Këto ndodhi nisën dhe bitisën në mënyrë misterioze, askush nuk e di se çfarë ndodhi në ndërkohë. Për të kaluarën, historianët dhe arkeologët zbulojnë thuajse çdo ditë gjithnjë e më shumë sekrete, gjithsesi, pavarësisht kërkimeve për dekada, apo edhe shekuj, shumë prej tyre vijojnë të mbeten të pazgjidhura. Nganjëherë kjo vjen si pasojë e humbjes së materialeve ose shkatërrimit të një vendi arkeologjik. Herë të tjera, sepse nuk ka gjasa të dalin prova të reja ose provat ekzistuese janë kaq të paqarta, sa bën që akademikët të mos bien në një mendje.
Ja disa nga rastet e ndodhive të pashpjegueshme, që historianët vazhdojnë të hulumtojnë.
Fëmijët e Gjelbër të Woolpit
Kjo është historia mesjetare e dy fëmijëve, që u shfaqën në periferi të një fushe në fshatin anglez Woolpit. Vajza dhe djali i vogël ishin të dy me lëkurë jeshile, flisnin një gjuhë të paidentifikuar dhe hanin vetëm bizele. Kur filluan të konsumonin ushqime të tjera, e humbën ngjyrën e gjelbër. Një herë, u sëmurën. Djali vdiq, kurse vajza mbijetoi dhe, me kalimin e kohës, filloi të mësojë anglisht. Më vonë, tregoi historinë e tyre, duke pretenduar se vinin nga një rajon i quajtur “Toka e Shën Martinit”, ku njerëzit jetonin nën tokë në një atmosferë mugëtire të përhershme. Ndërkohë që disa e konsiderojnë rrëfimin si një gojëdhënë për një takim joreal me persona të një bote tjetër në një dimension tjetër, të tjerë besojnë se është një rrëfim i vërtetë, disi i ndryshuar i një ngjarjeje historike që meriton më shumë hulumtime. Mund të jetë mit ose legjendë e përcjellë brez pas brezi, veçse ndër vite janë propozuar fare pak ide, pa asnjë provë apo argument, për të shpjeguar origjinën e fëmijëve.
– Në 1621, fëmijët e gjelbër “ranë nga parajsa”, sipas Robert Burton, studiuesi anglez i “Anatomia e Melankolisë”. Në trillimin spekulativ të Francis Godwin: “Njeriu në Hënë”, ky koncept vazhdoi të grishte kureshtinë.
– Sipas hipotezës“Helmimi me arsenik”, besohej se fëmijët ishin helmuar me arsenik. Si rezultat i helmimit, kujdestari i tyre mund t’i kishte braktisur në kufirin Norfolk-Suffolk për të vdekur.
– Ekzistonte edhe teoria e Anemisë Hipokromike, e njohur si Kloroza, që mund të ketë qenë e pranishme te fëmijët, sëmundje pasojë e një diete të keqe, e cila e shndërron ngjyrën e një personi të gjelbër. Lëkura kthehet në normalitet pasi ha një sasi të rregullt ushqimi. Megjithatë, asgjë nuk e shpjegon sjelljen e pazakonshme dhe historinë e çuditshme për origjinën e tyre.
Sipas të dhënave të dokumentuara, legjenda e fëmijëve të gjelbër vazhdon prej tetë shekujsh. Edhe nëse detajet e vërteta të tregimit mund të mos gjenden kurrë, ai ka frymëzuar poezi, libra, opera dhe shfaqje të panumërta në mbarë botën, madje vijon të zgjojë interesin e shumë mendjekrijuesve.
Vallëzimi i murtajës në vitin 1518
Në 1518, Frau Trofeta, një grua që joshte spektatorët me lëvizjet e saj, filloi të kërcente në mënyrë të pakontrolluar. Të pranishmit thërrisnin dhe brohorisnin, të elektizuar nga kënaqësia dhe entuziazmi i dukshëm i Trofetas. Soloja gjashtëditore zgjati derisa iu bashkuan qindra të tjerë dhe epidemia e vallëzimit goditi zyrtarisht qytetin, duke shkaktuar 400 viktima deri në gusht. Ndërsa vallëzimi i netëve të vona duket si diçka e mirë, muajt e dridhjeve dhe lëkundjeve të pakontrollueshme nuk janë. Ngjarja i hutoi mjekët lokalë, madje këshilluan që personat e prekur të asgjësoheshin. Komuna e hodhi poshtë propozimin, përkundrazi vendosi që të prekurit ta vazhdonin kërcimin derisa t’u kalonin ethet. Për të strehuar një maratonë të improvizuar, ata madje ndërtuan një skenë dhe rekrutuan muzikantë dhe valltarë profesionistë. Valltarëve u ra të fikët nga lodhja, ndësa disa kërcyen derisa vdiqën, nga goditjet në tru ose atak zemre. Vrazhdësia e lëvizshmërisë së vazhdueshme merrte çdo ditë jetën e 15 personave në të njëjtën kohë. Epidemia përfundoi në shtator, kur befas vallëzimi pushoi dhe të gjithë iu kthyen jetën së përditshme.
