Viti 1994 do të sillte një shtrëngatë të vërtetë në marrëdhëniet shqiptaro-greke në kontekstin e pas rrëzimit të komunizmit. Ndonëse qielli i këtyre marrëdhënieve nuk kishte qenë asnjëherë bunacë, viti 1994 do të sillte më ashpër se kurrë antagonizmin që kishte metastazuar brenda pak vitesh.

Rivendikimi grek mbi jugun e vendit tonë, shoqëruar edhe me diplomacinë intrasigjente të Athinës, po e kthente projektorin tek çështja e pakicës greke duke i dhënë një përmasë ndërkombëtare kontestit që po shkiste drejt një krize të pashmangshme.

Ishte i vërtetë mëtimi i Athinës për keqtrajtim të minoritarëve? A po detyroheshin ata të shprënguleshin si pasojë e një plani të mirë-menduar pan-shqiptar? Si do të priteshin këto zhvillime nga Bashkimi Europian?

Përgjigja e këtyre pyetjeve si dhe një analizë që tejkalon nivelin e një raportimi rutinor shërbimesh sekrete gjendet në një dokument tetë-faqësh i CIA-s amerikane, i klasifikuar për dy dhjetëvjeçarë si konfidencial. Portali konica.al sjell të plotë këtë raport:

Memorandum i Inteligjencës

Zyra për Analiza Europiane

30 qershor 1994

Pakica greke në Shqipëri – një mundësi për trazira

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përkeqësuar thekshëm duke pasuar sulmin kufitar në prill, incidenti i fundit gjatë tri viteve të lidhjeve të tendosura. Greqia ka ngritur akuza për “shtypjen” që shqiptarët po bëjnë ndaj pakicës etnike greke,  ndërkaq Tirana druan se Athina ka mëtime në viset minoritare greke në jug të Shqipërisë.

Mëtimet greke se Tirana është duke i dhunuar sistematikisht të drejtat e pakicës së saj greke me qëllim të zbimit të tyre nga Shqipëria duket se nuk kanë mbështetje. Zyrtarët e CSCE raportojnë se të drejtat që Shqipëria i ka dhënë pakicës greke përkojnë me udhëzimet e CSCE.

Disa ankesa për trajtimin që Tirana po i bën pakicës greke janë legjitime.

Kryetari i Shqipërisë, Berisha ka dhënë shenja, se megjithatë, ai do të përqendrohet në legjislacion për të siguruar të drejtat etnike dhe për të përmirësuar komunikimin e Qeverisë së tij me pakicën.

Frika e Shqipërisë nga irredentizmi grek është ushqyer kryesisht nga dështimi i Athinës për të kontrolluar nacionalistët që orvaten të nxisin pakicën greke. Kjo ka kreshpëruar dyshimet e shqiptarëve se organizimi kryesor politik i grekëve etnik në Shqipëri manipulohet nga Greqia.

Një krizë e ndërsjellë për çështjen e pakicës që përftuan represaljet greke mund të lëkund qeverinë pro-amerikane të Tiranës në dobi të ish-komunistëve dhe mund të ketë pasoja rajonale.

Qeveria greke e Papandreut e shikon çështjen e pakicës greke në Shqipëri si çështjen potencialisht më shpërthyese në politikën greke. Pajtimi duket i pashpresë pa mbështetjen e Perëndimit për të kapërcyer keq-informimin dhe dyshimet e rrënjosura tek të dyja palët.

Tensionet po rriten

Tensioni ka qenë një veçori e zakontë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në vitet e fundit. Verën e kaluar, bie fjala, Athina ka përzënë 25 mijë deri në 30 mijë punëtorë shqiptarë pa leje pasi Tirana kishte dëbuar një klerik grek për arsye të shprëndarjes së literaturës irredentiste.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë së fundmi kanë marrë një kthesë për të keq pas incidentit kufitar me 10 prill, gjatë të cilit dy oficerë ushtarak shqiptarë u vranë. Sulmi – i cili pasoi një zbutje të shkurtër në marrëdhëniet prej se kryeministri grek, Papandreu u kthye në pushtet – cyti akuza të reja të shqiptarëve për irredentizmin grek dhe ankesat greke për keqtrajtimin e pakicës etnike greke.

Autoritetet shqiptare thonë se sulmuesit kapërcyen kufirin grek. Një organizim jo fort i njohur, Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut mori përgjegjësinë për sulmin, sipas njoftimeve të shtypit grek.

