Ushtari japonez që refuzoi të dorëzohej në fund të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar për 29 vjet në xhungël në një nga ishujt e Filipineve
Hiroo Onoda mbijetoi për thuajse 3 dekada në xhungël në Ishullin Lubang të Filipineve. Vetëm në vitin 1974 ai do t’i bashkohej pjesës tjetër të botës, pasi u bind nga ish-eprori i tij se lufta kishte përfunduar. Pas rikthimit në Japoni ai u prit si hero.
Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, Hiroo Onoda në atë kohë me gradën oficer, ishte pjesë e një grupi luftëtarësh japonezë që ranë në kurthin e forcave amerikane që i shkëputën rrugët e tërheqjes drejt veriut.
Ai së bashku me katër ushtarë të tjerë refuzuan të dorëzoheshin duke u strehuar në xhungël. Njëri prej tyre u dorëzua në vitin 1950, ndërsa dy të tjerët vdiqën, njëri në vitin 1972 në përleshje me trupat filipinase. Grupi i ushtarëve kishte urdhër për të mos u dorëzuar, një urdhër që ai iu bind për 29 vjet me radhë.
“Çdo ushtar japonez ishte i përgatitur për të vdekur, ashtu edhe unë. Por si një oficer në komandë të një grupi luftëtarësh, kisha marrë urdhër nga shërbimi i inteligjencës që të vazhdoja luftën guerrile në xhungël”, do deklaronte Onoda në një intervistë për televizionin amerikan, ABC në vitin 2010.
“U emërova oficer dhe mora një urdhër. Nëse nuk do ta zbatoja atë urdhër do të më vinte turp nga vetja”, vazhdoi ai.
Gjatë 3 dekadave në xhungël, Onoda i mbijetoi disa operacioneve ushtarake vitet e para, dhe më vonë përplasjeve me banorët vendas.
Ai nuk besonte që lufta kishte përfunduar, kishte injoruar ndër vite thirrjet për t’u dorëzuar dhe u ishte fshehur grupeve të kërkimit.
“Pamfletët e hedhura nga ajri ishin plot me gabime drejtshkrimore, ndaj unë besoja që ato ishin të hedhura nga amerikanët për të më zënë në kurth”, tha ai për ABC.
Në mars të vitit 1974, ish-komandanti i tij udhëtoi drejt Filipineve, për të dhënë personalisht urdhërin e ri për ushtarin e tij. Ende me uniformën e leckosur të Luftës së Dytë Botërore, Onoda nderoi flamurin japonez dhe i dorëzoi presidentit filipinas të asaj kohe shpatën e samurait.
Autoritetet filipinase e amnistuan atë, por jo banorët vendas të ishullit Lubang, ku 30 persona kishin gjetur vdekjen nga shpata apo kurthet e ngritura prej tij.
Me rikthimin në atdhe ku u prit si hero, Onoda hapi një rrjet shkollash mbijetese në xhungël, falë përvojës së tij të jashtëzakonshme.
Hiroo Onoda ishte ndër ushtarët e fundit japonezë që u dorëzuan, por jo i fundit. Në dhjetor, të po atij viti, Teruo Nakamura, një ushtar nga Tajvani që shërbeu në Luftën e Dytë Botërore nën uniformën e ushtrisë japoneze u gjet në ishullin Morotai në Indonezi. Ai u rikthye në Tajvan, ku vdiq në vitin 1979.