Libri surprizë i Ylli Polovinës, botuar në Prishtinë

Në 324 faqet e librit më të ri të Ylli Polovinës, “Sarajevë, moj motër”, botuar në Prishtinë nga Universiteti AAB, vështrohen me të dhëna mjaft interesante marrëdhëniet historike mes popullit shqiptar dhe atij Boshnjak. Po ashtu raportet diplomatike.
Ngjarjet zhvillohen në Sarajevë.
Në 121 kapitujt e librit trajtohen tema “Fjala Bosna”, “Si u gjet selia e ambasadës”, “Rruga Telali 19, 71000”, “Me kë ngjajnë shqiptarët në Ballkan?”, “Arnautoviç”, “Dizdareviç: “Himni juaj shkon përpara trimërisht”, “Çmimi “Ambasadori më i mirë”, “Prangosje në aeroportin e Prishtinës”. “Himzo Polovina”, “Ku ishte ulur Bill Klintoni”, “Gjergj Fishta në Bosnje”, “Edhe Bekim Fehmiu ka lindur në Sarajevë”, “1 korrik 1990, Ramiz Alia hap kufijtë për kosovarët”, “Orkestra e Teatrit dhe Baletit të Shqipërisë me atë të Filarmonisë së Sarajevës”, “Gjenerali boshnjak Ismet Haxhiç”, “Tuneli “D-B”, “Luftanijet ruse bllokohen në ngushticën e Bosforit”, “Vrasja e fëmijëve”, “Ibrahim Haxhibajriç ose “Obama” i Sarajevës”, “Super surpriza: Fuad Shehbajraktareviç”, “Qylafi i bardhë i Valentin Inckos” etj.

Pjesa teatrore “Svetica Tame”