Kryetari shqiptar, Berisha fajësoi hapur Qeverinë greke për ndihmë ndaj dorasve por Athina i ka rënë mohit për ndonjë përfshirje. Veprimi i mëpastajmë i Tiranës ku arrestoi gjashtë drejtues grekë me akuzat për promovimin e ndarjes greke dhe lidhjet e tyre me shërbimin inteligjent grek ka ashpërsuar edhe më tensionet.

Berisha ka siguruar se gjykimet ndaj gjashtë grekëve, katër prej të cilëve mbanin poste të larta në Omonia, organizimi më i madh politik i grekëve në Shqipëri – do të jetë publik dhe dëshmitë do të jenë të qasshme edhe për hetime ndërkombëtare.

Qeveria greke – që shprehet e befasuar me akuzat e para të Berishës për përfshirjen zyrtare greke – ka akuzuar Tiranën për persekutimin e pakicës greke. Athina për të dytën herën ka hequr dorë nga takimet dypalëshe të parapara për ngrohjen e marrëdhënieve, ka bllokuar ndihmën e BE-së për Shqipërinë dhe nismoi protesta para organizatave ndërkombëtare.

Nën kriticizmin e brendshëm për veprime të qullta, Qeveria greke ka shtuar gjithashtu trysninë diplomatike ndaj Shqipërisë dhe ka diskutuar haptas mbylljen e kufirit ose depërtimin e shqiptarëve pa leje. Hetimi policor u incidentit kufitar nguci një luftë të mëtejshme fjalësh pas marrjes në pyetje të rreth tridhjetë dëshmitarëve grekë në fund të majit.

Athina e fajësoi Tiranën për dallgëzimin e një vale të re arrestimesh me qëllim të shprënguljes së grekëve nga Shqipëria. Berisha u ka thënë gazetarëve se ai ishte i përgatitur të vizitonte Athinën për bisedime me kryeministrin Panandreu, nëse do të ftohej.

Statusi i pakicës greke

Ne nuk kemi asnjë dëshmi se Tirana po ndjek një politikë të frikësimit sistematik të pakicës së saj greke ose se po bën përpjekje për të përzënë grekët nga vendi.

Në të vërtetë, sikundër shihet nga të dhënat që kemi ne, akuzat e Athinës për cenimin e të drejtave të njeriut nga Tirana janë më të skajshme sesa ankesat e bëra nga pakica greke në Shqipëri.

Komisioneri i lartë i CSCE-së për pakicat, Maks Van der Stoel vizitoi Shqipërinë dy herë gjatë vitit të kaluar dhe erdhi në përfundim se trajtimi i pakicës etnike greke është në përputhje me udhëzimet e CSCE. Van der Stoel ka hetuar personalisht shumë akuza greke dhe më vonë i ka thënë Athinës se ato janë të pathemelta.

Mundësitë më të mira ekonomike në Shqipërinë jugore po e trimërojnë migrimin nga veriu në jug, por nuk ka kurrfarë shenje të ndonjë programi qeveritar për të vendosur shqiptarë në vendbanimet greke.

Tirana po i vendos disa familje nga veriu i varfër i vendit në disa pjesë të tokës ose në ferma të shtetit. Këto toka janë kryesisht në Shqipërinë Qendrore dhe viset minoritare do të jenë krejt të paprekura.

Shumica e grekëve udhëtojnë në Greqi për të ndjekur mundësitë ekonomike më shumë sesa të ikin nga diskriminimi. Zënkat e tashme mes Tiranës dhe Athinës, sidoqoftë, po krijojnë frikë tek grekët se Qeveria shqiptare mund të fillojë trysninë ndaj tyre.

Omonia: një kolonë e pestë greke?

Thyerja në marrëdhëniet me Greqinë ka shtuar dyshimet e Tiranës për lidhjet mes Omonia-s dhe Athinës. E themeluar në vitin 1991 me përkrahjen dhe paratë e organizatave të ndryshme greke, Omonia mban lidhje me organizata të ndryshme greke që kërkojnë faqe botës bashkimin e ‘Epirit të Veriut’ me Greqinë. Drejtuesit e Omonia-s udhëtojnë shpesh në Greqi dhe janë pritur zyrtarisht në Athinë.

