Në krye, duke ftilluar disa çështje të metodës.
Së pari, vetëm konvencionalisht mund ta quajmë shqipe “gjuhën” që flisnin stërgjyshët e shqiptarëve në lashtësi; disa autorë e quajnë atë gjuhë “nëna e shqipes”, të tjerë përdorin termin më teknik parashqipja. Raportet e asaj gjuhe me shqipen mund të mendohen si të ngjashme me raportet, të themi, të gjuhës që flisnin fiset saksone në shek. V (gjuha e poemës Beowulf) dhe anglishtes së sotme.
Kështu tingëllonte në saksonishte lutja “Ati ynë”:
Fæder ure þu þe eart on heofonum
Si þin nama gehalgod. To becume þin rice
gewurþe ðin willa, on eorðan swa swa on heofonum.
Urne gedæghwamlican hlaf syle us todæg
and forgyf us ure gyltas, swa swa we forgyfað urum gyltendum
And ne gelæd þu us on costnunge, ac alys us of yfele. Soþlice.
Parashqipja do të ketë qenë madje, shumë më e ndryshme nga shqipja e sotme, sesa saksonishtja nga anglishtja e sotme; meqë shqipja u fiksua në shkrim relativisht vonë.
Cili nga ne, pa qenë specialist i historisë së anglishtes, do të mund të dallonte në tekstin e mësipërm një formë të hershme të asaj gjuhe?
Së dyti, duhet pasur parasysh që greqishtja dhe shqipja (së bashku me parashqipen) kanë pasur kontakte për një periudhë shumë të gjatë; dhe kanë shkëmbyer fjalë mes tyre në lashtësi, në mesjetë dhe në kohët e reja. Zakonisht, etimologët zotërojnë mënyra e teknika mjaft precize për të përcaktuar kronologjinë e huazimeve, por në rastin e gjuhëve të dokumentuara vonë, si shqipja, këto mënyra jo gjithnjë mjaftojnë.
Nuk është vendi këtu për të hyrë në hollësi, por mjafton të kujtoj se, sa më të vjetra të jenë huazimet, aq më shumë ndryshime fonetike dhe kuptimore kanë pësuar në gjuhën pritëse. Gjithashtu, një fjalë me prejardhje nga greqishtja, e përhapur në të gjitha dialektet e shqipes, do të jetë, pas gjase, më e vjetër sesa një fjalë që ndeshet vetëm në dialektin e Gjirokastrës.
Tani, kush i ka qëmtuar huazimet e (para)shqipes nga greqishtja e lashtë, e mesme dhe e re, ka vënë re që numri i fjalëve që kanë hyrë në parashqipe nga greqishtja e lashtë është shumë i pakët. Disa autorë numërojnë jo më shumë se 20-25 huazime të tilla. Ky numër është skandaloz, po të krahasohet me mijëra fjalë që kanë hyrë në parashqipe nga latinishtja!
Arsyet e skandalit duan kërkuar në praninë masive të kolonive greke në bregdetin shqiptar: Butrinti, Apollonia e Durrësi ishin qytete të mëdha e të dëgjuara, qendra kulturore e tregtare ku greqishtja përdorej në të gjitha nivelet; por kishte edhe të tjera qendra më të vogla.
Nuk ka dyshim që popullsitë ilire dhe epirote të zonave përreth kanë dhënë e kanë marrë me grekët e kolonive, duke shkëmbyer jo vetëm mallra, por edhe fjalë dhe institucione. Nëse shqipja e sotme do të ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i një dialekti ilir që flitej në afërsi të kolonive greke të bregdetit, numri i huazimeve greke të vjetra do të ishte shumë i madh se 20-25 që kanë gjetur etimologët…
Për ta thënë ndryshe: Shqipëria e sotme, sidomos në jug të Shkumbinit, është e mbushur me elemente të kulturës materiale greke të lashtë: ndërtesa, poçeri, zbukurime, armë, sende të kultit, mbishkrime e kështu me radhë, të cilat vërtetojnë se banorët vendas dhe grekët në kolonitë e bregdetit kanë dhënë e kanë marrë rregullisht e për një kohë të gjatë.
Ku kanë përfunduar, atëherë, huazimet nga greqishtja e vjetër?
Disa gjuhëtarë, për ta shpjeguar këtë mungesë, kanë dalë me hipotezën se atdheu i shqiptarëve të sotëm ka qenë disi më në veri të Shqipërisë sot, në një zonë që nuk kishte kontakte të drejtpërdrejta me kulturën dhe gjuhën greke të lashtësisë.
Të tjerë mungesën e huazimeve nga greqishtja e vjetër e kanë konsideruar si provë që shqipja nuk mund të jetë vazhdim i një dialekti ilir të folur në trojet e Shqipërisë së sotme; dhe se shqiptarët rrjedhin prej trakëve, dako-mizëve ose edhe ndonjë popullsie tjetër të mëvetësishme, të Ballkanit parahistorik.
Po a mund të shpjegohet kjo mungesë, me ndonjë mënyrë tjetër?