Çdo vit në Sarajevë organizohet Java e Teatrit, një festival, i cili tërheq shumë vëmendje ndërkombëtare.
Regjisori kroat Gradimir Gojer, dikur ministër i kulturës së Bosnje dhe Hercegovinës si edhe për disa kohë nënkryetar i bashkisë së Sarajevës, i tha një ditë Flamur Gashit se kishte në dorë një projekt, realizimin e të cilit e dëshironte me gjithë shpirt në javën teatrore sarajevase me dukshmëri të lartë për mediat dhe opinionin publik.
Dëshironte të shfaqte pjesën teatrore për Nënë Terezën “Svetica Tame” (“Shenjtorja e errësirës”).
I shpjegoi ambasadorit shqiptar se ndërkohë ajo ishte luajtur për publikun në Maqedoni. Nismëtar i saj qe një sllav maqedonas, Venko Andonovski, i cili kishte thurur tekstin dramaturgjik.
Edhe pse prej autorit ishte hartuar me gjuhën e vendit të vet, Gojer saktësoi se tashmë e kishte edhe një variant të tekstit në serbo-kroatisht, me pak fjalë në gjuhën e përbashkët të dikurshme të ish-Jugosllavisë, e cila përdorej në Bosnje.
Flamur Gashi e njihte shumë mirë këtë gjuhë dhe i kërkoi lëndën e shkruar. Ai që në fillim nuk mëdyshoi për vlerën e asaj që propozonte Gojer.
Pjesa teatrore për Nënë Terezën në mes të festivalit të përvitshëm do të ishte një mundësi e madhe për ta futur shqiptaren Gonxhe Bojaxhiu në qytetin e Sarajevës dhe pak nga pak edhe nëpër qytete të tjera të Bosnje dhe Hercegovinës.
Përse jo edhe në zemër të Republikës Serbska, në territorin e vështirë ku dashamirësia jo vetëm për boshnjakët, por edhe për shqiptarët, qe një ndjesi e lënë mënjanë.
Gjatë bisedës, në të vërtetë, Gradimir Gojer e kishte paralajmëruar mundësinë që diplomati i Tiranës të gjente çdo arsye për ta anashkaluar bashkëpunimin me maqedonasit, pasi dihej që këta të fundit bënin çmos që Nënë Tereza të konsiderohej e tëra bijë e tyre.
I tha Flamur Gashit se shfaqja e kësaj pjese teatrore me skenarist një maqedonas dhe ca më tepër me në rolin e Nënë Terezës një sllave maqedonase, mund të ishte një arsye dhe shkas që diplomati shqiptar të mos i afrohej kësaj nisme të tij.
“Unë dua që këtë pjesë të bukur ta bëj të shikueshme për botën serbo-kroate, tha Gradimir Gojer, Sarajeva dhe java e saj teatrore është vendi i duhur për këtë hyrje të saj”.
Dhe pyeti: “Mos na pengon ndonjë gjë?”
Gashi ia ktheu: “Që autori i dramës është maqedonas, që aktorja e cila luan Nënë Terezën është maqedonase dhe qe pjesa fillimisht është interpretuar në Maqedoni, nuk na pengon fare”.
Tjetri, jo pak i lehtësuar, i tha se tekstin e dramës e pati lexuar edhe kardinali Vinko Puljiç, hierarku më i lartë katolik i Bosnje dhe Hercegovinës dhe kur ia kishte kthyer i pati pohuar se e kishte lexuar për tërë natën.
Madje pati qarë.
Fjalët e tij të fundit kishin qenë: “Më ka tronditur kjo pjesë”.
Pastaj saktësoi se Puljiç jo vetëm qe dakord që “Svetica Tame” të shfaqej në festivalin teatror të Sarajevës kur do të organizohej, pranverë 2014, por për ta shpejtuar këtë proces ishte gati edhe ai vetë të ndihmonte në një përshtatje të tekstit.
Do të ishin ndërhyrje teknike.
Duke qenë se Venko Andonovski ishte një i krishterë ortodoks në disa skena liturgjike të dramës i pati paraqitur ritet e kësaj feje pak të përputhshme me ato të praktikës katolike.
Flamur Gashi e mori tekstin për ta lexuar dhe në shenjë mirënjohje regjisorit kroat me jetesë dhe punë në Sarajevë, Gradimir Gojer, i dhuroi një kopje të albumit më të mirë që deri tani është bërë për Nënë Terezën: atë të dom Lush Gjergjit, kancelar i ipeshkëvisë së Kosovës.
Botimi i tij qe bërë me fonde të qeverisë kosovare, kur president dhe përkujdesës kryesor për këtë nismë ishte Ibrahim Rugova.
Ambasadori Gashi e lexoi pjesën dhe e gjeti atë mjaft të baraspeshuar në paraqitjen e raporteve shqiptaro-maqedonase të lidhjes me jetën dhe veprën e Nënë Terezës.
Venko Andonovski e pati shkruar që në fillim se Nënë Tereza ishte e përkatësisë etnike shqiptare.

