Prof. Dr. Rexhep Doçi

GALERIJE

Sa i përket mbretit ilir Galeri, që mendoj se ishte mbret i nënfisit Galabroi të Dardanëve, i cili sundoi kah fundi i shek. III dhe fillimi i shek. IV, kemi të dhëna nga një artikull në revistën e gazetës “Nin” të Beogradit. Në këtë revitë shkruan se vendbanimi i tij ishte vendlindja e tij, fortifikata madheshtore Romeliana apo Gamzigradi te Zajeçari përmbi Nish, ku i kishte filluar gërmimet arkeologjike gjermani Feliks Kanic, kurse më vonë i ka vijuar arkeologu serb Dragosllav Srejeviq, dhe se: “Në vitin 311 Galerije vdes afër Sofjes në rrugë për në vendlindjen e tij, Gamzigradin… Atë udhëheqës vital dhe sypatrembur e kanë krahasuar me Aleksandrin e Madh”. Për bazën apo fjalën gal-, që ne e shohim të protoshqipes apo pellasde-ilire-shqipe, e krahasuar pra me fjalën e sotme i galëm – e galme të shqipes, fjalë kjo pra që shfaqet që nga paraantika, antika e deri me sot në onomastikë dhe në jetën e përditshme, kam shkruar gjerësisht. Gojëdhënën për gjenealogjinë ilire e cek edhe Prof. E. Çabej: “Straboni me Apianin dardanët në pikëpamje etnike i përfshijnë me ilirët. Ky i dyti bile, Dardanin e sjell si të birin e Ilirit…Iliri, i biri i Kiklopit Polifem e i nimfës Galateia…”.

Kur jemi te Galerije, mbret ilir mbase i Galabrojve dardanë te Nishi, se kanë pasur lidhje të ndërsjella me Ilin apo Ilirin e parë të prindëve ciklopin Polifem dhe Galate në Sicilinë e jugut të Italisë, e thonë shumë studiues, e ndër ta po e përsërisim shkurtimisht mendimin e H. Hecquardit, që thotë: “Iliri, biri i ciklopit Polifem dhe Galatesë, të cilët e braktisën Sicilinë për t’u vendosur në brigjet e Adriatikut”.

Këtyre dëshmive të pamohuara dhe të panjohura për ne deri me sot për mbretërit ilirë Galaur e Galerije po ua bashkangjes edhe dy dëshmi për ilirët dardanë në Dardani apo Kosovë nga autori serb Emil Çershkov, siç vlerëson: “Si përmendore të njohura të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit na shfaqen këta shembuj emrash autoktonë ilirë: Nanea Galli – Uklar (Uglari i Lypianit-R. D.)…Në Soçanicë (katund në veri të Mitrovicës-R. D.) janë gjetur fragmente modelesh prehistorike e deri në shek. I-II. Qyteti merr fund në shek. IV. Titulli i kodrës Galiç mbi Soçanicë, është vetëm një koincidencë e rastit me emrin e fortifikatës…”. Dhe, të burimit shqip në kontinuitet në atë anë i shoh edhe oikonimet Trepçë, Zveçan, Mitrovicë etj. Si rezultat i përdorimit nëpër kohë të antroponimeve dhe patronimeve ilire-shqiptare me bazën gal- janë edhe emrat e fshatrave Galicë i Drenicës dhe Gallatë i Kurbinit (Shqipëri), që për fshatin Gallatë se i përkiste besimit katolik bën të ditur Kahriman Ulqini. Onomat me rrënjorin gal- mund t’i konsiderojmë edhe si pellasde-ilire-shqipe, sepse kjo fjalë shfaqet edhe te qindëra patronime të sotme kroate në Kroaci, p. sh. me fjalët gal, gall, galj, prej të cilave po i përmendim vetëm disa: Gal, Galan, Galac, Galak, Galambos, Galant, Galar, Galas, Galavič, Galec, Galek, Galer, Gallan, Galić, Galik, Galjar, Galjar etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here