“Vanguard”, një ndër kompanitë më të fuqishme të investimeve në botë, do t’ua ofrojë nga 1.000 dollarë punëtorëve të vet në ShBA, nëse e marrin vaksinën kundër koronavirusit.
Kohëve të fundit, kompanitë amerikane po marrin qasje të ndryshme me njëra-tjetrën rreth vaksinimit të stafit. Për shembull, gjigantët “Google” dhe “Microsoft” e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për tërë stafin.
Kompania “Vanguar”, e cila ka rreth 16.500 punëtorë në Shtetet e Bashkuara, tha se vaksinat janë mënyra më e mirë për ta ndalur përhapjen e Covid-19 dhe se e inkurajon fuqishëm stafin për t’u vaksinuar.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara po përballen me rritje të numrit të infektimeve kohëve të fundit. Besohet se në përkeqësimin e gjendjes po ndikon përhapja e variantit më ngjitës, Delta.
Qeveria qendrore po përballet edhe me kundërshtimin e disa guvernatorëve rreth masave më të rrepta. Guvernatorët e Teksasit dhe Floridës, për shembull, kanë marrë masa kundër detyrimit për vendosjen e maskave. Kjo gjë e ka irrituar Presidentin Biden, i cili u ka thënë që “të ndihmojnë ose të largohen nga rruga”.