Beteja për sponsorizim

Pas tre ditësh Flamur Gashi u ritakua me Gojer dhe i ktheu përgjigjen: qe plotësisht dakord që “Svetica Tame” të luhej në Javën Teatrore të Sarajevës.
Gradimir iu përgjigj se kjo e gëzonte shumë dhe se vendimi i ambasadorit shqiptar do ta bënte mjaft entuziast edhe kardinalin Vinko Puljiç.
Pasi e njoftoi katolikun e lartë brenda asaj dite procedura e nismës mbërriti në pikën e dytë: përballimi i shpenzimeve.
Ajo do të kushtonte 18 mijë euro.
Gjashtë mijë i pati premtuar Puljiç, gjashtë mijë të tjera shoqata kroate “Napredak”, e shumënjohura bashkësi që ndihmon në fushën e kulturës.
“Napredak” (“Përparimi”), gjatë pesë viteve të rrethimit gjakatar serb të Sarajevës qëndroi në qytet, duke përgatitur çdo ditë për të uriturit e saj 2800 racione ushqimore.
Drejtues i kësaj shoqate është një hero, monsinjor Franjo Topiç, ipeshkv, kroat katolik, person me shumëreputacion.
Kështu mbeti të zgjidhej sponsorizimi me gjashtë mijë eurot e treta.
“Nuk e di nëse ju, tha Gradimir Gojer, jeni të interesuar të jepni diçka?”
“Patjetër”, iu përgjigj ambasadori Gashi.
Ndërkaq saktësoi: “Shteti shqiptar do të japë 4000 euro, 2000 le të jenë kontribut i Shkupit”.
Sapo u ndanë ai i bëri shkresë Ministrisë së vet dhe priti përgjigjen.
Kaluan tre javë dhe regjisori i “Svetica Tame”, që me sa duket e kuptoi se në ambasadën shqiptare nuk po ja dilnin dot të siguronin shumën e zotuar, iu paraqit Flamur Gashit dhe i tha: “Ju vë në dijeni se ambasada maqedonase më është ofruar t’i japë të gjitha gjashtë mijë eurot”.
“Në mënyrë absolute jo, ndërhyri diplomati shqiptar, do të japim edhe ne, madje pjesën më të madhe”.
Tjetri e pa me mëdyshje. I shkoi në mend se raporti mes Tiranës dhe Shkupit mund të rregullohej edhe me 3.500 euro për të parën dhe 2.500 për të dytën.
Ia shprehu këtë Gashit.
Ky nuk e kundërshtoi.
E kujtoi sërish Ministrinë e vet të mundësonte këtë financim. Kishte plot arsye të këmbëngulte edhe njëherë tjetër në idenë e vet. Nënë Tereza ishte shqiptare dhe jo vetëm për hir të kësaj simbolike, pjesën më të madhe të gjashtë mijë eurove duhej ta paguante vendi i tij.
Ndërkohë ky raport me ambasadën maqedonase në Sarajevë përcaktonte edhe radhën e shenjave me flamuj që do të vendoseshin në afishet nëpër mjediset publike dhe në media, si edhe nëpër ftesat kryesore të shfaqjes.
Po të kontribuonte ambasada shqiptare me një shumë nën tremijë euro kuqeziu me shqiponjën e zezë do të rrinte në fund të sponsorizuesve, pas flamurit të Republikës së Maqedonisë.
Pritja e një përgjigjeje nga Tirana çdo ditë e më shumë bëhej e pashpresë. I rishpjegonin gjendjen e shtrëngimit të fondeve, pakicën e tyre, ambasadat e tjera që kërkonin për punë jo më pak të rëndësishme.
Kështu mbërriti dita e mbledhjes së parë të trupës, prej të cilit çast, në ditët vijuese, do të fillonte procesi i provave për shfaqje.
Kjo periudhë, deri tek Java Teatrore, tashmë ishte ngushtuar.
Qe vetëm dy muaj.Lexo edhe :  26 nëntor 1912/ Pavarësia e Shqipërisë, Refik Toptani ngre flamurin në Tiranë

Aktori i suksesshëm Ilir Tafa

Ambasadori Gashi mori pjesë në këtë takim solemn, i cili ishte njëkohësisht edhe konferencë për shtyp, por shpirtërisht ndihej mjaft keq.
E dalloi gjendjen e tij të turbulluar aktori Ilir Tafa dhe iu avit fare butë. Kur e gjeti rastin e pyeti përse qe ashtu, mos kishte ndonjë hall familjar.
Flamur Gashi më në fund ia pohoi arsyen.
Tjetri vuri buzën në gaz: “2500 euro do t’i jap unë prej honorareve që marr nga filmi “Lud, zbunjen, normalan”.
Ilir Tafa qe i shumënjohur në trojet e ish-Jugosllavisë për shkëlqimin profesional në serialin zbavitës dhe vetëqortues për të gjithë popujt që përbënin federatën e dikurshme, “Lud, zbunjen, normalan” (“I çmendur, i trëmbur dhe normal”).
Deri në vjeshtë të motit 2013 ky serial përfshinte pothuaj dyqind pjesë.
Iliri erdhi tek ambasadori Gashi pas një ore.
Me paratë kesh.
Ia dha në dorë: “Mos e thuaj kurrë se janë dhuratë e imja, por deklaro ballëlart se i ka vënë Ambasada e Republikës së Shqipërisë!”
Të nesërmen Flamur Gashit i erdhi nga Tirana fondi i pagës së tij mujore.
Mori 1000 euro prej saj dhe i bashkoi me të parat.
Kështu u bënë 3.500 euro.
Ia dorëzoi menjëherë Gradimir Gojerit.

