Nga Leonard Veizi

Një vepër e madhe do kohë të përtypet, të rilexohet deri sa të dalë përfundimi se ajo është një vepër mbi të tjerat, pra një kryevepër. Kështu ka ndodhur me shumëkënd nga shkrimtarët që kanë lënë kryevepra në botën e letrave. Kështu ka ndodhur dhe me Servantesin, i cili i dhuroi botës një nga veprat më të mëdha letrare, “Don Kishotin e Mançës”…

…Servantesi vdiq në varfëri, ndërsa jeta e tij ishte më tepër se bohemiane. Mendohet se Miguel de Cervantes Saavedra të ketë lindur në 29 shtator 1547. Studiuesit e tij thonë se nuk kanë gjetur një datë të saktë në ndonjë regjistër. Por ndoshta ai ka lindur vërtet në 29 shtator, ditën e San Miguel-it, prej të cilit mori dhe emrin. Dihet se ai ka lindur në Alcala de Henares, një qytet i vogël pranë Madridit, ku ai u pagëzua në kishën e Santa Maria-s, më 9 tetor 1547.

pak dihet rreth njëzet viteve të para të jetës. Është zbuluar se ai ishte regjistruar në shkollën e humanistit spanjoll, Juan Lopez de Hoyos, në Madrid. Por ishte vetëm 22 vjeç kur u akuzua, se plagosi gjatë një dueli një murator. Do të përfundonte në burg, por u arratis.

Mori pjesë në luftëra, për Spanjën e Portugalinë. U plagos rëndë dhe u rimëkëmb, por humbi dhe dorën e majtë gjithashtu. Ndërkohë bëri pesë vjet burg, pasi u kap rob nga piratët algjerianë të cilët i drejtonte një shqiptar i çartur dhe u shit si sk llav. Doli prej birucave i zhytur në borxhe, sepse vëtëm kështu u sigurua liria e tij.

Me dorën e mbetur, iu fut letërsisë e shkroi një sërë dramash, – sepse asokohe kronikat thonë që teatri ishte në modë, pasi njerëzit nuk kishin shumë dëshirë të lexonin, – por nuk pati ndonjë sukses për t’u pasur zili. Pati dhe dy përvoja të tjera si i burgosur në burgun e Seviljes, për periudha të shkurtra, por që i shërbyen për të shkruar letërsi. Në vitin 1605 shpërthimi ishte i papritur.

1500 kopjet e para të romanit të tij “Don Kishoti i Mançës” u shitën menjëherë. Në tetë vitet e para pas botimit pati 6 ribotime në spanjishte, si dhe një sërë përkthimesh në gjuhë të tjera evropiane. E, megjithatë, shkrimtarin 58-vjeçar, as kjo nuk e bëri të pasur.

Romani në shqipe

Historia e Don Kishotit erdhi në Shqipëri si një libër ku pjesa e parë e tij është përkthyer nga Fan Noli, ndërsa pjesa e dytë u përkthye vite më vonë nga Petro Zheji. Botimi i parë është titulluar “Sojliu mendje – mprehtë, Don Kishoti i Mançës” dhe doli nga shtypi në vitin 1933 prej shtëpisë botuese “Mass” në Boston.

Dy vëllimet e romanit të famshëm, e patën jehonën më të madhe në vitin 1977, në botimin e dytë të tyre, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” ku tirazhi kapte shifrën e 20 mijë kopjeve, me kopertinën emblematike në ngjyrë portokalli e grafikën ilustruese të dyshes legjendare Don Kishoti mbi gërdallën Rosinant e me një ushtë në dorë, si dhe shqytari i tij besnik, Sanço Panço, një metër më poshtë, hipur mbi një gomar.

