupimit nazist të Gjermanisë, si komandant çete nën komandën e Lëvizjes Kryeziu, e cila kryesohej nga major Gani Kryeziu. Kjo lëvizje ishte e vetmja me program demokratik, e cila bashkëpunonte me aleatët perëndimorë. Gjatë kësaj kohe ne bashkëpunuam me të gjithë ata që luftonin për liri. Nuk na pëlqeu fakti kur Partinë Komuniste të Shqipërisë e themeluan dy jugosllavët, Miladin Popoviq e Dushan Mugosha. Miladini edhe u emërua kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe pamë që komunistët shqiptarë të gjitha direktivat i merrnin nga Partia Komuniste e Jugosllavisë. Komunistët, në krahinën tonë, ishin një grup i vogël të rinjsh nga Gjakova që kryesohej nga Fadil Hoxha. Hirësi, ne në fillim edhe i furnizonim me armë, sipas marrëveshjes që e kishte bërë major Gani Kryeziu me britanikët, por kaloi pak kohë dhe këto armë u kthyen kundër nesh!
Në shtator të vitit 1944, u rrethuam nga komunistët brenda kufijve të Shqipërisë, më saktë në Malësi të Gjakovës. Ishin forcat komuniste të Shqipërisë dhe ato të Jugosllavisë të cilat na kërcënuan që ose të shkrihemi në brigadat e tyre, ose të dorëzohemi. Gani Kryeziu, duke mos dashur të ndodhte vëllavrasja, vendosi t’i shpërndante forcat e tij pasi vëllavrasjen midis shqiptarëve në Shqipëri e dëshironin komunistët jugosllavë në krye me Titon. Kështu, komunistët morën peng vëllain e Ganiut, Said Kryeziun, pastaj kolegun e tij Lazar Fundo dhe oficerin anglez, Simkox. Pretendimet ishin false dhe Lazar Fundon e lidhën, pastaj e tërhoqën zhag me kalin e kriminelit famëkeq Shefqet Peçi deri në Kolesjan të Lumës. Aty e torturuan brutalisht dhe e pushkatuan me urdhër të Enver Hoxhës, derisa këtë urdhër e përcolli Lirie Gega.
Pasi u formua Qeveria komuniste në Tiranë, ata filluan t’i keqtrajtonin dhe torturonin shqiptarët e pafajshëm vetëm pse nuk ishin komunistë. Mua më arrestuan jo më pak se tetëmbëdhjetë herë me akuza të fabrikuara. I vetmi mëkat që kisha bërë ishte pse kisha luftuar për lirinë e atdheut tim dhe kisha kërkuar që Kosova pas luftës të bashkohej me Shqipërinë. Hirësi, ju jeni intelektual me famë dhe jeni njeriu me të cilin mburren shqiptarët. A më thoni ju lutem, çfarë mësimi tjetër mund të merrja unë, derisa komunistët nuk i ndanin me ne të njëjtat ideale e qëllime kombëtare?!
Fan Noli: Ne nuk i kemi këto informacione!
Kur mbaruam vizitën, Fan Noli na i dhuroi disa tituj librash mua dhe babës. Më vonë, Nolin e kemi vizituar edhe një herë tjetër në apartamentin e tij dhe kësaj radhe shoqëroheshim nga miku i tij i ngushtë, Qerim Panariti. Së bashku me babën, morëm pjesë edhe në meshat e peshkop Nolit në Boston, pasi edhe jetonim në këtë qytet, por e kemi vizituar edhe më vonë në Nju-Jork dhe jemi përshëndetur pas mbarimit të meshës”.