Shqyrtuar në kontekstin kohor mund të themi se Hamurabi ishte nga të paktët prijës që ndërtoi sundimin e tij mbi parimet e ligjësisë dhe drejtësisë. Hamurabi (1792-1750 p.e.s.) rridhte nga një fis semit endacak, i vendosur prej pak kohësh në Babiloni. Ai trashëgoi një mbretëri të vogël (rreth 130 km të gjatë dhe 30 km të gjerë), e rrethuar nga qytet-shtete më të fuqishme dhe të vjetra. Hamurabi priti me durim 5 vjet dhe konsolidoi forcat përpara se të përpiqej për të zmadhuar territorin e tij. Kur, më në fund, sulmoi, ai e bëri një gjë të tillë nga tri drejtime në të njëjtën kohë, duke u hequr kundërshtarëve mundësinë për tu bashkuar kundër tij.

Hamurabi u bë zot i mbretërive të Sumerit dhe të Akadit, ndërsa shumë qytete bashkuan forcat e tyre për ta luftuar. Jo vetëm që Hamurabi i mundi ato, por ai e konsolidoi pushtetin në Mesopotami deri në ditën që mundi të shpallej “Mbreti gjithëpushtetshëm, Mbret i Babilonisë, Mbret i vendit të Amurusë, Mbret i Sumerit dhe i Akadit, Mbret i 4 Rajoneve të Botës”.

Duke pushtuar 4 rajone të fuqishme, Hamurabie bashkoi Mesopotaminë në një perandori, të drejtuar nga një legjislacion i vetëm. Mbretërimi i tij 43-vjeçar solli paqen dhe unitetin në një perandori, që qeverisej nga kryeqyteti i tij, Babilonia, dhe vendosi hegjemoninë e semitëve në rajon. Pallati i mbretit kontrollonte administratën e madhe të përqendruar dhe u bë një kompleks madhështor ndërtesash, i cili, për nga shkëlqimi dhe përmasat, nuk mbetej mbrapa tempullit.

Ndonëse Kodi i Hamurabit nuk konsiderohet më si kodi i parë mesopotamik, ai mbetet më i ploti. Kodi, i cili plotësohet nga një koleksion i madh pjesësh arkeologjike dhe dokumentare, na jep një ide të saktë për Mesopotaminë e shekullit XVIII para erës sonë dhe tregon se Hamurabi nuk ishte vetëm një prijës i madh ushtarak, por edhe një burrë shteti dhe administrator i paanshëm.

Hamurabi ka bashkuar nën një sistem të vetëm qeverisës grupe popullatash shumë të ndryshme, që kishin ligje dhe zakone të veçanta. Akadishtja u bë gjuha zyrtare, duke zëvendësuar sumerishten, e cila vazhdoi të ruhej si gjuhë liturgjike. Priftërinjtë shkruan Poemën e Krijimit, e cila paraqet Mardukun, perëndinë e Babilonisë, si hyjninë më të lartë. Por, megjithatë, besimet e vjetra sumere nuk ndryshuan fare dhe pak nga pak tempujt e të gjitha perëndive u restauruan. Mbreti interesohej personalisht për jetën administrative dhe guvernatorëte provincave duhej t’i nënshtroheshin kontrollit të tij. Megjithatë, çështjet e zakonshme lokale, drejtësia për krimet ordinere dhe mbledhja e taksave administroheshin nga asamble lokale, gjë që u jepte qyteteve, në dukje, një farë autonomie.

Kodi i Hamurabit tregon se shoqëria babilonase ishte e ndarë në tri klasa. Çmimi i shërbimeve dhe sanksionet ndryshonin sipas pozicionit të personit në hierarkinë shoqërore. Skllevërit konsideroheshin si pronë e të zotërve të tyre dhe ndihma ndaj një skllavi që kërkonte të arratisej, dënohej në mënyrë të rreptë.

