CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon regjimit komunist në vendin tonë. Sipas një dokumenti që tregon zhvillimet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara më 1960, Shqipëria ishte shteti i vetëm që mbronte pikëpamjet e Kinës. Ajo që CIA thekson është se Enver Hoxha mungoi në atë mbledhje. Nga ana tjetër, CIA kishte shpresë se shqiptarët do e rrëzonin regjimin, pasi bazohej te rezistenca që ju bë osmanëve.
Gusht 1956
Që prej vitit 1946 Bashkimi Sovjetik ka dhënë rreth 5 miliardë dollarë ndihma ekonomike dhe ushtarake për vendet e bllokut sovjetik, kryesisht ndaj Kinës (rreth 1.5 miliardë) Gjermanisë Lindore (1.4 miliardë) të cilat kanë marrë rreth 58 për qind të ndihmës sovjetike. Ndërsa huatë dhe kreditë ndaj vendeve të tjera llogariten përgjithësisht në 2.1 miliardë për blerjen e mallrave sovjetike ekonomike, 1.2 miliardë në pajisje ushtarake, 1.1 miliardë në projekte zhvillimi ekonomik dhe 550 milionë mallra importesh. BRSS ka dhënë gjithashtu grante që arrijnë një total prej 360 milionë për Korenë e Veriut dhe Vjetnamin. Deri në vitin 1954 huatë sovjetike ishin kryesisht për të zbutur vështirësitë e kalimit të gjendjes së vështirë të pasluftës, ndërsa më vonë kreditë janë fokusuar në blerjen e aksioneve të përbashkëta apo hua ushtarake. Në kongresin e 20 të partisë sovjetike më 14 shkurt 1956, Hrushovi tha se BRSS po ndihmon ndërtimin e 391 ndërmarrjeve të prodhimit në vendet e demokracive komuniste. Ai tha se BRSS ka dhënë ndihma për këto vende 21 miliardë rubla (rreth 5.2 miliardë dollarë), shifër kjo që përputhet dhe me llogaritjet e agjencive të inteligjencës. Masa e ndihmës së dhënë deri tani për Shqipërinë nuk mund të llogaritet, por marrëveshja e parë e kreditimit është nënshkruar në shkurt 1951. Sipas saj Shqipëria do të marrë gjatë 4 viteve të marrëveshjes pajisje industriale dhe ndihmë teknike, e cila do të shlyhet gjatë viteve. Ndërkohë raportimet thonë se vendi ka marrë asistencë në ndërtimin e shumë instilacioneve industriale si hidrocentrale, rafineri nafte, kombinate tekstili deh fabrika të ndryshme prodhimi lëkurësh, druri e ushqimesh. Në 1954 udhëheqësi komunist Hoxha njoftoi se BRSS i kishte dhënë Shqipërisë kredi të konsiderueshme dhe privilegje ekonomike për zhvillimin e vendit.
Nëntor 1960
Dallimet mes vendeve të bllokut sovjetik
Lindja e konfliktit mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik mbi aplikimin e mësimeve të Leninit ka sjellë efekte të ndryshme në demokracitë komuniste të Evropës Lindore. Realitetet gjeografike dhe ekonomike të vendeve të caktuara përcaktojnë masën e nënshtrimit të vendeve satelite ndaj Bashkimit Sovjetik. Varësia e satelitëve ndaj BRSS për lëndë të para i jep këtij të fundit forcë të madhe ndaj bllokut me përjashtim të Çekosllovakisë, Gjermanisë Lindore dhe gjithashtu Shqipërisë, e cila nuk prodhon mallra të gatshme prandaj mund të përdorë burime më të largëta dhe pa përkushtim. Edhe nevojat e Shqipërisë për kredi janë relativisht të vogla. Edhe nga ana gjeografike, sa më afër një vend satelit gjendet ndaj BRSS aq më e vogël është pavarësia e tij. Bullgaria dhe Shqipëria që kishin qenë vendet satelite më të prapambetura, kanë bërë progresin më të madh për nga industrializimi. Arena e politikës shqiptare është e ruajtur hermetikisht dhe pak dimë se çfarë ndodh aty, por duke parë historinë e tyre si luftëtarë fillimisht ndaj turqve dhe pushtuesve të tjerë të huaj, ishte e thjeshtë të mendoje se ata do të flaknin tej edhe komunizmin. Por mesa duket fryma e tyre e lirisë nuk kishte llogaritur shtypjen brenda të njëjtit lloj, apo ndoshta aftësinë e veçantë të Enver Hoxhës të magjepsjes së popullit të tij me frikën e pushtetit jugosllav, për të konsoliduar pushtetin personal. Tashmë Hoxha dhe Shehu duket se ia kanë hipur mirë kalit të pushtetit në Shqipëri, gjeografia e së cilës garanton njëfarë lirie veprimi në lidhje me BRSS, dhe