Nga Eridion Gjetja

Në pjesën perëndimore të ishullit të Sardenjës, në provincën e Oristanos, ndodhet San Salvatore di Sinis. Një realitet i vetëm në llojin e tij. Pjesë e komunës së Kabras-it, fshati është i famshëm për ritualin e “vrapimit të të zbathurve”, një praktikë që lidhet me devotshmërinë e këtij komuniteti drejt figurës së Jezu Krishtit dhe që përkon me fillimin e festimeve për nder të tij. Ndjesia dhe përkushtimi janë të tilla sa që në mes të gushtit mund të hasësh grupe “Curridoris”, të të gjitha moshave, që përgatiten për vrapimin e Shenjtë.

Kjo traditë qindravjeçare parashikon që javën e parë të shtatorit simulakri i Shenjtë të përcillet duke vrapuar me këmbë zbathur, për 9 km, nga qindra besimtarë të devotshëm, nga kisha e Shën Mërisë në Kabras në fshatin e vogël të Sinis ku pasi do të qëndroj për një ditë dhe një natë, deri në pasditen e të nesërmes, do të kthehet në Kabras me të njëtat modalitete. Të veshur me të bardhë, simbol i purifikimit, vrapuesit ofrojnë një spektakël të jashtëzakonshëm për ata që kanë fatin të asistojnë. Rrugëtimi shoqërohet me kore fetare dhe pasohet nga sfilata-proçesion e grave të veshura me kostume tradicionale të zonës.

Mjaft kurjoz është fakti se fshati është i pabanuar pothuajse gjatë gjithë vitit me përjashtim të ditëve të para të shtatorit. Por përtej proçesionit çfarë e bën të veçante këtë vend të vogël? Aspekti kryesor është arkitektura karakteristike që kujton shumë atë të fshatrave meksikan të kinematografisë western. Aq e madhe është ngjashmëria sa që regjizori Gian (Andrea) Rocco e zgjodhi për të xhiruar “Giarretiera Colt” një western i 1968-tës.

Një tjetër film si “Dio perdona la mia pistola no” u xhirua pjesërisht në Sinis. Shpërthimi i stilit spaghetti western, pas viteve ’60, falë një gjeniu si Sergio Leone, shtyu shumë producentë të ndërtonin studio për skenat western, duke reduktuar në mënyre domethënëse shpenzimet për setet e xhirimeve siç mund të ishte San Salvatore. Sot fshati nuk përdoret më për xhirime por për vizitorët e apasionuar pas “far west” atmosfera mbetet po ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here