Një nga gabimet që herë pas here bëhet, në historikun e kinematografisë shqiptare (edhe në botime), dhe kohëve të fundit, është viti i premierës së filmit bashkëprodhim shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu” (në origjinal sipas siglës “Luft ëtari i math i Shqipërisë SKËNDERBEU”). Premiera e këtij filmi nuk është viti 1954, por viti 1953.
Ideja për një bashkëpunim kinematografik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik lindi që në vitin 1949. Pastaj skenari u mendua, u shkrua dhe u përpunua katër vite, me konsulentë dy nga historianët me të njohur të kohës, të shteteve respektive. Filmi u xhirua përgjatë vitit 1953. Premiera botërore u dha në një datë, me 28 nëntor 1953, njëkohësisht (në kohëreale) në Tiranë e Moskë. Filmi në vitin 1954 u dha në Festivalin e Filmit të Kanës.

E rëndësishme e edicionit të 7-të të Festivalit të Filmit në Kanë ishte pjesëmarrja e filmit “Skënderbeu”. Jurinë e kategorisë së filmit me metrazh të gjatë e udhëhiqnin personalitete të njohura të kohës, si poeti, dramaturgu, skenaristi, kineasti Jean Cocteau, skenaristi Jean Aurenche, teoricieni e kritiku i filmit André Bazin, kineasti spanjoll Luis Buñuel, regjizori e skenaristi Henri Calef dhe të tjerë, të tjerë.
Në konkurrencë ishin 43 filma të kinematografive më të fuqishme të kohës për shtatë çmimet e kategorisë së filmit artistik me metrazh të gjatë. Ishte periudha e “festivalit të pastër” që ende nuk ishin shkruar “intrigat” në prozë artistike në formatin e novelave dhe të romaneve. Sipas të dhënave që nxjerrim nga AQSHF pas fitimit të dy çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Kanë filmi “Skënderbeu” u shfaq dhe në kinematë përtej Atlantikut në SHBA, Kubë dhe Meksikë …/Aktoret Shqiptare/
