Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve të Trepçës në marshin e vitit 1988. Për këtë arsye, më 20 shkurt 1989 rreth orës 13:00 minatorët e ndërrimit “D” filluan grevën brenda në minierë. Gjatë ditës ndërrimi “A”, “B” dhe “C” iu bashkuan grevës, e cila zgjati për tetë ditë.
Miniera e Trepçës ka 12 horizonte nën tokë deri në 1000 metra. Të shpërndarë në horizonte, pak pas fillimit të grevës u caktuan kujdestarët e horizonteve.
Horizonti i tetë ishte kryesori, ku vinin vizitorët dhe mediet gjatë grevës.
Në intervistën e historisë gojore Avdi Uka përshkruan:
“Çka me bo zgjidhje, veç duhet me hi në grevë. Në sipërfaqe s’na lanë, hajde hinëm na minatorët, mes veti, une kom folë me ty, ti ke folë me këto, kjo ka fol me ato, buu {onomatope} mrena… Del ndrrimi i parë, del i dyti, vjen i treti, vjen i katërti jonë tubu krejt, 1300 minatorë, tetë ditë e tetë netë.”
Fotografia është marrë nga libri “Greva e minatorëve të ‘Trepçës’ në Stantërg” nga Mustafë Haziri, f. 33.
Tregime për grevën e minatorëve të Trepçës mund t’i hulumtoni në arkivën tonë dixhitale. /Oral History Kosovo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here