Qeveria e përkohshme e Vlorës është e para qeveri kombëtare që u formua pas Shpalljes së Pavarësisë. Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës që në mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912. Në seancën e tij të 5–të, më 04.12.1912, Kuvendi me kërkesë të Ismail Qemal Vlorës e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. Ismail Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme.
Anëtarë të Qeverisë u zgjodhën:

  • Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër (deri më 30 mars 1913);
  • Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
  • Abdi bej Toptani, Ministër për Financat (Azis Vrioni tetor 1913);
  • Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen);
  • Petro Poga, Ministër për Drejtësinë;
  • Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin,
  • Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore;
  • Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
  • Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.
    Kuvendi zgjodhi edhe pleqësinë që duhej te kryente funksionet një organi këshillues e mbikqyrës të qeverisë. Kryetari i pleqësisë u zgjodh Vehbi Agolli. Me këto masa Kuvendi iVlorës hodhi themelet e organizimit të Shtetit të ri Shqiptar, duke u mbështetur në forcat kombëtare. Ndonëse në kushte tepër të vështira të vazhdimit të Luftës I Ballkanike shumë prej krahinave u bashkuan me Qeverinë e përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të gjithë Shqipërisë. Nga pikëpamja e shtrirjes efektive të pushtetit të saj ajo veproi në fillim në një zonë të ngushtë, kryesisht në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë. Luftoi për bashkimin rreth saj të krahinave të çliruara nga pushtimi serb. Prej pranverës1913 filloi të shtrijë autoritetin e vet në Shqipërinë e Mesme e në një pjesë të mirë të ShqipërisëVeriore. Qeveria e përkohshme e Vlorës arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror. U ngritën disa njësi të forcave të rendit publik (xhandarmëria) dhe u morën masa organizative paraprake për të mëkëmbur një ushtri kombëtare. U vunë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve europiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1913. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913. Ky akt përmbante një rregullim mjaft të hollësishëm të përbërjes dhe kompetencave të hallkave kryesore të administratës vendore në Shtetin e Ri. Por, ai nuk kishte vlerën e një kushtetute në kuptimin e plotë, përderisa linte pa prekur probleme themelore, si: forma e qeverisjes (monarki apo republikë), organet më të larta të pushtetit, kompetencat, raportet midis tyre. Kjo shpjegohet me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në organizimin e brendshëm të shtetit të ri. Në Konferencën eAmbasadorëve në Londër këto shpallën qëllimin e tyre për ta marr vetë në dorë organizimin e Shqipërisë. Këtë e bënë me anën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, të cilit iu ngarkua detyra e përpunimit të një projekti të hollësishëm të degëve kryesore të administratës shtetërore. Qeveria e përkohshme e Vlorës u ndesh në veprimet përçarëse të Esat pashë Toptanit, në Shqipërinë e Mesme. Q. P.V zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arënën ndërkombëtare, si pranë Fuqive të Mëdha, ashtu edhe pranë shteteve fqinje. Vetë Ismail Qemali (i shoqëruar nga L. Gurakuqi e I. Boletini bëri një udhëtim nëpër kryeqytetet e Fuqive të Mëdha të Europës (prill- maj 1913) dhe u ndal veçanërisht në Londër, ku pati takime me personalitete të ndryshme, burra shteti e diplomatë. Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e Vlorës dhe kjo ra në një izolim të plotë. Në janar 1914 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrrollit e implikoi atë në të ashtuquajturin komplot të Beqir Grebenesë, gjë që çoi në dorëheqjen e detyruar të I. Qemalit, më 22.01.1914. Pushteti kaloi në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Bilanci i veprimtarisë së Qeverisë së Vlorës si brenda vendit, ashtu edhe në plan ndërkombëtar ka qenë i kufizuar. Megjithatë, ajo ka qenë e vetmja qeveri kombëtare e dalë nga vetë gjiri i Lëvizjes së Pavarësisë. Ajo mishëroi idealin kombëtar shqiptar dhe me veprimtarinë e saj konkrete, tregoi se shteti i ri shqiptar i ngritur mbi themele kombëtare do të kishte dalë nga stadi embrional, nëqoftëse do të gjente mbështetje në politikën e Fuqive të Mëdha. /Muzeu Historik Kombetar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here