Profesor Ferdinand Milone (lindur në Napoli më 1896 dhe vdekur më 1987 në Romë), ka qenë një gjeograf i shquar, pedagog në Universitetin e Napolit dhe të Romës, anëtar i Akademisë Kombëtare të Lincei, autor i librave të shumtë, të një rëndësie të madhe për studimin e gjeografisë ekonomike.
Ai ka publikuar në numrin e marsit të vitit 1942, në revistën e klubit të turit italian “Rrugët e Italisë”, një ese tejet të rëndësishme me titull “Shqiptarët dhe Shqipërinë”. E mendoj si të dobishme botimin e një përmbledhje të esesë, meqenëse nuk është në dispozicion as të bibliotekave italiane e as të atyre shqiptare.
Autori pohon që në fillim të esesë se “në Ballkan, ku ka shumë vende e popuj, jo gjithmonë forma fizike të lejon të bësh dallimin mes një rajoni e një tjetri apo një kombësie e një tjetre. Territoret transite nga njëri popull në tjetrin, të banuara nga popullsi të përziera për shekuj me radhë gjatë historisë së përbashkët, duhet domosdoshmërisht dhe më shumë se një herë, të caktohen në këtë apo atë shtet politik.Mund tju interesojë
Me pak më shumë vullnet të mirë, ndershmëri dhe studim objektiv të fakteve, do të jetë e mundur, megjithatë, edhe në këtë rajon të madh natyror dhe njerëzor, por edhe të komplikuar, për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kështu, Ferdinand Milone fillon të marrë në konsideratë shtetin e ri shqiptar.Para së gjithash, – pyet, – a ekziston një kombësi shqiptare? Një shqiptar autentik, ministri Ernest Koliqi, novelist, poet dhe ministër i Arsimit në Shqipëri nga 1939 deri në 1942 në një udhëzues që hap guidën e bukur të Shqipërisë, botuar nga Shoqëria Turistike Italiane në vitin 1940, bën dy deklarata të rëndësishme: “Ngjarjet e ndryshme historike, nëpër të cilat kaloi raca shqiptare, i kanë dhënë asaj një karakter të veçantë, të larmishëm dhe të pazakontë, që e bëjnë të duket si një mozaik i vërtetë besimesh fetare, zakonesh dhe kostumesh të ndryshme”. Ai shton më tej: “Nëse ti i pyet njerëzit rreth e qark në qytet apo në mal, në veri apo në jug ‘kush jeni ju’, do të dëgjoni përgjigjen më të ashpër dhe më krenare ‘Jam shqiptar’”.
Ka të drejtë Koliqi, – pohon Milone: Sa më shumë ndalojmë nëpër Shqipëri, sa më shumë e studiojmë dhe mësojmë mbi këtë tokë dhe këtë popull kaq interesant, kaq të mirë dhe besnik, aq më shumë shohim se sa të ndryshëm janë njerëzit në këtë rajon. Është e admirueshme që pavarësisht nga sundimi turk, nuk është shuar ndjenja kombëtare në këtë popull barinjsh e druvarësh, të cilët në shekujt e gjatë të sundimit të huaj, nuk kanë një histori që nuk ka të bëjë me rebelimet e kryengritjet e guximshme apo shtypjen e përgjakshme.
Flaka e ndjenjave kombëtare ka mbetur gjallë në këtë popull aq sa, në vitin 1878, pas Kongresit të Berlinit, u krijua Lidhja Qendrore për mbrojtjen e kombësisë shqiptare, me kryeqendër Ohrin. Lidhja bëri thirrje për autonomi të shtetit shqiptar, në mënyrë që vendi të mbrohej nga copëtimi i territorit mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. ”Milone kujton në artikullin e tij, se Italia edhe gjatë shekujve të mëparshëm e ka njohur shtetësinë shqiptare, duke i ofruar ndihmë Skënderbeut në luftën e tij të vërtetë epike dhe duke mirëpritur refugjatët shqiptarë në vendin tonë, ku ata jetonin lirisht, duke ruajtur fenë e tyre, gjuhën e tyre dhe kostumet e tyre, e kanë qenë të lidhur me shtëpinë “birësuese” jo më pak se me atë amtare.
Në vitin 1911, kur shqiptarët ishin në kryengritje, u formua në Romë një Komitet Parlamentar për Shqipërinë, që mblodhi 60 deputetë nga të gjitha ngjyrat politike; u organizua një ushtri që kishte një kauzë të përbashkët, që do të mblidhte edhe veshje dhe të holla në favor të kryengritësve. Ishte Italia ajo që së bashku me Austrinë, iu bëri jehonë të drejtave të shqiptarëve në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin e ardhshëm, kur edhe triumfoi kauza e tyre e drejtë.
