Trakët ishin adhurues të Diellit. Sofokliu, në një tragjedi që nuk na ka mbërritur, Tereusi, vë në gojë të Orfeut këtë klithmë: “O Diell, yll tejet i nderuar për Trakët dashurues të kuajve!”. Orfeu është, në fakt, një trak.
Sipas një miti të dramatizuar në një tragjedi, edhe ajo e humbur, e Eskilit – Basaridet -, Orfeu, zgjohej natën për t’u ngjitur përpara agimit në majë të Pangeut që të përshëndesë diellin në shfaqjen e tij të parë: për të Dielli ishte perëndia më e lartë, e prandaj Dionizi e dënoi duke bërë që Basaridet ta shqyenin të gjallë. Për një kult të Diellit (Helios) si të tillë tek Trakët nuk ka shenja të dukshme.
Por janë me shumicë dëshmitë e Apollit. Një trake, priftëreshë e Apollit, përmendet në Odisea (IX. 198). Qoftë Apolli, me origjinë helen (indoevropian) apo johelen (aziatik), futja e tij në Traki ka gjasë të jetë kryesisht nga ndikimet greke, në mënyrë të veçantë përmes Apollonisë, koloni milezjane (Straboni VII, 319) mbi spondën perëndimore të Ponto Euzinit.