Është një foto e gjetur nga gazetari Ilir Ikonomi në Arkivin Fotografik të Shoqërisë Gjeografike.
“Kjo foto e gjetur në Arkivin Fotografik të Shoqërisë Gjeografike Italiane na jep një ide pak a shumë të qartë nga Tirana e vitit 1940-42. Ishte koha e pushtimit italian dhe qendra e Tiranës kishte disa vjet që kishte përfunduar. Në foto kemi një pamje të rrallë të ndërtesës së Bashkisë, e cila u prish në mënyrë absurde në verën e vitit 1980 për t’i hapur vend ndërtimit të Muzeut Historik Kombëtar. Edhe lulishtja në mes ka qenë shumë më elegante se sa fusha e futbollit në të cilën kullot kali i Gjergjit.
Vini re kodrat që zbresin butë mbi qytet. Për shkak të babëzisë së ndërtuesve, ata që vijnë sot në Tiranë me vështirësi e kuptojnë se ky qytet ndodhet në mes të një lugine të qarkuar nga rrathë kodrash e malesh. Dëmi më i madh që iu bë Tiranës është se asaj iu hoqën kodrat dhe ky proces është shëndoshë e mirë edhe tani që flasim. Kur vizitoi Shqipërinë në fund të vitit 1928, Faik Konica i tha një gazetari: “Hapni një penxhere në Tiranë dhe hidhni një sy jashtë: Ku mund të ketë një natyrë më çuditërisht të bukur se sa brigjet e kaltërta që posi një varg safiresh dhe amethystesh të mëdha e rrethojnë Tiranën?” Provoni sot të hapni një penxhere,” shkruan Ikonomi.