Me siguri e keni hasur këtë foto në rrjetet sociale, ose ndoshta kjo është hera e parë që e shihni.
Bëhet fjalë për një foto të shkrepur nga fotografi Don Mçullin, i cili u ka kushtuar një vëmendje të veçantë momenteve të trishta të luftës së Biafras (luftë civile ndërmjet qeverisë së Nigerisë dhe Republikës së Biafrës).
Në vetëm tri vite (1967 – 1970) në këtë luftë vdiqën më tepër se një million njerëz. Shpërndarja e ushqimeve u kufizua shumë në rajonin e Biafrës, duke shkaktuar uri ekstreme dhe vdekje të shumta.
Në foton e këtij artikulli do të mund të shihni një nga momentet më të dhimbshme të kësaj lufte, një nënë 24 vjeçare të uritur, kockë e lëkurë, gati në prag të vdekjes, e cila edhe pse vetë nuk është e ushqyer, zgjedh të ushqejë me gji fëmijën e saj. Ajo duket dinjitoze dhe e sheh drejt e në sy fotografin, personin përballë saj, duke dashur t’ia transmetojë atij hapur mesazhin madhor.
Mesazhi është ai i vazhdimësisë së jetës, pavarësisht çdo vështirësie, dhe se burimi i jetës mbetet nëna. Edhe në kushtet e urisë ekstreme, në kushtet e afrimit të vdekjes, nëna përherë do të zgjedhë të vetësakrifikohet për fëmijën e saj. Jo më kot kjo mbahet si një ndër fotot më të dhimbshme e të trishta në histori.