Pas 1500 vjetësh mposhtet udhëheqja zvicerane me 40 mijë ushtarë/ Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua. Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri. Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë

Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua. Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri.

Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë. Kjo tablo e realizuar me mjeshtëri nga dora e piktorit L. Lotto mendohet se i kushtohet shqiptarit të shquar Mërkur Bua Shpata.

Tërheqjen e fundit flitet se e bëri në qytetin Trevizo, qytet që e shohim në sfond të portretit.

Lotto e jep në këmbë Mërkur Buan, me beretë të zezë dhe dorën e djathtë vendosur mbi një tavolinë, nën të cilën shquhet një kafkë e vogël, e rrethuar me petale trëndafili e jasemini, me pamje fisnike si edhe në veshje. Disa kanë vërejtur unazën në gishtin e vogël (p.sh. shkrimtari Luan Rama, të cilit i referohemi; të dhënave të përshkrimit bashkangjitur dhe foton, në një artikull të tij e lidh me gruan e tij të vdekur), po ashtu dhe unazën në gishtin e martesës së dytë të bërë me një fisnike veneciane. Ndërsa studiuesi i enciklopedisë, Ferid Hudhri, shënon se pamja melankolike e fisnikut të ve, të cilit, sipas përshkrimeve nga historianët, i ka vdekur gruaja gjatë lindjes, është një ndër elementet mbi të cilat mbështeten biografët në përkatësinë e portretit.

Nuk mund të flitet me saktësi se kur historia ka nisur të merret me këtë figurë, por mund të themi se në median e shkruar është folur mjaft pak për Mërkur Bua Shpatën.

Ekziston një artikull në gazetën “Bota sot” (11.12.2012, botim i diasporës, me titull: “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, ku flitet për meritën që pati si udhëheqës në vendosjen si zonë neutraliteti të Zvicrës).

Po ashtu me pemën historike të luftimeve të Mërkur Buas merret dhe studiuesi i njohur Luan Rama (“GSH”, 14.3.2010), dhe një informacion për familjen princërore Bua, simbolet dhe heraldikën e tyre e gjejmë në faqen informative “Wikipedia”.

Këtyre tri burimeve u jemi referuar për të hedhur një vështrim mbi portretin e panjohur të Mërkur Buas, referuar së fundi edhe publikimit të pikturës në enciklopedinë e parë të arteve pamore shqiptare.

Në gazetën “Bota sot”, referenca është studiuesi Astrit Leka (aktivist ne diasporë) në rastin e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë, duke çuar në një punë kërkuese për historinë e Zvicrës. Në këto hulumtime që boton në numrin e saj gazeta e diasporës e vendosur në Zvicër ndesh emrin e Mërkur Bua Shpatës, stërnip i Gjin Bua Shpatës, duke zbuluar rolin që kishte luajtur në historinë e Zvicrës.

Pyetja e parë për t’u shenjuar nga këto njohuri është cilësia e këtij personaliteti, cili është konti i Akuinos dhe Rokasekas, që përfshin perandorinë romane dhe gjermanike.

Pasardhës i familjes princërore, Mërkur Bua thuhet se është me prejardhje nga bregdeti i Shqipërisë së sotme, e vendosur në Peloponez. Të parët e tij kishin qenë despotë të Angelokastrës dhe të Artës, si edhe baronë të Despotatit të Moresë.

“Flamuri i kontit Mërkur Bua Shpata i njohur nga perandori i shenjtë roman Maksimalian (1510). Petro Bua mërgoi në Gadishullin Apenin. Aty Mërkuri u shqua si luftëtar dhe prijës trim i merc enarëve shqiptarë e ballkanas”, – citojmë nga “Bota sot”. Në këtë periudhë të historisë evropiane studiuesit nxjerrin në pah se Mërkur Bua ishte njohur si një nga komandantët ushtarakë më trima të Evropës, që i takojnë fundshekullit të XV. Mërkur Bua luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiliani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë. Mërkur Buas i njihet titulli kont në vitin 1510. Në pemën gjenealogjike të familjes koha e vdekjes së tij jepet midis vitit 1527 -1560. Mbajtja e titullit kont shoqërohet dhe me njohjen e simboleve heraldike, ku titulli jepet dhe bëhet i dallueshëm në trajtën e kurorës përkatëse të kokës (kurorë konti), që paraqitet edhe në stemë, si dhe njohja e paraqitja e origjinës fisnike familjare, e cila pasqyrohet në shqytin e tij. Deri më sot nuk kemi paraqitje artistike të stemës së kohës së Mërkur Buas e cila vjen e ndryshme në kohë të ndryshme. Ai u njoh si aleat i Luigjit XII të Francës duke mundur spanjollët.

