Dëbimi i shqiptarëve, myslimanëve e të tjerëve nga Sanxhaku i Smederevës, filloi që kur shpërtheu Kryengritja e Parë serbe (1804). Kryengritësit, të nxitur nga udhëheqësit e tyre, njëkohësisht u vërsulën egërsisht mbi ta, pa zgjedhur mjetet: bënë vrasje, dhunime, keqtrajtime, dhënia e flakëve shtëpive e objekteve etj

Nga Ramiz ABDYLI

Shqiptarët ishin të pranishëm në Serbinë Jugore që nga mesjeta. Gjurmët e tyre në këto treva, duhet të jenë të mëhershme. Është thënë se ndonjë shqiptarë i këtyre trevave mori pjesë në betejën e Kosovës (1389). Historiografia serbe pretendon se shqiptarët depërtuan në Serbi, si nizamë të ushtrisë osmane, për t’i paraqitur ata bashkëpueshtues, tezë tendencioze, pasi në radhët e kësaj ushtrie pushtuese janë shquar edhe serb, përfshi edhe ndonjë kjanz, siç ishte S.Lazareviqi, që mori pjesë me ushtrinë e tij në betejën e Angorës (Ankarasë), Kraleviq Marko etj. Gjithsesi çështja e pranisë së hershme të shqiptarëve në Serbi duhet mbetet të sqarohet nga historiografia jonë në mbështetje të argumenteve të qëndrueshme, që mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.

Dokumentet osmane, dhe dokumente të proveniencave të tjera kanë dëshmuar se shqiptarët në shek.18 përbënin shumicën e popullsisë në Sanxhakun e Nishit,kazanë e Vrajës,dhe Kazanë e Pirorit, që ishin pjesë të Vilajetit të Kosovës, i cili kishte statusin e një province në Perandorinë Osmane.

Gjithnjë sipas këtyre dokumenteve, shqiptarët kishin një përqindje të vogël të popullsisë edhe në Sanxhakun e Smederevës, i njohur si Pashallëku i Beogradit. Njëra nga 12 nahijet e këtij sanxhaku, Nahija e Jagodinës, banohej me shumicë shqiptare. Është për të theksuar se shqiptarësinë e këtyre trevave e thotë edhe akademiku, dhe politikani serb, Vasa Çubriloviq, i njohur për qëndrimin e tij fashist ndaj shqiptarëve.

Në Elaboratin e tij të vitit 1937 për shpërngulën e shqiptarëve nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë ai ka lavdëruar qeverinë e vendit të tij, që ia kishte dalë ta zhbënte “pykën shqiptare që nga Jagodina” e në jug të saj.

Prandaj,këto treva i ka cilësuar si Aranutluk (Vasa Čubrilović, Politički uzroci na Balkanu od 1860-1880, GGD, So. C VI, Tom XVI, Belgrade, 1930, 43). Po kështu, edhe anglezi, Xhon Ros shprehet për shqiptarësinë e këtyre trevave:“Po thuaj popullsia e pjesës perëndimore të Sanxahkut të Nishit, janë shqiptarë, të besimit mysliman” (Nikola P. Ilić, Vojne operacije srpske vojske za oslobođenje Leskovca od Turaka 1877 godine).

Mbi bazën e argumenteve të mësipërme historiografia shqiptare i ka cilësuar trevat e mësipërme si Troje Etnike Veriore Shqiptare,rrjedhimisht troje etnike të Kosovës Verilindore (Kristaq Prifti, Popullsia e Kosovës, 2014;Gazmend Zajmi, në: Gjenocodi dhe aktet gjenocidale. . . , Prishtinë, 1995, 14).

