Është zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, mozaiku, i cili përshkruan një skenë nga Iliada. Mendohet të ketë qenë dyshemeja e një shtëpie të pasur romake nga shekulli III-IV pas Krishtit dhe sipas arkeologëve asgjë e ngjashme me të nuk është zbuluar më parë. Mozaiku romak u zbulua në një fushë në East Midlands, në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërthur rëndësinë arkeologjike dhe cilësinë e lartë artistike.
Fragmentet e para u zbuluan në fillim të vitit 2020, gjatë periudhës së bllokimit të parë për shkak të pandemisë, kur një fermer i ri gjeti aksidentalisht gjurmët e mozaikut mijëravjeçar. Më pas ai kontaktoi ekipin arkeologjik të Këshillit të Qarkut Leicestershire, autoriteti lokal që kontrollon trashëgiminë historike. Nga ky moment filluan gërmimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe Universitetin Leicester.
Mozaiku ka përmasa njëmbëdhjetë me shtatë metra. Ai përshkruan një episod të famshëm të Iliadës, duelin midis Hektorit dhe Akilit, në fund të Luftës së Trojës. Pak paraqitje të këtij episodi janë të njohura në Evropë dhe deri më tani, ky është i vetmi në tokën britanike. Sipas rindërtimit të arkeologëve, mozaiku formonte dyshemenë e asaj që ishte ndoshta një sallë e madhe e destinuar për bankete, ose një zonë e banesës e rezervuar për rekreacion dhe kohë të lirë.
Është pjesë e një vile të madhe perandorake të vonë (shek. III-IV pas Krishtit) e ndërtuar në një sërë kanalesh kufitare së bashku me ndërtesa të tjera të zbuluara nga një studim gjeofizik dhe një studim arkeologjik, duke përfshirë një kompleks me ujëra termale dhe disa magazina për grurin. Kjo tregon se struktura i përkiste një individi të pasur dhenjë njohës i letërsisë klasike. Mbi mozaikët, midis shtresave të rrënojave që i mbulonin, janë zbuluar mbetje të eshtrave të njeriut, që ndoshta do të datojnë në kohën e vonë romake ose në mesjetën e hershme.
Vendi ndodhet në tokë private dhe nuk është i aksesueshëm për publikun për momentin, por zbulimi i mozaikut dhe kompleksit të vilës do të tregohet në një dokumentar në BBC Two në vitin 2022.
Britania krenohet me shumë pasuri të së kaluarës. Në histori, mbeten të famshme gërmimet e Sutton Hoo, që u zhvilluan në vitin 1939, kur u zbulua një anije funerale anglo-saksone e shekullit të 7-të, një nga zbulimet më të mëdha në historinë britanike.
Kishte tre pushtime të mëdha që formësuan jo vetëm historinë e vendit, por edhe gjeografinë e disa vendeve në Britani. Dy të parat në duart e vikingëve dhe normanëve, kurse i treti, më i madhi, filloi në vitin 42 pas Krishtit, kur legjionet romake mbërritën në ishull. Pushtimi romak i Britanisë së Madhe zgjati deri në vitin 410 pas Krishtit, duke lënë pas rrugë, monumente dhe legjenda.