Pas fitores venedikase të vitit 1513, Merkur Bua pranoi t’u shërbente venedikasve dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit, veçon studiuesi Luan Rama, në artikullin “Dominus” Merkur Bua, Historia e një pasardhësi të denjë të Gjin Bua Shpatës” (citim nga “GSH”. 14.3.2010). Në artikujt e paktë për këtë figurë thuhet se shumë kronikanë kanë shkruar për luftën e tij, në çdo vend të Evropës.

Mërkur Bua i shndërruar në “një sinonim betejash” arriti të krijojë “figurën e tij legjendare”.

Në vitet ‘500 ai ishte bërë tashmë mjaft i njohur sipas studiuesve në luftërat e Italisë.

Në artikullin “Bota sot”, duke iu referuar hulumtimit të bërë, thuhet se në vitin 1515 pranë Milanos është zhvilluar beteja e madhe e Marinjanit, duke hyrë në histori si “beteja e gjigantëve”, pasi merrnin pjesë ushtritë më të rëndësishme të Evropës.

“Nga Franca erdhi Françesku i Parë, ushtritë e Papës, ushtria e Venedikut, ushtria zvicerane, kundërshtare e tyre dhe ushtria e Maksimilianit, perandorit gjermanik.

Në betejën e Marinjanit me 13 shtator herë dukej se fitonte njëra palë, herë pala tjetër. Madje edhe vetë mbreti Françesk u plagos. Të nesërmen, aty, kah mesdita, zviceranët sulmuan dhe po mundshin francezët. Atëherë mbreti i Francës kërkoi ndërhyrjen e 40 000 ushtarëve të Venedikut.

Këmbësoria e rëndë e Venedikut në kohën kur francezët po mundeshin, ishte e vendosur në Lodi, katër orë larg në këmbë nga fusha e betejës. Pra kur të vinte ajo në ndihmë, zviceranët do ta kishin fituar betejën” (Bota sot, “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012)

Sipas këtij artikulli Mërkur Bua Shpata, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti të tronditë udhëheqjen ushtarake të 40 mijë ushtarëve zvicerane, duke u gjendur në krah të Francës. Kjo është beteja e famshme, për të cilën zviceranët sipas artikullit të “Bota sot”, patën kujtuar se kishin të bënin me një mijë kalorës, duke marrë vendimin e tërheqjes dhe pranimin e humbjes. “Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua ndonëse i plagosur arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane. Beteja u fitua nga ai”. Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha e Jul Cezarit nuk kishte njohur dështime. Vetëm një vonesë e vogël e Mërkur Bua Shpatës do t’u jepte fitoren zviceranëve. “Është shkruar se në mbrëmjen e asaj dite të fitores, mbreti Françesku i parë i Francës, kur po festonin fitoren, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij. Historianët këtë fitore ja kanë atribuuar Françeskut të parë, mbretit të Francës. Por një mbret 21 vjeçar që bënte pagëzimin e luftës për herë në atë ditë nuk mund të qe strategu i fitores se betejës së gjigantëve. Kjo provohet edhe nga fakti që dhjetë vjet më vonë, në betejën e Pavias, mbreti Françesku i Parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Ai u mund, ra rob lufte dhe po të mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vr arë nga merc enarët katalanas. Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri këtij nderimet si mbret, si aleat e vartës i dikurshëm, të zgjidhte suitën dhe të kishte trajtim mbretëror” (Bota sot “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012)

Duke cituar po të njëjtin burim të informacionit, thuhet se dy muaj më pas, zviceranët u mblodhën dhe vendosën që të mos dalin kurrë jashtë kufijve të vet, si pushtues. Është momenti kur ata shpallën neutralitetin.

Vitet e fundit të jetës, Mërkur Bua Shpata i ka kaluar në Trevizo, duke u tërhequr deri në vdekjen e tij, trupi i të cilit u varros në kishën e Santa Maria Maggiore.