DËBIMI NGA SANXHAKU I SMEDERËVËS

Dëbimi i shqiptarëve, myslimanëve e të tjerëve nga Sanxhaku i Smederevës, filloi që kur shpërtheu Kryengritja e Parë serbe (1804). Kryengritësit, të nxitur nga udhëheqësit e tyre, njëkohësisht u vërsulën egërsisht mbi ta, pa zgjedhur mjetet: bënë vrasje, dhunime, keqtrajtime, dhënia e flakëve shtëpive e objekteve etj. “Bëmat” e tyre i ka pohuar edhe K.Nenadoviq, biograf i udhëheqësit të kryengritjes, Karagjorgje Petroviqit, i cili midis tjerash thotë: “ (. . . ) serbët e zemëruar vrisnin turqit kudo që i hasnin , nuk kursyen as të plagosurit, as fëmijët”. Ndërsa historiani amerikan Philip Cohen, ka arritur në përfundimin se këto krime ndaj jo serbëve ishin të pëshembullts: “Fashizmi serb është me i vjetër se ai hitlerian, rrënjët e të cilit datojnë nga viti 1804” (Philip Kohen, Tajni rat Srbije, Zagreb 1997).

Është për të vënë në spikamë faktin se Serbia pati mbështetjen e gjithanshme të Rusisë dhe të Francës për dëbimin e shqiptarëve, e të jo serbëve nga Sanxhaku i Smederevës në Konferencën ndërkombëtare të Kalnixhes, pranë Stambollit (1862). Me insistimin e tyre, konferenca vendosi që jo serbët të “shpërnguleshin sa më parë nga Principata e Serbisë”.Përjashtim do të bënin vetëm ata që do të deklaroheshin “myslimanë serb”, apo romë. Për dëbimin përfundimtar të tyre nga territori i principatës serbe u sajua incidenti i njohur në Çukur Çezme, kur u vra djaloshi, Sava Petkoviq (16 qershor 1862). Ndërkaq, për efekte të popullimit me të shpejtë të trevave të braktisura me serb, Princi serb, Millosh Obreniviq, nxori Ligjin e veçantë (1865), sipas të cilit kolonët që do të vendoseshin në pronat e të dëbuarve, përjashtoheshin nga taksat dhe nga shërbimi ushtarak. Pasuan aksionet e ushtrisë serbe për dëbimin përfundimtar të gjithë jo serbëve. Këto aksione u shoqëruan edhe me plaçkitje,përvetësim të pasurisë dhe rrënimin e objekteve të te kultit islam (xhami e teqe).

PASTRIMI ETNIK I SANXHAKUT TË NISHIT

Pastrimi etnik i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Kazaja e Vrajës dhe Kazaja e Pirotit, ndodhi gjatë dhe pas Luftë serbo-osmane (1977-1878). Princi Milan Obrenoviq, para se ushtria e tij të fillonte operacionet luftarake kundër ushtrisë osmane,do t’i drejtohej shqiptarëve me një Proklamatë, me të cilën kërkonte që nëse nuk do të luftonin kundër ushtrisë së tij, ju garantonte jetën dhe paprekshmërinë e pronave. Ndërkaq, në Proklamatën drejtuar ushtarëve të tij, ky sundimtar përkonte prej tyre që “Sa më shumë shqiptarë të shpërngulni, aq më të mëdha do të jenë meritat tuaja për Atdheun” (J, Hadzi Vasilevic, Arbanaska liga-Arnautska kongra i srpski narod u turskom carstvu, Beograd 1909, 14). Ushtria serbe, e mbështetur nga ushtarë e instruktorë rusë, do t’ia dilte ta dëbonte ushtrinë osmane nga Sanxhaku i Nishit dhe trojeve për rreth, për një kohë relativisht të shkurtë (13 dhjetor 1877-5 shkurt 1878) dhe zbatoi me përpikëri urdhrin e sovranit të saj.