Gjuha, kombi, feja “Kush është para syve tanë,- shkruan Milone, ndërsa vë në dukje se më shumë se çdo gjë tjetër ata (shqiptarët) dallohen nga gjuha që flasin. Ruajtja e gjuhës me besnikëri, është e shkëlqyeshme, pavarësisht nga arsyet e forta dhe të shumta që luftonin kundër ekzistencës së saj. Ruajtja e gjuhës e ka penguar ‘humbjen’ e njerëzve, duke i dalluar ata mes popujve të tjerë. Është shqipja, një tjetër element i fuqishëm e konservator i kombësisë, madje edhe atëherë kur kombet, politikisht me konsideratë, e kanë humbur kombësinë dhe pavarësinë e tyre.
Gjuhëtarët nuk janë të gjithë dakord sa i takon origjinës e autonomisë së gjuhës shqipe. Sipas shumicës së tyre shqipja vjen nga ilirishtja antike; ndërsa të tjerë mendojnë se është vazhdimësi gjurmësh të tjera e jo të ilirishtes. Sigurisht që është një gjuhë që ka ndikim të menjëhershëm nga jashtë e mes këtyre ka një ndikim të madh nga latinishtja. Nuk mungojnë fjalët që rrjedhin nga greqishtja e lashtë, por më të shpeshta janë fjalët që rrjedhin nga greqishtja mesjetare. Janë të dukshme megjithatë edhe ndikimet sllave e turke, ndërkohë që ndikimi nuk është i papërfillshëm as nga gjuhët e tjera të Ballkanit. Kështu përfundon Milone:
“Gjuha shqipe, edhe pse kaq e modifikuar, e ruan forcën e saj dhe punon sot për detyrat kombëtare”. Populli shqiptar është i ndarë në fe të ndryshme. Subjekt i ndikimeve të Romës dhe Bizantit, e dominuar për më shumë se katër shekuj nga pushtuesit myslimanë, kjo popullsi ka në mënyrë të dallueshme tri fe të mëdha: katolike, ortodokse dhe myslimane. Por kjo treshe besimi nuk e ka dëmtuar unitetin e popullit. Shumica myslimane jeton në tolerancë të plotë me ortodoksët dhe katolikët. Është e dukshme që për të kuptuar se kush është në të vërtetë populli shqiptar, elementi më domethënës i dallimit është ai gjuhësor.
Ajo është besnikëria e një populli për gjuhën e vet, një popull që për shumë vite u dominua nga të huajt dhe është padyshim dokumenti më i mirë i karakterit kombëtar. Nuk do të jetë e vështirë, që sapo të njihet kombi shqiptar, nga elementi gjuhësor të hiqen kufijtë që duhet të ketë shteti shqiptar. Për fat të keq, – thotë autori, – nuk është e lehtë për të kuptuar se sa veta flasin ende gjuhën shqipe në rajonin e Ballkanit. Pushteti osman kënaqej duke dhënë vlerësime e duke bërë dallime, më shumë mbi besimin, se sa mbi gjuhën.
Numri i popullsisë
Një publikim zyrtar i qeverisë angleze, që u publikua në vitin 1922, e nxori numrin e shqiptarëve rreth 1 milionë e gjysëm deri në 2 milionë banorë. Por, nga popullsia shqiptare, vetëm gjysma e saj, apo dhe ndoshta më pak, ka jetuar brenda kufijve të Mbretërisë së Shqipërisë. Gjysma tjetër dhe që nuk ishte e papërfillshme jetonte jashtë kufijve, në Jugosllavi dhe në Greqi.
Statistikat zyrtare jugosllave e ulin numrin e popullsisë shqiptare deri në 442.000 brenda kufijve të vet. Sipas burimeve zyrtare jugosllave, minoriteti shqiptar në shtetin e tyre na qenkërka sa gjysma e popullsisë shqiptare të Mbretërisë Shqiptare. Në të vërtetë, shqiptarët ishin të paktën dyfishi i asaj shifre që u dha prej tyre, dhe kjo ishte të paktën tre të katërtat e popullsisë së mbetur në Mbretërinë e Shqipërisë.
Hartat
“Në vitin 1919, – shkruan Milone, – u publikua një hartë etnografike për Gadishullin Ballkanik. Në Mal të Zi, rajoni i Tivarit dhe kufiri i vjetër banohet nga popullsi shqiptare që është ende kompakte dhe rrethohej nga liqeni i Shkodrës. Nga shqiptarët, në një masë kompakte janë të banuara edhe pellgjet e larta të Limit, Ibrit dhe Drinit të Bardhë, ku shqiptarët janë shtyrë deri në malet e Krushevicës, duke arritur deri në kufirin e vjetër në mes të Malit të Zi dhe Serbisë.
