Nëse ke filluar të mërzitesh se pse nuk ke rënë aq sa prisje në peshë, edhe pse ke kohë që mban dietë apo ushtrohesh fizikisht, duhet të kesh parasysh edhe disa aspekte biologjie që ndikojnë dhe e bëjnë të vështirë procesin. Jo çdo gjë ka lidhje me dietën dhe ushtrimet.
1- Metabolizmi bie kur fillon të humbasësh peshë.
Është shumë e thjeshtë, sa më e madhe të jetë pesha, më shumë energji harxhon në qetësi apo duke kryer aktivitete të ndryshme. Sa më pak të peshosh, aq më pak kalori shpenzon. Nëse ke rënë disa kile, por jo në masën që prisje, është pikërisht sepse për të njëjtat aktivitete tani që peshon më pak, harxhon më pak kalori.
2- Nëse vendos të biesh në peshë, duhet të bësh ndryshime që mund të përballohen.
Nuk është fjala për ndryshime afatshkurtra në dietë, apo nisje për një kohë të shkurtër e palestrës. Ndryshimet që bën, duhet të mendosh t’i mbash për një kohë të gjatë. Nëse pret që të vazhdosh të biesh në peshë, ndërkohë që i shkëput dietën dhe palestrën, është e kotë të shpresosh. Madje ndodh e kundërta, nëse nuk i mban ndryshimet që nis, ke më shumë mundësi të shtosh në peshë se sat ë humbasësh.
3- Roli i hormoneve.
Në kushtet e mungesës së ngrënies së ushqimit, truri çliron një hormon të quajtur leptinë, e cila nxit gjendjen e urisë. Është një proces fiziologjik që ndodh, edhe nëse nuk i keni vendosur vetes synim të bini në peshë, por mund të jeni vonuar për të konsumuar ushqim si pasojë e një punë të ngarkuar që mund të keni pasur në duar. Ndaj, mos u habisni që keni më shumë uri ndërkohë që jeni në dietë, apo ushtroheni më tepër në palestër. Ky është momenti kur duhet të keni akoma më tepër vullnet, pasi në të kundërt hidhni poshtë gjithë përpjekjet që keni bërë.
4- Për të rënë në peshë, ka më tepër rëndësi dieta se sa palestra.
Janë qindra studime që tregojnë të njëjtën gjë. Një dietë me pak kalori dhe me shumicë proteinash, është shumë herë më mirë se sa ushtrimet fizike për të rënë në peshë. Palestra ndihmon më tepër për ndërtimin e formave të duhura të trupit, sidomos pasi keni rënë në peshë me dietë. Një kombinim mes të dyjave do të ishte perfekt. Nëse jeni thjesht duke u ushtruar dhe nuk po humbni sa duhet kg, shtoni në përditshmërinë tuaj edhe një dietë të shëndetshme dhe do ta shihni ndryshimin.
5- Ushtrimet fizike luajnë rol kyç për mbajtjen e peshës.
Siç edhe e theksuam më sipër, është e mira që gjithçka të nisë me dietën e duhur dhe kur të keni parë rezultatet e para, të nisni ushtrimin në palestër, vrapin në natyrë, ose notin apo çdo aktivitet fizik që keni të mundur ta realizoni. Kjo sepse jo vetëm ju formojnë siç duhet, por edhe ju ndihmojnë ta mbani gjatë humbjen e peshës, në të kundërt do ta fitoni shumë më shpejt atë.