Operacionet luftarake të saj, u pasuan njëkohësisht me vrasje, masakrime, e keqtrajtime të mijëra burrave, dhunime të grave, rrënimin e shtëpive, vënien e zjarrit të shumë fshatrave e lagjeve shqiptare në qytete, shumë burra u hodhën në burgjet e Serbisë etj. Gjetën vdekjen, po kështu, edhe shumë shqiptarë të tjerë, sidomos fëmijë e pleq, që morën arratinë drejt Vilajetit të Kosovës, për të shpëtuar jetën. Këto masakra i kanë pohuar edhe disa dëshmitarë serb (S.Uka, Dëbimi me dhunë i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit (18, 1995, 77-1878, në: Gjenocidi . . . , 74-75). Është për të theksuar se qeveria serbe urdhëroi të masakroheshin edhe shumë shqiptarë të tjerë që vendosën të ktheheshin në trojet e tyre, në verë të vitit 1878, pasi kuptuan se Kongresi i Berlinit (10. 06-10-07), ju garantonte atyre jetën dhe pronën, nëse dëshironin të jetonin në Serbi. Por kjo e drejtë iu mohua. Vetë Knjazi serb, Milan Obrenoviq, do të urdhëronte ushtrinë dhe xhandarmërinë e tij që këta të mjerë të dëboheshin, sikurse të tjerët më parë, pa zgjedhur mjetet (Nikola. P. Ilić, Oslobodjenje Južne Srbije 1877-1878, Beograd 1977, 19-23).

Pasoi masakra e radhës e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe, ndërsa Fuqitë e Mëdha, garantuese të vendimeve të këtij kongresi, nuk e panë të arsyeshme të ndërmerrnin ndonjë hap për të parandaluar këtë akt barbar të Serbisë. Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, M. Piroqanac i arsyetonte këto veprime ndër kabinetet e qeverive të Fuqive të Mëdha se “Nëse nuk do t’i dëbonim nga këtu, do të na shkaktonin fatkeqësi”. Po kështu, edhe Kryeministri, Jovan Ristiq, e thotë se por të mos bëhej ky veprim “shqiptarët do t’i shkaktonin vështirësi shtetit serb, madje edhe luftë të përgjakshme ” (J. Ristic, v. c. 241-247) .

Si rrjedhojë e dhunës, terrorit e gjenocidit të ushtrisë e të xhandarmërisë serbe, edhe Sanxhaku i Nishit, Kazaja e Pirotit, dhe Kazaja e Vrajë,do të ktheheshin në toka të pastra serbe, që kapnin një sipërfaqe prej rreth 12.000 km2.Gazmend Zajmi, duke trajtuar shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje,e ka cilësuar këtë akt si formë të gjenocidit: “Shpërngulja e qëllimshme dhe e dhunshme e popullatës është shënuar si krim gjenocidal në kuadër të krimit kundër njerëzimit” (G. Zajmi, në: Gjenocidi. . . , Prishtinë, 1995, 15).

ÇËSHTJA E PRONAVE TË PALUAJTSHME

Kongresi i Berlinit obligonte Serbinë me anë të dy neneve (35, 39), që të pranonte kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre. Midis tjerash thuhej: “Në trevat e bashkuara të Serbisë, myslimanët dhe të krishterët duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta qytetare dhe politike. Ata gëzojnë të drejtat e tyre mbi pronat e tyre Ndërsa ata që nuk dëshironin të ktheheshin, mund ta jepnin tokën me qira, në formë gjysmatarie, rrjedhimisht ta shisnin(J. Ristić, Diplomatska istorija Srbije (1875-1878), knj. II, deo II, Beograd, 1898, 256-264). Princi serb, Milan Obrenoviq, përballë këtij obligimi deklaroi: “Njerëzit mund të kthehen e të jetojnë ku të duan në Principatën e Serbisë”. Mirëpo, doli se premtimi i tij bëhej vetëm për efekte taktike kundrejt Fuqive vendimmarrëse së Kongresit të Berlinit. Për të pamundësuar jetësimin e këtyre neneve, qeveria e tij nxori një varg pengesash, për të pamundësuar realizimin e kësaj të drejte të ligjshme të shqiptarëve. Për dhënien e tokës me qira, pronarët shqiptarë duhej t’i parashtronin kërkesë personalisht pushtetit vendor, që përbënte vështirësi përplot rreziqe; askush nuk e garonte jetën e tyre. Pra,pronarët shqiptarë e kishin vështirë të ndiqnin procedurën.Ndërkohë, qeveria serbe, një pjesë të pronave të shqiptarëve i tjetërsoi përmes ankandeve publike, me arsyetimin se po laheshin “borxhet e pronave të tokave ndaj shtetit serb”. Pati raste kur pronarët shqiptarë të tokave që shkuan në Serbi për të zbatuar të drejtën mbi pronat e tyre, u dënuan me shumë vite burg, me arsyetimet nga më të ndryshmet.

