Nga Ylli Polovina

Në Luftën e Parë Botërore, kur Berati ishte pushtuar nga austro-hungarezët, Haki Stërmasi kishte një qen të vogël, të cilin e thërriste Foksi. Ngjitur me shtëpinë e tyre, në lagjen Murat Çelebi, ndarë prej një muri, banonte një ushtarak austriak. Ai merrej edhe me veprimtari civile, sidomos me regjistrimin e fëmijëve të varfër, kryesisht jevgë, në shkolla të caktuara në Vjenë apo qytete të tjera të vendit të tyre. Ky oficer i lartë austriak, i cili që nga përtej murit e ndiqte përherë me vështrim Foksin e vogël, një ditë i tha Hakiut: “Këtë qen e dua unë”. Hakiu refuzoi prerë, por tjetri e përsëriti kërkesën e tij me shumë vendosmëri. Madje edhe të nesërmen. Duke parë të birin që nuk lëshonte pe, e ëma i ra në gjunjë, duke i thënë: “Të keqen nëna, të kam djalë të vetëm, jepua qenin se për ata është njëlloj, do ta marrin”.

Më në fund Hakiu ia dha.

Austriaku e mbajti një javë duke u gëzuar me të dhe më pas nguli në mes të oborrit një hu dhe nisi ta stërviste. Njëra prej lodrave ishte ajo me shportë. Foksi u mësua që shtrënguar fort në gojë të mbante dorezën e një shporte, brenda të cilës austriaku vendoste gjëra të ndryshme, të cilat peshonin jo pak. Pastaj këtë shportë t’ia sillte të zotit kudo ku ndodhej, edhe njëqind metra larg.

Katër dekada më pas, në vitet 1958 apo 1959, skuadra e futbollit e Beratit rrezikonte të binte nga kategoria. Ndeshja kyç do të bëhej me Durrësin në fushën e tij.

Për të mbështetur skuadrën shumë tifozë beratas shkuan edhe me biçikleta.

Në përfundim të ndeshjes, në kthim, një nga tifozet beratas gjeti një këlysh pranë stadiumit dhe e solli në qytet. Ishte djalë i lagjes Murat Çelebi.

Një ditë Bardhyli, njëri prej djemve të Hakiut, i pasionuar pas gjahut, e takoi tek Diga bashkëlagjasin që kish këlyshin dhe iu lut t’ia jepte. Tjetri nuk pranoi.

Në muajin nëntor djaloshi shkoi ushtar për tre vjet. E ëma e tij nuk i kishte kushtet për ta mbajtur këlyshin dhe ia dhuroi Bardhylit. Hakiu, i gëzuar edhe ai, ia tha të birit që në kujtim të qenit të tij katër dekada më parë t’i vinin emrin Foksi.

U tha dhe u bë.

Që ditët e para, pasi u ambientua me ta, Foksi nisi të kryente disa veprime pa ia mësuar askush. Ishin lodra rufjanësh.

Në shtëpinë e Stërmasëve një ditë patën ardhur shumë gra, komshi të tyre. Kur ato u ngritën për t’u larguar, njërës i mungonte një këpucë.

Hakiut i shkoi menjëherë mendja se këtë marifet e kish bërë Foksi, i cili rrinte shtrirë në krye të shkallëve, ku edhe qenë vendosur këpucët. Prandaj edhe iu drejtua këlyshit: “Ti maskara e ke bërë këtë marifet? Shko sille këtu këpucën!” Foksi, si i zënë në faj, u ngrit dhe pas disa sekondash u kthye me këpucën në gojë.

Të gjithë u habitën me këtë veprim.

Kur Bardhyli u kthye nga fshati ku punonte si mësues, i ati i tregoi për këtë veprim të Foksit.

Qysh nga ajo ditë Bardhyli i filloi stërvitjen. Fillimisht me objekte te ndryshme duke ia fshehur dhe e urdhëronte ta gjente e t’ia sillte. Foksi që në fillm tregohej shumë i bindur dhe i zbatonte urdhrat me përpikmëri e për këtë shpërblehej me diçka të mirë për të ngrënë.

Pasi mësoi disa veprime, filloi ushtrimi me shportë si austriaku. U porositën tek arixhinjtë tre shporta me madhësi të ndryshme.

Fillimisht iu mësua veprimi i kapjes së shportës e kur Foksi e perfeksionoi këtë veprim, disa metra larg banesës së tyre, në brendësi të saj, futeshin objekte të ndryshme dhe urdhërohej ta çonte në shtëpi.

Duke u larguar gradualisht nga banesa dhe duke e rritur distancën si edhe peshën, Foksi arriti ta sjellë atë në shtëpi pa probleme.

Vetë nuk peshonte më shumë se 20-22 kg., por arriti të mbante në gojë, tek doreza e fortë prej druri e shportës, një peshë gjer në 6 kilogramë.