Anipse shumica e drejtuesve të Omonia-s janë të përmbajtur dhe dëshirojnë të punojnë brenda sistemit shqiptar, disa – përfshirë edhe gjashtë grekët e arrestuar në prill – bëjnë thirrje të hapura për bashkimin e jugut të Shqipërisë me Greqinë.

Shumë të tjerë të arrestuar duken se kanë kryer veprime irredentiste. Drejtuesit e Omonia-s po orvaten që të fshehin lidhjet e tyre me Greqinë, dhe në një konferencë së fundmi ata thanë se janë të pavarur nga forcat e ‘jashtme’ dhe besnike ndaj Qeverisë shqiptare.

Disa ankesa të grekëve etnik ndaj Tiranës janë legjitime, veçanarisht ato që ndërlidhen me arsimin dhe nënpërfaqësimin e grekëve në polici dhe ushtri. Grekët kanë pasur ankesa edhe për kundërshtimin e Qeverisë për t’u kthyer pjesë të mëdha të pronave të cilat kanë qenë të Kishës Ortodokse.

Disa ankesa – të tilla si mungesa e kontrollit mbi vendimet e arsimit dhe politikën lokale – vijnë prej qendërzimit të fuqisë administrative që pasoi humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e korrikut të vitit 1992.

Niveli i Punësimit Publik. Edhe pse nuk ka të dhëna të besueshme, mbështetur në regjistrimin e votuesve në mars të vitit 1992, grekët etnik janë pakica më e madhe në Shqipëri dhe me gjasmë përbëjnë rreth 3 deri në 5 përqind të popullatës, ose 100 mijë deri në 150 mijë vetë. Thuajse gjysma e këtij komuniteti tani punon në Greqi. Numri i pakicës greke në Shqipëri është një burim ngatërresash mes Tiranës dhe Athinës.

Autoritetet shqiptare thonë se janë afërsisht rreth 60 – 80 mijë grekë në Shqipëri, kurse Athina mëton se janë diku mes 300 mijë deri në 500 mijë grekë. Vlerësimet greke zakonisht përfshijnë të gjithë besimtarët ortodoksë, paçka se grekët përbëjnë vetëm 15 përqind të popullatës ortodokse në Shqipëri.

Edhe pse grekët mbajnë dy poste në kabinet dhe drejtimin e Sarandës dhe Gjirokastrës, është vetëm një prani sa për të thënë në polici dhe ushtri dhe praktikisht asnjë grek në pozitë autoriteti.

Përderisa nënpërfaqësimi grek është deri diku për shkak të hakmarrjeve të gjëra ndaj ish-komunistëve në vitin 1992, kjo mbase pasqyron një mosbesim të përgjithshëm të grekëve nga shërbimet e fshehta.

Qasja në shkollimin në gjuhën greke. Grekëve etnik jashtë ‘zonave minoritare’ u mohohet financimi qeveritar për shkollimin në gjuhën greke. Përveç kësaj, klasat në gjuhën greke ofrohen vetëm për një përqindje në ditën e shkollës, varësisht nga shkalla.

Një ligj i shumë-vonuar mbi arsimin pritet të heq zonat minoritare dhe zëvendësojë me një sistem që lejon financimin e klasave në gjuhën greke kur ka numër të mjaftë të studentëve. Ky legjislacion, sidoqoftë, nuk pritet të jetë i gatshëm për të gjitha klasat.

Autoritetet shqiptare po planifikojnë të lëshojnë rregullime të brendshme me përqindje më të lëvizshme dhe të heqin ‘zonat minoritare’ gjatë vitit të ri shkollor.

Janë rreth 73 shkolla fillore që ofrojnë shkollim në gjuhën greke në Shqipëri. Krahas kësaj, janë dy shkolla të larta në gjuhën greke dhe një program universitar për trajnimin e instruktorëve të gjuhës greke.

Kthimi i pronave të Kishës. Shumë prej ngrehinave të Kishës Ortodokse Shqiptare i janë kthyer Kishës dhe veprojnë shlirshëm. Toka përqark, sidoqoftë, është subjekt i ligjit për tokën, që lejon kthimin e sall 5 hektarëve për një individ të vetëm ose entitet.

Pronarët e  dikurshëm pranojnë dëmshpërblime monetare për tokën në të njëjtën vlerë. Poashtu, disa prona të mëparshme të tokave të Kishës janë të banuara dendësisht.