kufizohet vetëm nga vështirësitë e gjetjes së një sponsori alternativ. Diferencat mes vendeve satelite duket se u sheshuan mes tyre në konferencën e Bukureshtit, me përjashtimin e dukshëm të Shqipërisë. Delegati shqiptar raportohet se ishte i vetmi që u ngrit në mbrojtje të pikëpamjeve të Kinës, ndërsa Enver Hoxha ishte i vetmi kryetar shteti satelit që nuk mori pjesë në dëgjesën e Hrushovit në OKB në shtator. Nga ana tjetër Shqipëria ishte i vetmi vend i pranishëm në festimet e tetorit 1060 në Pekin me Zv. Kryeministrin Abdyl Këllezi . Më 4 tetor 1960 ai deklaroi se Kina dhe lideri Mao Ce Dun janë i vetmi vend që interpreton saktë linjën marksiste-leniniste. Edhe kinezët nga ana e tyre, me anë të sekretarit të komitetit të partisë Çen Pei Shin shprehën bindjen se “populli heroik shqiptar nuk frikësohen nga kërcënimet e dhunës apo vështirësisve, dhe nuk ka pasur kurrë iluzione mbi miqtë dhe armiqtë e vërtetë. Ata kanë kundërshtuar politikat imperialiste dhe luftën, e udhëhequr nga SHBA”. Në ditën e këtij fjalimi në portin e Durrësit erdhi një ngarkesë drithi, e cila ishte aq e rëndësishme sa u përmend në njoftim të vecantë nga radio-Tirana. Ngarkesa vinte nga Kina e largët, në një kohë kur vetë Pekini vuante mungesat e drithit. Ashtu si vende të tjera të Ballkanit edhe anomalia e sfidës së Shqipërisë ndaj Moskës me menin e pushtetit personal të liderëve të saj. Liderët komunistë të Shqipërisë erdhën me të vërtetë në pushtet pas prishjes së Stalinit me Titon, dhe rrjedhimisht pas prishjes së partisë komuniste shqiptare me Jugosllavinë, çka dhe ndaloi procesin e absorbimit të Shqipërisë nga fqinji më i fuqishëm verior. Si rezultat i kësaj Hoxha e Shehu u ngritën në detyrë nga liderë të një vendi nën-satelit sovjetik (d.m.th fillimisht të Jugosllavisë dhe pastaj të BRSS), në atë të një vendi satelit sovjetik. Prandaj mund të themi me siguri se ata nuk do të donin një rikthim në rendin e mëparshëm inferior, çka mund të duket tani si mundësi reale, pas riafrimit të lidhjeve të Hrushovit me Jugosllavinë. Meqenëse sjellja e Pekinit me Jugosllavinë ka qenë e pakompromis, është natyrale që Shqipëria të mbajë anën e fuqisë së largët komuniste, mbështetja e të cilave si morale dhe politike, mund të mjaftojë për të trazuar qetësinë e Moskës. Praktikisht tani shqiptarët janë të pavarur dhe kjo shton prestigjin e brendshëm të regjimit. As që ia vlen të përmendet se është qesharak pretendimi shqiptar për mbrojtje të ideologjisë dhe pastërtisë komuniste.
Prill 1969
Shqipëri-Jugosllavi-Rumani
Shqipëria ka bërë një deklaratë të paprecedentë publike ku thotë se së bashku me Jugosllavinë e Rumaninë kanë arsye të përbashkëta për t’i rezistuar kërcënimit sovjetik. Në një editorial të 11 prillit organi partiak Zëri i Popullit mbante një editorial me një prej toneve më pozitivë ndaj Beogradit në shumë vite. Në kohën e pushtimit të Çekosllovakisë nga Pakti Varshavës, Shqipëria ndaloi polemikat e saj me armikun e saj kryesor Jugosllavinë. Ajo rifilloi përsëri sulmet verbale ndaj linjës jugosllave në fund të tetorit, por çuditërisht i ndaloi ato përsëri para kongresit të 9-të partisë jugosllave muajin e kaluar. Përveç një rasti të vetëm, shtypi shqiptar nuk komentoi fare mbi Kongresin, i cili më parë kishte qenë objektivi kryesor i sulmeve të Zëri të Popullit. Që prej distancimin nga fuqitë e Paktit të Varshavës në fillim të viteve 1960-të, Tirana ka ruajtur lidhje relativisht të mira me Rumaninë. Megjithëse kanë sugjeruar më parë se kanë kauzë të përbashkët me Bukureshtin, editoriali i Zërit të Popullit është deri tani tentativa më e hapur e Tiranës për t’i bashkuar dy vendet në kundërshtim të politikave të Bashkimit Sovjetik. Qasja e re e kryetarit të partisë shqiptare Hoxha drejt fqinjëve ballkanikë, por veçanërisht Jugosllavisë, reflekton pranimin e Shqipërisë se ajo përfiton nga mbrojtja e politikave të ruajtjes së pavarësisë të Beogradit dhe Bukureshtit.