Fuqive e Mëdha, vendimmarrëse të Kongresit të Berlinit, nuk ndërmorën ndonjë hap kundër Serbisë për të detyruar atë që të zbatonte dy nenet e përmendura. Kështu Serbisë iu lanë duart e lira për t’i kthyer tokat shqiptare në toka të pastra serbe. Edhe Perandoria Osmane nuk qëndroi në lartësinë e detyrës ndaj këtij problemi. Ç’është e vërteta, ajo bëri ndonjë hap për zgjidhjen e tij, por këtë e bënte nga trysnia e krahut radikal të Lidhjes së Prizrenit, i cili ishte i vendosur të luftonte për çlirimin e Trojeve Veriore të Vilajetit të Kosovës. Pra, qenë shqiptarët ata që vunë në lëvizje Perandorinë Osmane, që ajo të bënte disa përpjekje, tek përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll, kinse interesohej për fatin e shtetasve të saj, të dëbuar me dhunë. Presionin diplomatik të saj, Serbia fillimisht e shpërfilli, me arsyetimin se “shqiptarët ishin shpërngulur vet, pasi kishin luftuar kundër ushtrisë së saj” ( J. H. Vasilevic, v. c, 17-17). Por ky arsyetim nuk pëlqehej nga përfaqësuesit diplomatikë rusë e britanikë në Stamboll. Ata kërkonin me ngulm kthimin e shqiptarëve në Serbi.

Ngulmonte sidomos Rusia, përmes ambasadorit të saj në Stamboll, Labanov, e bindur se shqiptarët nuk do të qëndronin në Serbi, se do të ktheheshin atje ku ishin shpërngulur , siç vepruan turqit e Bullgarisë. Trysnia e qeverise ruse për kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre, detyroi Serbinë që të ndërmerrte ndonjë hap konkret, për zbatimin e neneve të përmendura të Kongresit të Berlinit. Në këtë kuadër.Kryetari i Qeverisë serbe, Jovan Ristiq organizoi një takim midis përfaqësuesve të tij me përfaqësuesit e Lidhjes së Prizrenit (4 gusht 1879). Në takim përfaqësuesi i qeverisë serbe shprehu gatishmërinë për kthimin e shqiptarëve. Ndërsa, njëri nga përfaqësuesit shqiptarë, Zeqir Ahmeti deklaroi: “Mbretit tuaj nuk i besohet, sepse ai nuk ka besë. Ai nuk e mbajti fjalën kur na garantoi se po të qëndronin urtë nuk do të ngiteshim, por ushtria serbe na dëboi të gjithëve me forcën e armëve” (J. H. Vasilevic. 17-19). Fjalët e tij demaskuan politikën dyfytyrëshe të qeverisë serbe, që pati për rrjedhojë dështimin e takimit.

Pas dështimit të “përpjekjeve” të Portës së Lartë për kthimin e shqiptarëve në tokat e tyre në Serbi, qeveria serbe i pati duart e lira për ta zgjidhte çështjen e pronave të tyre përmes Ligjit mbi Reformën Agrare (01. 04. 1880). Sipas tij, të gjitha vendbanimet e shpopulluara do të “plotësoheshin me pronarë të rinj” (me kolonë serb R. A). Neni 4 i tij precizonte qartë: ”Toka i përket atij që e punon”. Serbia këtë hap e bëri me arsyetimin se shqiptarët nuk po ktheheshin në trojet e tyre, ndërsa Porta e Lartë nuk ishte e interesuar të zgjidhte çështjen e pronave të shqiptarëve, rrjedhimisht shtetasve te saj, pasi ajo tashmë kishte shtypur në gjak Lidhjen e Prizrenit.