Ndoshta, po. Mund të parashtrohen së paku edhe dy hipoteza të tjera, sado të diskutueshme, të cilat i japin shpjegim numrit të vogël të huazimeve të parashqipes nga greqishtja e vjetër.
E para: nga këto hipoteza do të formulohej pak a shumë kështu: ata parashqiptarë që jetonin në kontakt të ngushtë me qendrat greke të bregdetit, me kohë u greqizuan krejt; madje edhe ata që nuk u greqizuan plotësisht, përfunduan më pas të romanizuar. Shqipja e sotme është vazhdim i një dialekti të afërt me atë të parashqiptarëve të zonave të ulëta e të bregdetit, por që flitej nga një fis më i izoluar, në brendësi të vendit, i cili nuk iu ekspozua shumë ndikimit grek.
E dyta: hipotezë lidhet drejtpërdrejt me metodat e përdorura për qëmtimin e huazimeve greke të vjetra në shqipe. Natyrisht, të gjithë ata gjuhëtarë që kanë etimologjizuar shqipen, duke filluar nga Gustav Meyeri, i kanë pasur mjetet dhe përgatitjen teknike për të dalluar elementin grek të vjetër në këtë gjuhë. Mirëpo, dihet edhe se ka shumë fjalë anase të shqipes të cilat afrohen etimologjikisht me fjalë të greqishtes së vjetër, por jo aq sa të thuhet me siguri se janë huazime, jo thjesht përkime leksikore; siç mund të bindet kushdo që shfleton një fjalor etimologjik të shqipes.
Në këtë kontekst, më bëri përshtypje tani së fundi një pasazh që lexova në veprën “Athina e zezë” (vol. III), të Martin Bernalit, ku autori vëren se, kur vjen fjala për marrëdhëniet e greqishtes së vjetër me parashqipen, këto marrëdhënie u referohen shkëmbimeve që janë kaq të vjetra në kohë, sa është praktikisht e pamundur të dallohen bashkëpërkimet leksikore prej huazimeve. Ky përfundim i hyn në punë atij autori për të mbështetur hipotezën e vet, gjithnjë të diskutueshme, se bashkëpërkimet leksikore të greqishtes së vjetër me shqipen dhe armenishten (mjaft të njohura në indoevropianistikë), nuk mjaftojnë për të vërtetuar natyrën indoevropiane të fjalëve përkatëse – meqë këto mund të kenë hyrë në greqishte nga një gjuhë semitike dhe pastaj prej greqishtes të jenë përhapur edhe në dy gjuhët e tjera.
Nuk më interesojnë hipotezat e Bernalit, por ideja e tij për një zonë etimologjike të shqipes ku kufijtë midis fondit indoevropian dhe huazimeve tepër të hershme nga greqishtja e vjetër nuk mund të hiqen aq qartë, meriton vëmendje të posaçme.
Nëse është kështu; me fjalë të tjera, nëse ka vend për të kërkuar, në shqipen, një shtresë huazimesh greke të vjetra ende të padiktuara prej etimologëve, atëherë kjo mund të hapte një fushë të re, jashtëzakonisht intriguese, në studimet, sepse këto huazime mund të ndihmonin, sado tërthorazi, për të ravijëzuar edhe një dialektologji sado rudimentare të parashqipes, duke pranuar reflekse të shumëfishta të fonemave të greqishtes së vjetër në këtë gjuhë.
Këtë arsyetim të fundit po e ilustroj me një shembull, disi teknik, nga marrëdhëniet e parashqipes me latinishten. Dihet se grupi bashkëtingëllor ct në huazimet latine është reflektuar, në shqipen, në dy mënyra të ndryshme: jt, në fjalë si drejt (directu), shenjt (sanctus), fryt (frujt > fructus), pajtoj (pactare), trajtë (tracta), shujtë (suctus); dhe si ft, në fjalë të tipit luftë (lucta), ftua (cotoneum), dëftoj (dictare), troftë (*trocta); në një kohë që në rumanishten refleksi i këtij grupi ka qenë rregullisht pt: lupta (lucta), drept (directu), frupt (fructus), etj. Një gjuhëtar italian, Paolo Di Giovine, refleksin e dyfishtë të grupit latin ct në shqipen e ka shpjeguar si rezultat të dallimeve gjeografike ose dialektore; duke parë te ct > ft një rezultat më “lindor” (të krahasueshëm edhe me ct > pt të rumanishtes), dhe te ct > jt një rezultat më perëndimor, të krahasueshëm me forma të latinishtes që flitej në perëndim të Ballkanit, e pikërisht në Dalmaci.
Siç ndodh rëndom në shkencë, një anomali u bë kështu shkas për të çelur rrugë të reja në analizat gjuhësore e për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë dinamikat ose baticë-zbaticat e parashqipes në Ballkanin e lashtësisë. Në këtë fushë, jam i sigurt se studimi i përkimeve leksikore midis shqipes dhe greqishtes së vjetër do t’u japë përgjigje shumë pyetjeve të mbetura ende pezull në albanologji; madje edhe në helenistikë e më tej, në dialektologjinë indoevropiane.
Nga: Ardian Vehbiu – Peizazhe të fjalës