Epidemia e vallëzimit në Strasburg mund të duket si përrallë, por është e tëra e dokumentuar në të dhënat historike të shekullit të 16-të. Gjithashtu, nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Çmenduri të ngjashme shpërthyen në Zvicër, Gjermani dhe Hollandë, por asnjëra nuk ishte aq e madhe ose aq vdekjeprurëse, sa ajo që shpërtheu më 1518. Pati shumë teori, se nga se u shkaktua ky fenomen, por asnjëra nuk jep një përgjigje bindëse:
– Histeria masive: teoria supozon se valltarët ishin viktima të histerisë masive, rezultat i stresit ekstrem dhe telashet e jetesës. Incidenti i Strasburgut ndodhi gjatë zisë së urisë, që shkaktoi kequshqyerje dhe vdekje të mëvonshme. Por 400 vdekje? Kjo teori nuk e shpjegon shkakun e vërtetë.
– Ergotizmi: Efekti helmues, që mund të lindë nga konsumi i thekrit të mykur. Mirëpo, vallëzimi i pakontrolluar nuk është rezultat i ndonjë krize/helmimi nga ushqimi. Pra, edhe kjo teori bie.
– Mallkimi i Shën Vitusit: Ideja sillet rreth Shën Vitusit, një shenjtor i devotshëm katolik, i cili thuhej se gëzonte aftësinë e mallkimit të personave me sëmundje vallëzimi. Duke iu shtuar edhe vuajtjet e sëmundjes dhe urisë që shkatërruan Strasburgun më 1518, besimi i Shën Vitusit mund të ketë ndezur një furi shkaktuar nga stresi, që kaploi pjesën më të madhe të qytetit.
Ishte vërtet mallkimi i Shën Vitusit, apo ishte një shfrim psikologjik i shkaktuar nga sëmundja dhe uria që shkatërruan zonën në atë kohë? Askush nuk e di me të vërtetë.
Dorëshkrimi Voynich
Kodiku mesjetar prej 240 faqesh i shkruar në gjuhë të padeshifrueshme, i tejmbushur me foto të çuditshme të bimëve ezoterike, gra nudo dhe simbole astrologjike, mbetet misteri 600-vjeçar që vijon të hutojë historianët, kriptografët, fizikantët dhe shkencëtarët kompjuterikë. Teksti Voynich, siç dihet, sfidon klasifikimin dhe të kuptuarit. Ky puzzle është kaq i vështirë për t’u zgjidhur, sa nuk janë të paktë ata që e konsiderojnë atë si mundësinë e artë për të demonstruar aftësitë analitike në disiplinat e zgjedhura prej tyre. Të tjerët e shohin atë si një mundësi për të eksperimentuar me teknologjitë më të fundit dixhitale dhe inteligjencën artificiale. Për ca të tjerë, e rëndësishme është emocioni i kërkimeve. Veçse, nisur nga natyra enigmatike, disa gjuetarë Voynich shprehen, se gjuetia është “helm i pastër” për një karrierë akademike në lulëzim, sepse kur analizon librin “ekziston gjithmonë një mundësi e vogël për të bërë një gabim trashanik”.
Disa përpjekje për të deshifruar mesazhin e fshehur në dorëshkrim:
– Dokumenti iu nënshtrua teknikave të deshifrimit nga William dhe Elizebeth Friedman, dy personazhe kryesorë në zbërthimin e kodeve moderne. Edhe pse studiuan libra të tjerë dhe u rekrutuan për të zbërthyer kodet gjatë dy Luftrave, kurrë nuk mundën ta zgjidhnin kurrë.
– Sipas William Newbold, filozof në Universitetin e Pensilvanisë, i interesuar në kriptografi në 1921, libri shkencor u hartua nga një murg i shekullit të 13-të. Newbold pohon se çdo shkronjë misterioze përbëhej nga simbole mikroskopike, që me zmadhimin e duhur mund të lexoheshin, çka nënkupton se mikroskopi ka ekzistuar shekuj para se ta imagjinonim. Por, përsëri, asgjë nuk u vërtetua.
– Studimi i fundit i Voynich përdori analizën kompjuterike me metoda shumë më të përparuara. Që nga viti 2013, botanisti Arthur Tucker ka pohuar, se bimët Voynich, ishin autoktone në Amerikë e shekullit të 16 -të. Mirëpo, botanistët dhe shkencëtarët, nuk e kanë marrë në konsideratë idenë e tij.
Pra, gjithmonë kanë qenë vetëm spekulime, hamendësime dhe teori, se çfarë mund të jetë ky dorëshkrim, pa ndonjë dëshmi ose argument të duhur.