Ligji i Kthimit vlen poashtu edhe për pronat që i përkasin bashkësive fetare katolike apo myslimane.

Kalimi i një legjislacioni të veçantë për pronat kishtare do të çonte me siguri drejt një vërsulje politike ndaj Qeverisë shqiptare nga pronarët e mëdhenj të dikurshëm.

Mëtimet për ‘Epirin verior’

Viset në jug të Shqipërisë – të quajtura Epiri i Veriut nga grekët – kanë qenë për dhjetëvjeçarë të tërë burim tendosjesh midis dy vendeve. Pjesë e Perandorisë Osmane prej shekullit të 15-të deri në shekullin e 20-të, Shqipëria u njoh si vend i pavarur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1912.

Kufiri verior qe vendosur nga Konferenca në mars të vitit 1913, duke ia dhënë Kosovën Serbisë, por Greqia ia hodhi sytë pjesës jugore të vendit. Kufiri jugor mbeti pezull deri sa u ravijëzua nga Protokolli i Firencës, i shestuar nga fuqitë perëndimore europiane. Megjithatë, protokolli në fjalë nuk kaloi në Kuvendin e Greqisë.

Mëvetësia e Shqipërisë u përball me një rrezik të mortshëm gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u zaptua nga ushtritë aleate – kryesisht ato franceze dhe italiane. Traktati i Fshehtë i Londrës, i arritur me 1915 dhe i shpërfaqur nga bolshevikët rusë pas Revolucionit të Tetorit, parashihte copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-20, Greqia nisi prapë mëtimin për jugun e Shqipërisë, kurse Serbia dhe Mali i Zi kërkonin pjesët veriore, ndërkaq Italia limanin e Vlorës. Pavarësisht kësaj, kryetari amerikan Wilson ngulmoi që të kthehet pavarësia e Shqipërisë sipas parimit të vetëvendosjes.

Greqia pushtoi sërish jugun e Shqipërisë në vitin 1940 pas mposhtjes së forcave italiane që kishin sulmuar territorin grek përmes Shqipërisë dhe bëri thirrje për bashkimin e tij me ‘mëmëdheun’. Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1946 hodhi poshtë pretendimin grek siguroi sovranitetin shqiptar. Në vitin 1971, Athina vuri lidhjet diplomatike me Tiranën, që nënkuptoi edhe njohjen e kufirit ekzistues.

Burimet e mos-besimit

 Tendosjet greko-shqiptare duken të jenë shtyrë kryesisht nga frika e Tiranës se Greqia fsheh pretendime irredentiste ndaj vendbanimeve të pakicës greke në jug të Shqipërisë, dhe nga shqetësimi i Athinës se të drejtat e vëllezërve të tyre janë cenuar.

Kundërshtimi i Athinës gjatë dy viteve të fundit për të lidhur një marrëveshje dypalëshe mbi kufirin greko-shqiptar – edhe pse Greqia e ka njohur atë tërthorazi përmes nënshkrimit të Marrëveshjes CSCE dhe duke shprehur përkushtimin e saj për pacenueshmërinë e kufijve në rajon – ka ushqyer dyshimet e Tiranës për plane greke në Shqipërinë jugore.

Drejtuesit shqiptarë besojnë se pretendimet provokative të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Greke mbi keqtrajtimin e pakicës greke miratohen në njëfarë mënyre nga Athina.

Një radio-stacion i drejtuar nga një prift i Kishës Ortodokse Greke shprëndan programe irredentiste në Shqipëri, dhe disa zyrtarë të Kishës pretendojnë se ata u kanë dhënë grekëve etnik stërvitje paraushtarake dhe i kanë kthyer në Shqipëri për të ‘luftuar për helenizmin’, sipas njoftimeve të shtypit francez.

Athina beson se ka përgjegjësi të veçantë për të mbrojtur të drejtat e bashkëatdhetarëve të saj jashtë vendit, dhe kjo çështje është një pikë e fortë në politikën e brendshme greke.

Shqetësimet greke janë ashpërsuar edhe nga alarmi i Qeverisë së Papandreut mbi rritjen e lidhjeve të Shqipërisë me Turqinë. Athina frikësohet se Ankaraja e sheh Shqipërinë si një kanal për shtrirjen e ndikimit mysliman në rajon.