Lajm për Ilirin

19.06.2012, ora 18:58
Prishtinë, 19 qershor – Aktori shqiptar nga Kosova, Ilir Tafa, i cili në Bosnjedhe Hercegovinë, por edhe në vendet e rajonit si Mal të Zi, Kroaci e Slloveni, u bë i njohur për rolin e kosovarit në serinë humoristike boshnjake “Lud, zbunjen, normalan”, javën e kaluar ishte sërish në fokus të mediave boshnjake.
Këtë herë aktori shqiptar ka befasuar opinionin boshnjak për humanizmin e tij të treguar, duke ndarë të gjitha përfitimet nga honorari i projektit televiziv “Lud, zbunjen, normalan”, për Qendrën e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta në komunën e Teshanjit në Sarajevë.
Me këtë rast, krerët institucional të Teshanjit kishin organizuar një pritje të veçantë për aktorin Ilir Tafa i cili shoqërohej nga ambasadori shqiptar në BeH, Flamur Gashi dhe nga arstistë boshnjakë, me ç’rast e falënderuan Tafën për kontributin dhe për humanizmin e treguar.
Nga ana tjetër, aktori Ilir Tafa, i cili është në përgatitjet e fundit si aktori kryesor për fillimin e një projekti filmik që do të xhirohet në hapësirat e ish Jugosllavisë tha se ky është vetëm një gjest i vogël për të rikujtuar dashurinë e fëmijëve shqiptarë të Kosovës karshi fëmijëve boshnjakë.
“Artistët janë krijesa shumë të ndieshme. Unë e ndjej obligim, që kur shoh dikend në nevojë t’i ofroj ndihmën time, me aq sa kam mundësi. Të ndihmosh ata që kanë nevojë, është detyrë njerëzore”, ka thënë aktori Ilir Tafa”.

Konferencë e bujshme shtypi në ambasadën shqiptare

Konferenca e shtypit për vënien në skenë të “Svetica Tame” u mbajt në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Aty u deklaruan aktorët dhe drejtuesit e saj artistikë.
Ishin pothuaj të gjithë aty, nën vështrimin e kamerave të shumë televizioneve.
Po ashtu qenë aty edhe organizatorët, në një farë mënyre edhe donatorët.
Në deklarimin për shtyp pas Selisë së Shenjtë të përfaqësuar nga kardinali Vinko Puljiç, shoqatës “Napredak” nga presidenti i saj Franjo Topiç, qe Shqipëria me ambasadorin e vet Flamur Gashi.
Pastaj rreshtohej Maqedonia e pranishme në atë çast me nënambasadorin Valentin Mitrovski, sepse diplomati i parë i saj, i cili ishte shqiptar, qe kthyer në Shkup për të marrë një detyrë tjetër.
Në këtë konferencë shtypi për herë të parë për publikun u bë e ditur se “Svetica Tame” ishte shkruar nga maqedonasi Venko Andonovski dhe regjisor kishte kroatin Gradimir Gojer.
U shpjegua se titulli i pjesës prej vendasve duhej të nënkuptohej si shenjtorja e shumënjohur botërisht i nxirrte, i shpëtonte, njerëzit nga terri.
Siç u njoftua në konferencën e mbajtur në Ambasadën Shqiptare në Sarajevë, figura e Nënë Terezës luhej prej aktores me origjinë maqedonase Kostandinka Velkovska.
Kjo jetonte në Zagreb dhe punonte në Teatrin Kombëtar të Kroacisë.
U tha se interpretues të tjerë qenë boshnjaket Irena Mulamuhiç dhe Aida Bukva, serbi Dushan Bugarin, boshnjakët Muharem Osmiç, Ahmet Duvnjak dhe Alija Aljoviç, kroati Tibor Oreç.
Në dy role të rëndësishme interpretonte edhe shqiptari Ilir Tafa.

Salla plot me shikues

Në Teatrin Kombëtar të Sarajevës shfaqja u dha dy net me sallën plot.
Pastaj, i shoqëruar edhe nga ambasadori Gashi, u nis për në pikën e dytë më strategjike të Bosnje dhe Hercegovinës: kryeqytetin e Republika Serbska, Banja Lluka.
Kështu Gonxhe Bojaxhiu hyri në tokën e serbëve.
Më pas “Svetica Tame” shkoi në Mostar, në Budva, në Zagreb…
Jepej vetëm për një natë dhe nuk gjeje dot bileta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here