6.1 C
Pristina
Monday, October 25, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Dionisi - ''Një ndër mbretërit apo heronjtë ilirë apo pellasdo-ilirë është Dionisi,...

Dionisi – ”Një ndër mbretërit apo heronjtë ilirë apo pellasdo-ilirë është Dionisi, i cili shquhet sidomos për ndërtimin e fortifikatave ilire në të dy anët e Adriatikut..”

Prof. Dr. Rexhep Doçi

Një ndër mbretërit apo heronjtë ilirë apo pellasdo-ilirë është Dionisi, i cili shquhet sidomos për ndërtimin e fortifikatave ilire në të dy anët e Adriatikut. Ai e ndërtoi edhe fortifikatën ose kështjellën e shquar në Lezhë. Gjurmët e kësaj kështjelle ruhen deri me sot si vazhdimësi paraantikë-sot në rrënojën krenare si mburojë dikur përmbi qytetin e sotëm të Lezhës, ku është mbajtur edhe Kuvendi i Mirënjohur i Lezhës së Skënderbeut, dhe ku prehet trupi i pajetë i Herojit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Studiuesi arbëresh apo shqiptar i Greqisë i ditëve tona, Niko Stylo, siç duket një njohës i mirë edhe i greqishtes, e shfaq mendimin e tij se emri Dionis “…përbëhet nga fjalët Dio=Dy dhe nisa=nisja e dialektit jonik, fjalë të cilën e përdor dendur Homeri…Nga Diodori shkëpusim një fragment: Mitografët na dhuruan edhe një lindje të tretë të Dionisit, sikur lindi nga Dia dhe Dhimitra (G.62, 6). Lindjen e Dionisit, Herodoti e cakton rreth vitit 2050 p. e. s., d.m. th. 1600 vjet para se ta shkruante librin Ιστορια datim që përkon edhe me të dhënat e Josipit”. Për Dionisin flet edhe Johan von Hahn-i, për të cilin thotë: “Diedori ka përshkruar të bëmat e Dionisit të parë dhe mitet e tjera dhe këto i shkruajti me shkronja pellazgjike. Po në këtë mënyrë, këto shkronja i kanë përdorur Orfeu dh Pronapidesi, mësuesit e Homerit…”. Janë me interes edhe disa të dhëna, që na i ka lënë Ludwig v. Thaloczy po për Dionisin (Deonis, Dionigi), p. sh.: “Tirani i Syrakusës (405-368), i quajtun Denysi Plak, për dallim nga i biri e pasardhës i tij Denis’ i ri…

Nuk vonoi shumë e u ba gjeneral e kryegjeneral (strateg) i Sirakusës. Themeloi në bregun linduer Lezhën. (Komentim mbase i përkthyesit M. Molika-Kruja). Prof. Karl Patsch-i jep me aq hollësi themelimin e këtij qyteti të Shqipnisë prej Denysit…Teksti ynë gjermanisht e ka Dyionisios, ngjeti po gjermanisht e gjejmë të shkruem Dionis. Frengjët e shkruajnë Denyse. Italianët e quejnë Dionigi. Emni në mitologjinë greke (Baku i latinëve) shkruhet ke teksti ynë Dionisius. Emnat janë, njani historik e tjetri mitologjik”. Edhe disa dëshmi të forta të J. v. Hahnit flasin për prejardhjen ilire farefisnore, gjuhësore dhe profesionale të Dionisit. Kështu, “Tregimi i Dionizit të Halikarnasit ka nji ngjyrë ma historike, na duket fare e mundshme që ata pellazgë të Tyrenit (po rikujtojmë se toponimi Tyren gjasët janë që ka të bëjë me fjalën e protoshqipes tur>thur për mur-R. D.), të cilët ndërtuan një pjesë të mureve të Akropolit të Atenës, kanë qenë nga Iliria. Prandaj nuk mund të besojmë që ky fis emnin e tij e ka marrë prej disa kolonëve të Sirakuzës nëpër ishujt e Ilirisë, ose prej faktit që Dionizi ndërtoi Lezhën, sepse asht zor që ndonjë fisnik grek të jetë vetëquajtur me këtë emër barbar”. Për prejardhjen e emrit Dionis, nga sa thamë edhe më sipër, ne mendojmë se ekzistojnë dy hypoteza, që të dya me prejardhje prej protoshqipes apo shqipes së sotme, porse unë do të shtroj edhe një tezë të tretë, që si për nga kuptimi ashtu edhe fonetika e morfologjia historike është kujtoj më bindëse.

1. N. Stilo e shtron tezën, pas së cilës: ”Emri Διας (Dia) shënon i dyti dhe Διoνιύσoς (Dionisos) shënon i dyti i fillimit të ri prej δuo = dy dhe νυσa = nisja (sipas dialektit jonik, fjalë të cilën e përdor dendur (Homeri)…Nga Diodori shkëpusim një fragment: Mitografët na dhuruan edhe një lindje të tretë të Dionisit…”. Këtu sikur kuptojmë se ekzistonin tre njerëz me emrin Dionis. Ndërsa sipas L. v. Thalloczy-t, ekzistonin dy Dionisa, Denysi Plak, për dallim nga i biri e pasardhës i tij Denys’ i ri, që i kuptojmë në gjenealogji dy Dionisa, dhe se, po sipas L. v. Talloczy-t, kur është fjala për emrat e këtyre dy Dionisave, “Emnat njani ishte historik e tjetri mitologjik”. Edhe J. von Hahni kur thotë, si thamë më sipër, se Diedori ka përshkruar të bëmat e Dionisit të parë, kuptojmë se bëhet fjalë për dy Dionisa, pra edhe për Dionisin e dytë.

