Sarajet e Toptanasve u ndërtuan më 1833 si shtëpi pritëse për miqtë e familjes së Selim Pashë Toptanit. Kompleksi me arkitekturë me elemente orientale dhe dekoracione me motive floreale në pjesën e drunjtë, kishte përveç dhomave, puse, ambiente ndihmëse e porta.
Të dhënat historike tregojnë se ka qenë për një kohë të shkurtër seli e ambasadës amerikane në Shqipëri dhe ambienti i të parës Bibliotekë Kombëtare më 1920 kur ajo u themelua. Akademiku Emin Riza rrëfen vlerat e saj.
“Një banesë që është përdorur për miqtë se ishte familje e madhe. Duke qenë më zgjidhje të përshtatshme kompozicionale dhe funksionale, nuk ka ndjerë nevojën për të bërë ndërhyrje të herëpashershme ndaj ruan plotësisht planimetrinë dhe volumentrinë origjinale dhe është objekt i rëndësinë së veçantë”, shprehet akademiku.
Riza, specialist i banesës popullore në kohën kur godina u shpall monument kulture në vitet 1970 ka punuar për disa dekada te sarajet që shërbyen edhe si Drejtori e Institutit të Monumenteve deri në vitin 2000 kur iu kthye ish-pronarëve. Sipas tij, dëmet nga zjarri janë të riparueshme.
“Duhet ta rindërtojnë ai ka dokumentacionin e duhur që ruhet në IMK dhe ka fotografi dhe vizatime për tavanin që mund të rindërtohet siç ishte”, tha Riza.
Ministrja e Kulturës Elva Margatiti duke dënuar zjarrëvënien tha se është bërë kallëzim në polici, ndërsa konfirmoi lajmin e News 24 se objekti do të kthehet në institucion kulturor publik duke ruajtur vlerat e saj. Ndërsa presidenti Ilir Meta, duke e cilësuar gjenocid kulturor e barbari ndaj identitetit kombëtar, akuzoi se zjarret, vihen në funksion të ndërtimit të kullave dhe babëzisë së shfrenuar të betonit./BalkanWeb/