PSE DUHET TË PUBLIKOHEN TAPITË

Botimi i tapive të Sanxhakut të Nishit, e të trevave të tjera për rreth, të njohura si Troje Veriore Shqiptare, janë me peshë shkencore, dhe me efekte politike. Përmes këtyre dokumenteve me interes të veçantë, do të dihej deri ku saktësisht shtriheshin këto troje, dhe cili ishte numri i bartësve të tapive, rrjedhimisht i pronarëve të pronave të paluajtshme. Nga ky numër do të rezultonte numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këto troje, sepse nga autorë të ndryshëm shqiptarë janë dhënë shifra, me dallime mëdha, që shkojnë nga 150. 000 deri 350. 000. Përmes tapive do të saktësohej edhe numri i fshatrave në të cilët banonin shqiptarët, sepse studiuesit kanë dhënë shifra që dallojnë dukshëm midis,që shkojnë nga 656-700. Bymimi i shifrave, dhe i fakteve të tjera, nuk është në interes të historiografisë së Kosovës , sepse bie ndesh me të vërtetën.

Është me interes shkencor, që në arkivat e Turqisë, të Serbisë, e në ndonjë arkiv tjetër, të sigurohen informacione për numrin e saktë të shqiptarëve të vrarë, të keqtrajtuar, të arrestuar, të grave të dhunuara, të shtëpive e të lagjeve të qyteteve të rrëmuara etj. Po kështu, do të ishte me interes të dihen detaje të tjera, që kanë të bëjnë me çështjen e tjetërsimit të pronave të paluajtshme të shqiptarëve të dëbuar, qëndrimin e Perandorisë Osmane ndaj këtij problemi, si dhe të shteteve vendimmarrëse të Kongresit të Berlinit. Botimi i tapive duhet të bëhet në gjuhën angleze, dhe të shpërndahen në qendrat vendimmarrëse politike, në Bruksel, Nju Jork, si dhe në shtetet evropiane e më gjerë. Përmes tyre, do të ndërgjegjësoheshin qarqet vendimmarrëse politike për pastrimin e parë etnik të tokave shqiptare nga Serbia, rrjedhimisht për gjenocidin e parë të saj mbi shqiptarët. Mbase në këtë mënyrë do të diskreditohej politika shoviniste e Serbisë, që ka ndjekur me konsekuencë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në një periudhë mbi 200 vjeçare.

Kosova duhet ta plasojë të vërtetën e historisë së saj që nga Mbretëria e Dardanisë, tash e 2400 vjet më parë, e cila shtrihej nga Nishi e Piroti deri në Maqedoninë Veriore. Është për të vënë re se kufijtë e saj përkojnë përafërsisht me kufijtë e Vilajetit të Kosovës, i banuar me shumicë shqiptare. Të rikujtojmë se në marrëveshjen, e nënshkruar midis Komisionit të qeverisë osmane dhe përfaqësuesve shqiptarë të Kryengritjes së Përgjithshme në Shkup (18. 8. 1912), Perandoria Osmane njohu autonominë e Shqipërisë brenda katër vilajeteve të banuara me shumicë shqiptare, siç iu njohtë kjo e drejtë Serbisë e vendeve sllave dhe Greqisë. Por kjo e drejtë e ligjshme e Shqipërisë, nuk u jetësua, si rrjedhojë e Luftës së Parë Ballkanike. Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha, të ndara në dy blloqe politike-ushtarake, vendosën t’ia jepnin më tepër se gjysmën e tokave shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, për të kënaqur interesat e tyre imperialiste gjeopolitike. (koha.mk)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here