Krahasuar me kodet sumere të mëparshme, dënimet që përcaktoheshin në këtë kod, ishin të rrepta. Ato shkonin deri te gjymtimi trupor ose te dënimi me vdekje. Kur viktma ose akuzuesi ishin njerëz të lirë, ligji i Talionit, “sy për sy, dhëmb për dhëmb”, zbatohej me përpikëri. Kirurgëve që shkaktonin humbjen e një syri, u hiqej një sy. Nëse një ndërtesë rrëzohej, dhe zinte brenda djalin e pronarit të saj, atëherë, edhe djali i ndërtuesit duhej të vdiste. Por ligji mbronte më të dobëtit: gratë, fëmijët dhe skllevërit kundër abuzimeve të të fuqishmëve. Ai ua priste hovin burrave që kërkonin të divorcoheshin pa të drejtë nga gratë e tyre të virtytshme, duke kërkuar kthimin e pajës. Një burrë duhej të plotësonte nevojat e gruas së tij të sëmurë derisa ajo të vdiste, ndonëse ai mund të rimartohej. Ligji kërkonte që baballarët tua mësonin profesionin e tyre fëmijëve dhe pronarët duhet të ushqenin djemtë dhe vajzat e skllevërve të tyre, kur ata pranonin atësinë. Gjithashtu, Kodi i Hamurabit tregon se disa persona në shërbim të mbreti merrnin prej tij toka, desh dhe gjë të gjallë. Këto dhurata nuk mund të shiteshin, por mund të trashëgoheshin nga djemtë. Ato nuk ishin vetëm një shpërblim për shërbime të kryera, por bënin pjesë në një sistem, që i lejonte mbretit të kishte një grup mbështetësish, të cilët i qëndronin besnikë në mënyrë të sigurt

Duhet të përmendet edhe personaliteti i Mardukut, që ishte Perëndia heroike, që rivendosi rregullin në një univers kaotik.Teksti babilonas “Enuma Elish” paraqet në vija të trasha historinë e Krijimit dhe rolin e Mardukut, të cilin perënditë e zgjodhën për të luftuar dhe për të shkatërruar Tiamatin, nënën e perëndive, kur ajo vendosi të vriste fëmijët e saj. Marduku e vret Tiamatin dhe e shqyen trupin e saj dhe, me njërën gjysmë formoi qiellin (Parajsën) dhe, me gjysmën tjetër, Ferrin. Marduku përcakton kohëkalimet e Diellit dhe të Hënës. Ai krijon Njeriun për t’u shërbyer perëndive “me qëllim që ato të jetojnë në mënyrë komode” dhe vendos lidhjet e gjakut për të mbajtur në tokë një rregull që reflekton rendin e ri të universit. Tregimi mbi Krijimin recitohej ditën e katërt të Festës së Vitit të Ri. Ai i paraprin zhvillimit të Babilonisë dhe vazhdoi të bënte pjesë në kulturën mesopotamike gjatë shekujve, ndërkohë që perandoritë lindnin dhe zhdukeshin dhe emri i perëndisë-hero ndryshonte sipas kulturave mbizotëruese.

Arkivat e Pallatit të Marit, qytet i afërt dhe i fuqishëm, i qeverisur nga Zimri-Lim, tregojnë se Hamurabi e përdorte diplomacinë po aq sa edhe armët, për të mundur kundërshtarët e tij. Për sa kohë që dy shtetet kërcënoheshin nga forcat e fuqishme të Veriut, Hamurabi dhe Zimri-Lim qëndruan aleatë. Ata mbikëqyreshin në mënyrë të ndërsjellë në saje të rrjetit të tyre të spiunëve, i cili i informonte për atë që kurdisej në pallatin tjetër. Kur Hamurabi u bë zot i Marit, ai e la në fillim Zimri-Limin në fron, por duke e detyruar të paguante haraç. Dy vjet më vonë, një revoltë e Marit përfundoi me një përgjigjetë dhunshme të Hamurabit dhe me sanksione të rënda. Muri rrethues dhe pallati i mrekullueshëm u shkatërruan.

Kodi i Hamurabit, i konsideruar për një kohë të gjatë si më i vjetri në botë, tashmë, shihet si përmbledhje e traditave të hershme mesopotamike. Një nga veprimet e para të çdo ligjvënësi të ri ishte riafirmimi i ligjeve të paraardhësit të tij. Nëse gjatë mbretërimit të tij, mbreti ndryshonte një ligj ose jepte një gjykim, i cili nuk kishte precedent gjyqësor, vendimet mbretërore regjistroheshin dhe mblidheshin në një kod. Aty nga fundi i mbretërimit të tij, Hamurabi urdhëroi që këto ligje të gdhendeshin në shtylla të vendosura në tempuj, me qëllim që të dëshmonin për rolin e tij si “Mbret i së Drejtës”. Një nga këto shtylla prej bazalti të lëmuar, është zbuluar në vitin 1901 nga arkeologë francezë. Pas një prologu të gjatë, që ngre lart veprimet fetare të sundimtarit, kjo shtyllë numëron 282 nene ligjesh, të cilat i përkonin një numri të madh krimesh.

Mbreti Hamurab e luante rolin e tij si mbrojtës i ligjit me më seriozitet se qeveritë e sotme, sepse ai zëvendësonte të gjitha mallrat e vjedhura, nëse administrata e tij nuk arrinte të gjente hajdutin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here