Athina po përballet më një trysni në rritje nga elementët e Kishës Ortodokse Greke dhe grupet nacionaliste të cilat po e promovojnë çështjen e pakicës greke. Gjatë muajve të fundit, ato duken të jenë bërë më aktive.

Vërshimi i afër 150-200 mijë migrantëve ekonomik shqiptarë – kryesisht ilegalisht – në Greqi ka përforcuar qëndrimet negative ndaj Shqipërisë.

Një mundësi për paqëndrueshmëri

Nëse Athina dhe Tirana nuk arrijnë të vendosin marrëdhëniet në lartësinë e duhur, popullata etnike greke në Shqipëri mund të bëhet pikë kyçe e një krize serioze dhe destabilizuese mes dy vendeve.

Kryetari Berisha ka bërë të ditur se ai do të bëj përpjekje për të siguruar pakicën se Tirana është e përkushtuar për të drejtat etnike, duke u përqëndruar në legjislacionin për pakicën dhe duke rritur numrin e vizitave në nivel të lartë zyrtar në vendbanimet minoritare. Këto masa do të mirëpriteshin si nga grekët ashtu edhe nga shqiptarët, të cilët janë të shqetësuar se tensionet mes Tiranës dhe Athinës do të shkëndijojnë probleme etnike në Shqipëri.

Trembja e Tiranës nga ajo që shihet si irredentizëm grek, mund t’i shtyjë autoritetet shqiptare që të kufizojnë veprimtaritë politike të grekëve, gjë që do të nxiste reagimin e Athinës, përfshirë edhe dëbimin e një numri të madh të puntorëve shqiptarë në Greqi.

Tensioni i vazhdueshëm me Greqinë do të kishte një ndikim të brendshëm negativ në Shqipëri.

Dhjetë përqind e fuqisë punëtore shqiptare po kërkon punë në Greqi, dhe ekonomia shqiptare mbështetet jo pak në fitimet e tyre. Humbja e këtyre remitancave dhe dëbimi i puntorëve do të zvogëlonte ndjeshëm të ardhurat e familjeve dhe kështu do të lulëzonte papunësia – e cila tashmë vlerësohet të jetë 18 përqind.

Pengimi i vazhdueshëm i ndihmave të BE-së dhe vendeve tjera evropiane do të ndërlikonte programin e Tiranës për stabilizim. Shqipëria dështoi në borxhin e saj tregtar me 1990 dhe varet nga ndihmat ndërkombëtare – të cilat jepen nga BE më shumë se 50 përqind.

Një kthesë e rëndësishme në ekonominë shqiptare do të prodhonte një vërsulje kundër Partisë Demokratike nga shqiptarët e lodhur me programin qeveritar për reformën në ekonomi.

Athina dëshiron t’i shmangë tensionet e tanishme nga fërkimet në një përballje të fortë dhe është e gatshme më shumë të bëj trysni ekonomike dhe diplomatike ndaj Shqipërisë sesa të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak. Greqia e sheh vetën në një afat më të gjatë si partneri më i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë dhe konsideron se izolimi i Tiranës do të dëmtonte ndikimin e Athinës në emër të pakicës greke.

Në maj, Papandreu përjashtoi mundësinë e hapave ushtarak. Greqia do të përgatitej për ndërhyrje ushtarake vetëm nëse do të besonte se pakica greke ishte e kërcënuar nga ndonjë vërshim i shqiptarëve që po ikin nga dhuna në Kosovë.

Nëse tensionet vazhdojnë dhe grekët në Shqipëri shihen si caqe të ‘spastrimit etnik’, Athina do të vihet përballë një trysnie të furishme publike për të ndërmarrë ndonjë veprim më të skajshëm, përfshirë edhe veprimin ushtarak.

Keq-informimi ka gjasë që të vazhdojë të ushqejë mos-besimin në të dyja anët nëse nuk do të ketë ndonjë ndihmë nga demokracitë e fuqishme në Perëndim.

Në terma më afat-gjatë, armiqësia e dyanshme – pavarësisht përpjekjeve të të dyja palëve për t’i fashitur diferencat – do të rrëgjojë ambiciet greke për të qenë prijatare ekonomike në rajon. Në të njëjtën kohë, intrasigjenca greke në Ballkan do t’i distancojë edhe më tej grekët nga partnerët e tyre evropianë dhe amerikanë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here