shkruan Blerim Latifi

Kanuni i Lekës dhe ligjet e luftës

Rrëfimi madhështor për Brahim Ahmet Delinë

Ky është një rrëfim të cilën po e ndajë për herë të parë me ju miqtë e mi në facebook. Është një rrëfim që tregon aq shumë për sjelljen tradicionale të shqiptarëve në kohë luftërash. Ajo ka të bëjë me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Ishte viti 1942.
Sulmet që njësitë ushtarake të çetnikëve të Drazha Mihajloviqit kishin filluar t’i bënin herë pas here në kufijtë veriorë të Kosovës, kishin nxitur një mobilizim të madh të forcave vullnetare shqiptare për t’iu kundërvënë këtyre sulmeve. Në krye të këtyre forcave ishin vënë njerëzit që gëzonin autoritet të madh në fshatrat dhe rajonet e tyre. Urdhëri ishte që secili fshat të dërgonte njësitë e tij të armatosura në veri.

Në krye të batalionit të Prekazit u vendos Brahim Ahmeti, djali më i ri i Ahmet Delisë, i cili kishte rënë në përpjekje me ushtarët serbë derisa po e mbronte fshatin e tij nga sulmi i tyre, si sot 108 vjet më parë, me 25 dhjetor të vitit 1912. Forcat vullnetare shqiptare ia dolën shpejt t’i zmbrapsin çetnikët e Mihajloviqit dhe madje të depërtojnë thellë në territore të banuara me popullatë serbe në rajonin e Kolashinit e Sanxhakut të Novi Pazarit.

Një ditë batalioni i Brahim Ahmetit hyri në njërin prej fshatrave serbe. E gjithë popullata kishte marrë arratinë. Vetëm një grua me dy fëmijë të saj nuk kishte arritur të largohej. Arsyeja ishte se njëri nga fëmijët e saj ishte i palevizshëm. E frikësuar se luftëtarët shqiptarë do ta përdhunonin e vrisnin bashkë me dy fëmijët e saj, gruaja vrapoi t’i binte në gjunj komandantit të batalionit.

Duke u dridhur i tha atij : Me mua boni çfarë të doni, veç fëmijët mos m’i vrisni! Brahim Ahmeti ia ktheu : Çohu n’kambë! Askush nuk guxon me të prekë as ty as fmitë e tu. Shko në shpi e na gatuaj diçka se jemi të kputun nga uria. E befasuar nga fjalët e Brahim Ahmetit, gruaja serbe vrapoi në shtëpi për t’u gatuar ushqime luftëtarëve shqiptarë. Të nesërmen batalioni morri urdhër për t’u larguar nga fshati.

Derisa batalioni po bëhej gati për marshim, gruaja serbe iu drejtua Brahim Ahmetit me fjalët : Çka të bëjë unë e zeza nëse vijnë luftëtarë të tjerë e nuk sillen me mua kshtu si ju? Brahim Ahmeti ia ktheu : Pasiqë kemi ngranë bukën e shpisë tande, merre këtë shami dhe nëse ata që do të vijnë janë shqiptarë, u thuaj se këtë shami ma ka dhanë Brahim Ahmeti nga Prekazi si shenjë se jeni në besën teme.
Pas dy muajsh qëndrimi në frontet e luftës në Kolashin, batalioni i Prekazit morri urdhër për t’u kthyer në Kosovë.

Në hyrje të fshatit, Brahim Ahmeti shtiu pesë herë më pushkën e tij. Kur e pyetën se pse shtiu, ai ua ktheu : Ishim në luftë dhe po gjuaj se u kthyem nga lufta pa lanë mbrapa asnjë marre e faqe t’zezë!”. I tillë është ligji kanunor i luftës : Fëmijët, gratë dhe të pafajshmit nuk preken!

Vitin e kaluar Brahim Ahmeti u nderua me Medaljen e Lirisë nga Presidenca e Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here