Një mbret që mund të merret si mbret ilir apo pellasdo-ilir i para erës sonë është në një mënyrë a tjetër Odiseu, mbreti i Itakës së Peloponezit (Moresë), pjesëmarrës në Luftën e Trojës, që e cek dendur shkrimtari botëror Homeri në veprat e tij, p. sh.:”Kapedan kish Odise mendtarin; Odise hyjnori; Odise divin; Dhe prijsi i tyre i urti Odise”. Kemi arsye të forta ta quajmë Odiseun mbret pellasdo-ilir, sepse Homeri përmend dy të bijt e pellazgut Letho Teutamidit, pra, jo vetëm që Leto apo Letho Teutamidi ishte pellasd, po edhe patronimi Tutamidi përmban rrënjorin Teut- (Tut-), që të gjithë studiuesit e derisotëm e konsiderojnë rrënjë ilire. Odiseun si mbret ilir e kuptojmë edhe nga mendimi i Shaban Demirajt, i cili i ofron këto të dhëna për të: “ 6. Me rëndësi se sa pikat e mësipërme ka ky fakt gjeografik: Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë Veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakt të përhershëm me fiset ilire-shqiptare.
Paul Kreçmeri është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut në Itali kanë qenë fiset ilire. Helmigu kërkoi burimin e mitit të Odiseut te fiset barbare ose gjysmë barbare të Greqisë perëndimore. Edhe Kreçmeri e pat peshuar një gjë të tillë. Ky dijetar thotë f. 281: Odiseu kishte një orakël te Eyrutanët që nuk ishin grekë: mbi lidhjet e tij të ngushta me thesprotët”. Tre rreshtat e parë të Sh. Demirajt, nën numrin rendor 6. Janë identik me mendimin e mësipërm të Prof. E. Çabejt, i shfaqur në vitin 1977, kurse te Sh. Demiraj ky mendim është dhënë në vitin 2006, pa e cituar E. Çabejn. Porse, edhe nga këta dy gjuhëtarë shqiptar vërtetohet bindëshëm se Odiseu ishte hero apo mbret pellasdo-iliro-shqiptar.
Studiuesit shqiptarë e shohin antroponimin Odise me prejardhje shqipe nga dhé-u. Kështu, bashkautorët Luftulla H. Peza e Liljana Peza e shpjegojnë: “Odhise = udhës, udhëtar…”. Po këtë etimologji për Odiseun e jep edhe arbëreshi nga Greqia Niko Stilo, duke e cituar këtë antroponim nga një mbishkrim mumije parantike. Kurse, sipas Vojtech Zamarovskijt, pas peripecive marramendëse, “Odiseu për herë të parë pas njëzet vjetësh e kaloi natën në shtëpinë e vet…”. Pra, pasiqë Odiseu ka udhëtuar edhe nëpër det, përkatësisht nëpër ujëra, dhe mbase është quajtur edhe Uliks, që mendoj se te ky antroponim mund të kërkohet një trajtë e lashtë e fjalës shqipe ul-ujë, dhe prapashtesa, sipas Joklit, indoevropiane e zvoglimit–k, që në shipe ka dhënë prapashtesat e zvoglimit –c, –ç dhe –th.
Disa studiues heroin apo mbretin Odise e cilësojnë më tepër si grek, kurse po këtë mbret me emrin Uliks e konsiderojnë si romak, prandaj edhe ky dualizëm sikur e qet qartë këtë mbret pellasdo-ilir. Kështu, B.Klaiqi shton se “Uliks – emër latin për Odiseun”, kurse për V. Zamarovskijn “Odiseja personazhi kryesor i së cilës është Odiseu…Nën emrin Uliks (Ulixes-Ulikses) u ringjall pastaj në veprat e poetëve romakë”. Po kështu V. Zamarovskij, duke folur në 11 faqe libri për Odiseun, pos tjerash, cek që mendohet se shumë herët shfaqet Odiseu në veprat: “e poetit më të madh të të gjitha kohërave dhe të të gjithë popujve…, se krijimi i Iliadës dhe i Odisesë vendoset në shek. XII-XI. p. e. s., ndërsa, gjenden elementet madje edhe të periudhës mikenase, gjegjësisht të shek. XVI-XIV p. e. s.”.
Porse, në bazë të të dhënave të sipërpërmendura kujtoj se mbreti Odise nuk mund të quhet kurrsesi etnikisht grek (në veprën e Homerit “Iliada” nuk përmenden grekët as si grekë e as si helenë), e as si romak, sepse edhe në poemën botërore të Homerit “Iliada” del si i fisit mbase pellasdo-ilir Ajaks, ngase në “Iliadë” shkruan: “Dhe dy Ajaksat, Odiseu, Diomedi…; N’pallat mbretëror unë dhe Odiseu tok ishim; Odiseu ishte mbret i ishullit të vogël të detit Jon, Itakë”. Prejardhjen e Odiseut nga protoshqipja od për udhë-udhëtar (d-de>dhé) e përforcojnë edhe të dhënat etnografike për mbretin pellasdo-ilir Odise dhe bashkëluftëtarët e tij. Kam shkruar për Odiseun ose Odhiseun si portret dhe si shtatore me plis në kokë, si dhe Hektori me tirq porsi shqiptarët sot.
Lidhur me vërtetimin e çështjes etnogtrafike e etnologjike të kontinuitetit të shqiptarëve nga pellasdo-ilirët përmes veshjes me plisa të bardhë, po shtoj edhe dëshmitë e ofruara nga autori Eqrem M. Zenelaj, i cili thotë: “Odiseu me plis të bardhë” dhe “Zotat vëllezër: Zeusi, Poseidoni dhe Hadi me plisa të bardhë”. Përfundojmë për Odiseun, apo Uliksin e Itakës në Peloponez, përkatësisht në Morenë Shqiptare, ku edhe sot ka arbërshë autoktonë, se dëshmohet si pellasdo-ilir jo vetëm i paraantikës, po prania e iliro-shqptarëve gjatë mesjetës në More përforcohet sidomos me të dhënat, se në këtë ujdhesë, sipas veprës së V. Panajotopullos-it, emrat e fshatrave dhe të banorëve janë edhe sot më së 70% të burimit shqip.