2.Hipoteza e dytë për prejardhjen e antroponimit të moçëm Dionis është që, sipas Mojkom Zeqos, “Dionis Duaos, hy i ilirëve paionë. Dijetarëve ua ka tërhequr vemendjen cilësimi i tij, që është shpjeguar nga Jokli e Çabej me fjalën shqipe dej, me u de. Në të parakuptohen edhe ceremonitë e karakterit dioniziak, ku njerëzit pinin dhe deheshin”.

Për etimologjinë e mbretit apo zotit ilir Dionis, ngjashëm porsi M. Zeqo, e jep një mendim edhe Zaharie Majani, por e sheh Dionisin të pranishëm në Trakë, me emrin e të cilit thotë se ekzistonte edhe një qytet, ngase shton: “…ky qytet gjithashtu ishte një Dionisia, ashtu si Popullonia. Në Trakë Dionizin e njihnin në formën e tij më arkaike, në pamjen e një kafshe, demi dhe perëndi me brirë demi. Kreçmerit i dukej pak e besueshme prejardhja greke e këtij emri, ai vë në dukje variantin Deonysos dhe variantin e zanoreve i/e e shpjegon si diçka të zakonshme për dialekte trakase dhe maqedonase…Le të kthehemi përsëri te emri Deonysos, e ndofta Denys(os), dhe të krahasojmë me foljen shqipe dëni (dehem), koha e tashme e së cilës ka qenë dikur denio, siç thotë G. Majeri, që pranon edhe gotikën dauns (flurim) dhe fjalën dejun (i dehur)”.

3. Po e rrumbullaksojmë burimin e antroponimit ose perëndisë pellasde-ilire Dionis me tezën mbase më të përafërt në kontinuitet, si në pikëpamje të kuptimit të mirëfilltë gati krejt të humbur ashtu edhe të fonetikës historike. Trajtat krahasuese që i ka pasqyruar L Talloczy edhe në gjuhë të huaja: Deonis, Denys, Dyonisos, Diois, Donigi, Dionisius, Dionizius, ku shihen më tepër te pjesa e parë shembuj me Dy e Di se sa me De (ndonse u tha se alternimet apo shkëmbimet i/e janë të zakonshme në të folme), antroponimi apo antroponimet e dikurshme pellasde-ilire apo pellasde-thrakase të kësaj fare, edhe si antroponim i përtërirë në gjenealogji, gjasët janë se më parë mund të kenë prejardhje prej fjalëve shqipe, përkatësisht prej dy numrorëve: Dy + ni(s), se sa prej fjalës shqipe i, e dehur “i mpirë prej pijës alkolike”, ose numrorit Dy dhe foljes shqipe nisje. Si përforcim për prejardhjen e dy apo tre Dionisave mbretër ilirë, po e shfaq edhe mendimin që, njëherë kanë qenë dy Dionisa, ndoshta Dionisa bineq, para se të bëhen tre, të lind vëllai i tretë Dionis, apo më parë mund të supozojmë se kanë qenë Dionisa treneq si dinasti – mbretëri ilire, ngjashëm si emri i mbretëreshës ilire Triteuta. Edhe ana krahasuese e fonetikës historike shqipe e pjesës së dytë tek emri Dionis, pjesa e dytë e lashtë –nis, një –s arkaike më vonë ka dhënë në shqipe –sh, pra nis>nish (numrori njish-njësh).

Pra, antroponimin e moçëm Dionis mund ta krahasojmë me antroponimin e sotëm Binak dhe matronimin Binake. Dhe, ky numror një i formanteve të shumta të mundëshme gjatë historisë nak, nek, nik (me prapashtesën indoevropiane –k), njâ, një, i etj., mund të kërkohet te shumë patronime dhe te disa oikonime të sotme të Kosovës dhe më gjerë, prej të cilave po i cek oikonimet: Nagafc i Rahavecit, Nakell i Pejës, Nakaradë i Fushë Kosovës, Nashec i Perzerenit, Nec i Gjakovës, Nekofc i Drenasit, Neqafc, Nikaj e Nikofc të Kaçanikut, Nishefc i Prishtinës, Nishor i Therandës, Nishi në Serbi, etj. Për disa emërtime të tilla nga këta dy numrorë të shqipes një e dy kam bërë fjalë edhe më gjerësisht në veprën time: “Pellasdët (pellazgët) gjyshër të ilirëve dhe stërgjyshër të shqiptarëve”, por, do t’i përimtoj me të dhëna të reja dhe bindëse etimologjitë e tyre në projektin që e kam paraparë: “Prejardhja e emrave të katundeve të Kosovës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

A e dini historinë e mozaikut ‘Bukuroshja e Durrësit’?

Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua në vitin 1918 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker dhe daton në shekullin e katërt para Krishtit....

”Kthjelltësia a qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën..”

BORA Kthjelltësia a qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën. Vjeshta e trishtueshme erdhi dhe iku. Tani...

Historia/Njihuni me dy njerëzit që mund të kishin parandaluar Luftën e Parë Botërore

Ne jemi larg dëshirës për luftë. Përderisa po zhvillohen negociata me Austrinë për llogari të Serbisë, trupat e mia nuk do të...

Zbulohet letra e rrallë e Skënderbeut në arkivat e Shuteriqit

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ishte vetëm Atleti i Krishtit, njeriu që mbajti larg dyerve të Europës Perandorinë Osmane, por edhe një njeri...

Recent Comments