Shqipëria, – sipas Kettler, – duhet të ketë qenë shtrirë pothuajse gjatë gjithë Liqenit të Shkodrës dhe në rajonet e Hotit, të Alpeve dhe në rrethet veriore shqiptare të Ipekut dhe Gjakovës, bashkë me Methohinë pjellore, deri në malet e Krushevicës.
Në Serbi, përtej kufirit të saj të lashtë me Malin e Zi, shqiptarët kanë formuar një ishull të madh, që shtrihet me degët e veta edhe përreth Novi Pazarit, në pellgun e lartë të Ibrit, e deri në jug pranë Goljakut e Kopanikut. Ata janë të gjithë shqiptarë etnikë, me shumicë dërrmuese që vetëm përtej këtyre maleve përzihen me serbët dhe bullgarët. Ishuj të tjerë serbësh ndërpriten, megjithatë, vazhdimësia e popullatës shqiptare është kështu: menjëherë në lindje të Ipekut, dhe në veri të Prishtinës e në jug të Prizrenit.
Por edhe në këto zona popullsia është në shumicë dërrmuese shqiptare, ndërsa e gjithë Kosova është e banuar pa dyshim nga shqiptarët, të cilët në kultivimin e tokave fushore të këtij rajoni tregojnë kapacitetet e tyre të mëdha për punë dhe aftësinë e tyre të shquar për përparim. Në mes të Prizrenit dhe të Vranjës, ka një përzierje popullsie me bullgarët, të cilët zënë disa pjesë të luginave të lumenjve të mëdhenj. Rajoni malor në të djathtë të Vardarit të lartë është i banuar nga shqiptarët, të cilët, në fakt pak më në jug, kanë formuar disa ishuj të vegjël pranë Krushevit, Manastirit dhe Follorinës, një qytet që gjendet brenda kufijve të vjetër grekë.
Por, brenda kufijve të vjetër të Greqisë, shqiptarët përbëjnë një oaz më të madh se ai i Follorinës. Milone pohon nëse ka mbajtur shënim indikacionet e dhëna mbi shqiptarët që gjendeshin brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, kudo në zonat e banuara nga shqiptarët etnikë jashtë kufijve (1940) të Mbretërisë së Shqipërisë. Për disa pohime ai ka pasur parasysh dijetarë të gjuhës, si gjermanin Kettler, i cili pajtohet me disa autorë të tjerë si Lejan, dijetarin rus Mirkovitch, sllaven Bradaska, Charles H. Kiepert dhe Sax), të gjithë dijetarë e studiues të gjysmës së dytë të ’800-ës.
Në dritën e këtyre burimeve autoritare, Ferdinand Milone shqyrton pretendimet shqiptare në Konferencën e Paqes. Çelësi për pretendimet shqiptare ishte memoriali i Turhan Pashës, që kërkonte kthimin Shqipërisë, të territoreve të inkorporuara në Mal të Zi dhe në Serbi, si edhe ato të inkorporuara në Greqi, si rezultat i Konferencës së Londrës të 1913-ës.
Kufiri etnik
Në thelb kërkohej e pretendohej kufiri etnografik i Shqipërisë, në të cilin si pjesë e Shqipërisë janë Tuzi, Hoti, Gruda, Podgorica, Ipeku, pjesa lindore e Mitrovicës, rrethet e Prishtinës, të Gjilanit, të Ferizajt, të Kaçanikut… një pjesë e Qarkut të Uskubit, rrethi i Kalkandeles, Gostivari, Kërçova, Dibra, duke arritur deri në malin që quhet Mal ‘ i Thatë, në mes të Liqeneve të Ohrit dhe Prespës. Duke u nisur nga kjo pikë, kufiri ndjek gjurmët e vitit 1913 deri në kreshtën e Monte Gramos dhe vazhdon drejt jugut, për të përfunduar deri në afërsi të Prevezës.
Të gjitha territoret e vendosura në perëndim të këtij kufiri janë toka etnike e historike shqiptare”. “Në limitet e këtyre territoreve të përmendura,- vazhdon memoriali i Turhan Pashës,- jetojnë rreth dy milionë e gjysmë shqiptarë, prej të cilëve gati një milionë jetojnë brenda kufijve të caktuar në Shqipëri nga ana e Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe një milion e gjysmë që e njëjta konferencë ia dha Malit të Zi, Serbisë, Greqisë”. Sigurisht që pas gjithë këtij “ushtrimi” historik, profesor Milone raporton në përfundimet e tij se: “Sigurisht, populli shqiptar ka tashmë të drejtë që të shohë të ndërtuar përfundimisht individualitetin e vet etnik e kombëtar”.