Përgatiti:L. M

Stemat e Mërkur Buas

Mërkur Buas i njihet titulli kont në vitin 1510. Në pemën gjenealogjike të familjes koha e vdekjes së tij jepet midis vitit 1527 -1560. Mbajtja e titullit kont shoqërohet dhe me njohjen e simboleve heraldike, ku titulli jepet dhe bëhet i dallueshëm në trajtën e kurorës përkatëse të kokës (kurorë konti), që paraqitet edhe në stemë, si dhe njohja e paraqitja e origjinës fisnike familjare, e cila pasqyrohet në shqytin e tij. Deri më sot nuk kemi paraqitje artistike të stemës së kohës së Mërkur Buas e cila vjen e ndryshme në kohë të ndryshme. Jepet një përshkrim për stemën e tij, si dhe shoqërohet me një ilustrim po të këtij viti në librin “Ellenika anekdhota perisillehthenta kai ekdhidhomena kat egkrisin tis Bojlis Ellinikis Dapanis”, vëll.1-2, Athinë1867, të Sathas, K.N., por edhe ato kanë ngarkesa të lehta subjektivizmi. Stema është e punuar dhe botuar edhe nga N. Manesku dhe është e ribotuar në librin e Sturdza, M.D. “Dictionnaire historique et Genealogique des Grandes Familles de Grece d`Albanie et de Constantinople”, Paris 1983.

Varianti i dhënë i përshkruar është verifikuar nga autoritetet e Vjenës. Stema që njihet me emrin e Mërkur Buas përbëhet nga këto elementë: shqyti, përkrenarja e kurorëzuar, kreshta e përkrenares, si dhe pëlhura e kokës (ojnat). Nga pikëpamja heraldike kemi të bëjmë me një zhvillim thuajse të plotë të stemës në fjalë. Shqyti është i ndarë në katërsh. E para është e prerë në të blertë (në këtë blazon paraqitet gabimisht e purpurt) dhe në të kaltër. Në të blertë paraqitet një kryq i artë patent, midis dy yjeve të arta tetëcepëshe. Në të kaltër paraqitet një ferrëgjatë i artë dhe i kurorëzuar. E dyta është e kaltër me një shqipe të artë flatrëhapur dhe e kurorëzuar. E treta është e brezuar në 12 pjesë (të valëzuara) të argjendta dhe të kaltra. E katërta është e zezë, nga e majta futet një llërë e veshur me të kuqe, në dorë ka mbërthyer katër (bolla) vitore të blerta. Në qendër të shqytit ndodhet një “shqytëz tërfil” me krye të zbukuruara nga tri kurora të arta dhe me buzim po të artë. Shqytëzi është i kaltër me një grifon të artë dhe të kurorëzuar. Forma e tij simbolizon trininë e shenjtë, ndërsa kurorat simbolizojnë monarkinë, atë të perandorit gjerman Maksimiliani I.

Mbi shqytin përkrenarja e argjendtë është e kurorëzuar me pesë kangjella të arta, me pëlhurë koke të ojnëzuar, të kaltër nga brenda dhe të blertë nga jashtë (në këtë blazon paraqitet gabimisht e purpurt). Në konvencionin heraldik ngjyrat e pëlhurës së kokës rrëfejnë dhe ngjyrat e mantelit të përdorur prej Mërkurit. Kreshta përbëhet nga katër kokë të arta luani. Numri i tyre lidhet formalisht me numrin e stemave që përbëjnë shqytin. Shqytëzi në formë tërfili që i lidh dhe i mbivendoset stemave të tjera tregon njohjen, aprovimin si dhe mbrojtjen e këtyre simboleve nga perandori Maksimiliani I. Analizimi heraldik i shqytit tregon se kemi të bëjmë me një bashkim, ndërthurje stemash të veçanta, që dikur kanë qenë më vete. Ato vijnë të bashkuara në shqyt për arsye të panjohura prej nesh, por që më i shpjegueshëm mund të jetë fakti i një subjektivizmi të

Mërkur Bua për të ngjizur në një tërë lavdinë e së kaluarës së familjes, origjinës së tij të shprehur nëpërmjet stemave heraldike. Duke bërë analizën e tyre brenda fakteve heraldiko-historike, secila stemë ka shpjegimin e saj që e lidh dhe bashkërendon me të tjerat. Përshkrimi që i bëhet stemës së Mërkur Buas në njohjen e motivacionit të kontit na ndihmon të kuptojmë historinë e pjesërisht përkatësinë e stemave përbërëse të shqytit të tij, pasi gjuha heraldike pasqyron deri-diku dhe historinë e familjes që e mban atë; pra një histori e shprehur në simbole.