Hakiu, si edhe tre djemtë e tij, nga banesa e tyre në lagjen Murat Çelebi për të blerë ushqime të ndryshme kalonin tërë rrugën ndërmjetëse për të shkuar në pjesën tjetër të qytetit, atje ku ndodheshin pazaret si edhe tregtorja e madhe. Ia vinin ushqimet, përfshi edhe vezët delikate, në shportën me thupra dhe Foksi i vetëm nisej në rrugën e gjatë deri në shtëpi, në anën tjetër të Beratit. Asgjë nuk i binte nga shporta dhe askush nga kalimtarët nuk vinte dorë t’ia prekte. Të rritur të qenë apo edhe fëmijë çamarrokë. Qeshnin miqësorë me të, i gëzoheshin shumë atij mjeshtri akrobacie. Por edhe zakonit të bukur të qytetit të tyre për të mos vjedhur beratasi beratasin.

Të gjithë banorët i mbushte me kërshëri fakti se Stërmasët i vinin në shportë edhe mish të freksët të blerë në dyqan, të mbuluar me një napë dhe Foksi nuk e trazonte fare.

Ky personazh i njohur jo vetëm në Berat por edhe më gjerë, në rrugëtimin e tij të famshëm mes për mes qytetit në ndonjë rast shqetësohej vetëm nga qentë e Memecit të Dines, të cilët rrinin tek Kisha e Shën Mërisë afër Urës së Goricës dhe prisnin të zotin të ngjiteshin deri lart, në shpellë.

Por lehjeve dhe skërmitjeve të tyre Foksi u përgjigjej me kanosje e nuk e linte shportën. Ata largoheshin për t’i hapur rrugën vetëm kur u fliste Memeci dhe Foksi më në fund kthehej i qetë në shtëpi.

Në një rast Bardhyli i hipi urbanit për të shkuar në qendër të qytetit. Foksi, i cili ishte me të, hipi edhe ai në autobuz. Faturinua e pa dhe i tha shoferit ta ndalte makinën. Pastaj e urdhëroi Bardhylin ta zbriste qenin.

Por ndodhi habia: shumë pasagjerë që, si gjithë beratasit, e njihnin Foksin, ndërhynë menjëherë që kjo të mos ndodhte. Mbi fatorinën ra edhe protesta e shoferit, i cili edhe ai nuk qe dakord ta zbrisnin Foksin nga autobuzi. Ky shtypi marshin e makinës dhe ajo eci përpara, drejt qendrës.

Kur zhvillohej debati për të, udhëtarëve u ra në sy që Foksi i drejtonte syte sa nga Bardhyli tek faturinua. Dukej i egërsuar.

Ai ishte natyrë e qetë dhe shumë miqësor me të gjithë, por po të guxoje të prekje një nga pjestarët e famijes, të cilin shoqëronte, bëhej nervoz dhe i shkonte në ndihme të zotit. Megjithatë kurrë nuk kafshonte askënd.

Më vonë kësaj ngjarjeje, kur hipte në autobuzin urban me dikë që shoqëronte, Foksi futej nën sedilie dhe kështu fshihej nga faturinua. Ndërkohë ai u bë akoma edhe më shumë i njohur në një ndeshje futbolli midis Tomorit dhe Partizanit.

Sulmuesi i djathtë i Partizanit goditi dy herë shtyllën nga distanca e për çudi topi përfundoi përsëri në këmbët e tij. Me triblime të bukura ai iu afrua portës, por në çast Foksi i urdhëruar nga një shok i ngushtë i Bardhylit, kapërceu gardhin përreth fushës dhe me shpejtësinë e një plumbi pushke i doli para lojtarit të Partizanit dhe ia mori topin.

Pastaj me qetësinë më të madhe u ul dhe po përpiqej t’i fuste dhëmbët në lidhëset e topit. Më pas duke u krekosur, me top në gojë, kaloi përmes fushës dhe u drejtua nga tribuna, atje ku ish i zoti me shokët e tij. Gjithë stadiumi u çua në këmbë duke brohoritur njëzëri: Foksi, Foksi!

Dy policë që mbanin rregull në stadium, e shoqëruan Bardhylin për në Degën e Punëve të Brendshme, por fatmirësisht sa dualën nga dera u ndeshën me shefin e Policisë së rrethit, i cili e njihte mirë Bardhylin si mësues dhe gjahtar.

Ky urdhëroi ta linin të lirë.

Kohë më vonë, gjatë viteve shkollorë 1967-1971 Bardhyl Stërmasi punoi si mësues dhe zv/drejtor në shkollën e Lapardhasë, e cila si gjithë shkollat e tjera kishte këndet e gjalla me kafshë e shpendë dhe Foksi kohën e pleqërisë po e kalonte i qetë aty.

Në janar të vitit 1971 Bardhyli u transferua si zv/drejtor i konviktit të Shkollës së Mesme Industriale e nuk mundi ta merrte Foksin për një periudhë kohe.

Një dite ai u kafshua nga një qen i tërbuar dhe u mbajt në vëzhgim prej mësuesit të biologjisë, i cili kur vuri re se Foksi po shfaqte shenja tërbimi, njoftoi Bardhylin dhe ky i fundit i tha një shokut të tij gjahtar nga Lapardhaja ta vr iste.

Kështu edhe ndodhi.

U mbyll tragjikisht por edhe mjaft trishtueshëm historia e Foksit, qenit të famshëm dhe mikut të ngushtë të beratasve./Fjala.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here