Pandemia po thyen të gjitha rekordet e deritanishme
Pas dozës së tretë duhet edhe e katërta dhe këtë e rekomandon Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, teksa shifrat e pandemisë po japin shenja rritjeje edhe në këtë vend ashtu si në Europë.
Doza e katërt duhet t’u jepet personave me imunitet të dobët, si të moshuarit apo ata me sëmundje të rënda, 6 muaj pas dozës së tretë. Edhe doza e tretë përforcuese u rekomandua në fillim për këto kategori, por autoritetet në shumë vende e panë të udhës t’ua injektonin gjithë popullsisë, për mbrojtje më të madhe ndaj mutacioneve.
Për më tepër, vala e nisur me variantin Delta në Korrik, pavarësisht një periudhe të shkurtër rënieje të infektimeve po rigjallërohet sërish me lehtësimin e masave, ndoshta edhe me rënien e efektivitetit të dy dozave të para.
Gjermania shënoi këtë të enjte një rekord të ri ditor me mbi 28 mijë infektime. Tërheq vëmendjen edhe Ukraina që vendosi rekord të ri ditor për gjithë periudhën e pandemisë më mbi 26 mijë infektime.
Rekord vjetor infektimesh edhe në Austri, teksa në rritje shifrat janë në gjithë Europën. Nga kjo e enjte, hyn në fuqi bllokada e re në Moskë, teksa në gjithë Rusinë u shënua rekord i ri për gjithë pandeminë si për viktimat ashtu edhe për infektimet.