Megjithatë ka elemente në stemë për të cilat nuk mund të flitet në mënyrë absolute për shkak të zbrazësive të herëpashershme historike që i mbulojnë ato. Në një të katërtën e parë të shqytit ndeshim një ferrëgjatë të artë të kurorëzuar, që është simboli i familjes mbretërore të Francës, i cili vihet në pozicionin e privilegjuar dhe të kryesimit të shqytit për të treguar varësinë e Mërkur Buas me stemat e tij, ndaj kurorës mbretërore franceze të Ludovikut. Forma e vjetër e kryqit të artë patent lidhet me hershmërinë e përqafimit të kristianizmit nga ana e familjes mbretërore në fjalë dhe yjet e arta tetëcepëshe flasin për lavdinë e saj në mbrojtje dhe në udhërrëfim drejt krishtërimit. Në një të katërtën e dytë një shqipe e artë, flatrëshpalosur dhe e kurorëzuar tregon se kemi të bëjmë me simbolin e familjes të despotëve të Angjelokastrës, të cilët siç dihet kryesoheshin nga Gjin Bua Shpata e pasuesit e tij. Në një të katërtën e tretë të shqytit nga përshkrimi që i bëhet stemës së Mërkur Buas në njohjen e motivacionit të kontit tregohet për një krahinë të Bregut të quajtur “Boyena” që tregon origjinën e zotëruesve të stemës. Përshkrimi në motivacion nuk ndihmon në përcaktime të sakta për të, por duke u nisur nga vizioni heraldik kemi të bëjmë me një krahinë bregdetare, ndofta-ndofta kemi të bëjmë me stemën e sunduesve Bua të Moresë, të cilët mund ta kenë thirrur vendin ku kanë jetuar me emrin e tyre Buena.

Në një të katërtën e katër të shqytit, ku tregohet një krah me mëngë të kuqe, i cili futet nga e majta e shqytit, duke mbajtur në dorë katër vitore (bolla) të blerta, është stema e hershme e Buajve, të cilën Mërkur Bua, në përshkrimin që i bën stemës së tij në njohjen e motivacionit të kontit, e lidh me hershmërinë e historisë së lavdishme të familjes Bua që është pasardhëse e denjë e lavdisë së mbretit Pirro të Epirit (në një legjendë për Pirron e Epirit tregohet se ai mbyti me shtrëngimin e dorës një gjarpër kur ishte fëmijë). Flitet dhe për një lidhje midis mbiemrit të Buajve me emrin e simbolit në këtë stemë (bolla).

Më 1490 Buajt i gjejmë në Librin e Artë të familjeve fisnike në ujdhesën e Korfuzit, asaj kohe nën Republikën e Venedikut, ku më 1622 shquhet fisniku Petro Bua, i cili kryeson një përfaqësi të fisnikërisë së Korfuzit pranë senatit të Venedikut. Fisniku Petro Bua mbante një stemë të artë me majë të blertë, majtas hyn një llërë me byzylyk, në dorë mban një degë të blertë me gjethe, që shoqërohet me dy iniciale P dhe B, që nënkupton Petro Bua. Më pas kjo stemë do të jetë blazoni i Buajve të Korfuzit. Emblema vjen tek ne vetëm e përshkruar. U botua nga M. D. Sturdza në “Dictionnaire historique et Genealogique des Grandes Familles de Grece d`Albanie et de Constantinople”, Paris 1983. Nga pikëpamja formale ka një ngjashmëri midis stemës së vjetër të familjes Bua dhe asaj të Petro Buas, ndonëse simbolet themelore ndryshojnë: një llërë që futet nga e majta e shqytit e mban me dorë – simbole të ndryshme. Duke u nisur nga të dhënat heraldike të mësipërme do të thoja se mungesa e dokumentimit të këtyre stemave krahas asaj ku ato paraqiten të bashkëngjitura dhe të përshkruara për Mërkur Buan krijon një paplotësi në historinë e qenësisë dhe interpretimin e tyre. Gjithsesi studimet e mëtejshme heraldike mund të sjellin mendime të reja dhe më të plota për simbolet e familjes më në zë në historinë e gjysmës së dytë të shek. XIV në trevat jugore të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here