“Sojliu” i Nolit

Po çfarë na thotë Fan Noli në parathënien e tij. Ai shkruan se: Servantesi e shkroi “Don Kishotin”, sikundër na thotë ai vetë, me qëllimin që të diskreditonte librat e kalorësisë. Për më tepër Noli, i cili sjell Don Kishotin në shqipe si një sojli, shprehet se fisniku spanjoll u angazhua aq shumë të zgjidhte disa shprehje filozofike të shkrimtarëve kalorësiakë, ku më e koklavitura mbetej: “Arsyeja e mosarsyes që i bëhet arsyes sime, ma dobëson aq shumë arsyen, sa me arsye vajtoj bukurinë tënde” Dhe pastaj vula i vihej me sentencën tjetër të pazbërthyeshme: “Qiell i lartë, që ndrit me yjtë hyjërisht hyjësinë tënde, të vlerëson për vlerën që vlen madhëria jote”.

Dhe kështu sojliu Kishot, ia mbathi nga çifligu i tij, me qëllim që të luftonte e të vinte në vend padrejtësitë. Idealist i pandreqshëm i ndikuar nga leximi i librave lakorsiak, që më së shumti glorifikonin fitoret e spanjollëve ndaj arabëve, Don Kishoti jetonte një jetë paralele, ndaj vendosi parzmoren në gjoks dhe një përkrenare në kokë dhe u nis për “luftë”.

Dhe në aventurat e tij të pakuptimta, ku shpesh të tjerët ia mernin me zbritje fantazitë mbi armiqtë e mundshëm dhe të adhuruarën Dylqinjën e Tobozës, dashurinë platonike të jetës së tij, e vetmja betejë që bëri ishte ajo me mullinjtë e erës.

Interpretimet

Fillimisht, Don Kishoti u interpretua më së shumti si një vepër komike. Studiues të ndryshëm thonë se pikërisht pas Revolucionit Francez, rreth veprës pati një tjetër qasje; që individët mund të kenë të drejtë, ndërsa shoqëria është e gabuar. Në shekullin e 19-të, qasja ndryshoi sërish.

Këndvështrimi i ri i kritikës e shikonte veprën si një tragjedi në të cilën idealizmi dhe fisnikëria e Don Kishotit shihet nga bota postkalorësiake si e çmendur dhe mposhten e bëhen të padobishme nga realiteti i përbashkët. Ndërsa në shekullin e 20-të, romani kishte zënë hapësirën mes themeleve të letërsisë moderne.

Don Kishoti në film

Por në mesin e viteve ‘70 televizioni shqiptar, transmetoi një film televiziv me katër pjesë prodhim gjermano-francez i vitit 1965, xhiruar në bardhezi nën titullin “Don Kishoti i Mançës”. Pa dyshim, ky film pati jehonë më të madhe, sepse edhe libri, ndonëse i botuar në tirazhe të mëdha, gjithsesi nuk mund ta konkurronte audiencën e ekranit.

Për më tepër, kur një sondazh i bërë në Spanjë nga Qendra për Kërkime Sociologjike, vlerësonte se në 10 spanjollë të pyetur, vetëm dy prej tyre e kishin lexuar deri në fund Don Kishotin, dhe një pjesë tjetër pohonin se ishte një vepër e vështirë për t’u lexuar.

Don Kishoti pas Biblës

Servantesi kishte shkruar gjithfarë historish që nuk e kishin gjetur rrugën e suksesit, por në moshën 58-vjeçare, Don Kishoti do ta çonte në apogje. Tanimë romani “Don Kishoti i Mançës” konsiderohet si më i lexuari dhe më i përkthyeri pas Biblës. Ndërsa në vitin 2002 u shpall “libri i librave” dhe “Libri më i mirë artistik i shkruar në të gjitha kohërat”.

Don Kishoti ka ardhur në spanjishten moderne nga shkrimtari Andres Trapiello. Tanimë aventurat e Don Kishotit të Mançës dhe shërbëtorit të tij Sanço Panço janë lexuar në të pesë kontinentet. Don Kishoti merret si model e pikë referimi për krijimtarinë në mbarë botën. Kjo vepër, që njihet edhe si romani i parë modern, është jo vetëm një kryevepër e letërsisë spanjolle dhe një nga veprat më të rëndësishme të kulturës botërore. Servantesi, si shkrimtar, është krahasuar me Homerin, Shekspirin dhe Danten./Jo.Be/Fjala.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here