Justiniani ishte nip i Justinit të I dhe lindi në Bedriana në Dardani. Vendit të cilin e rriti ai ia shpërbleu si asnjë perandor Ilir më përpara. Kështu, ndërtoi qytetin e tij të lindjes dhe e rrethoi me mure të larta me qëllim që të mos prekej nga dyndjet barbare

Me shpenzimet e veta ndërtoi një ujësjellës madhështor në qytet që të kishte ujë në të gjitha stinët. Për atdheun nga vinte ndërtoi 157 kështjella që nga Danubi në Epir me qëllim që të siguronte këto territore nga dyndjet e popullsive të ndryshme që kishin filluar prej shekujsh. Është meritë e tij që një pjesë e madhe e territorit shqiptar shpëtoi nga dyndjet sllave.

Justiniani u martua me Teodorën, një femër e shthurur që kishte nisur jetën si artiste, por që kur njohu Justinianin, ktheu rrugë, pasi u dashurua me të dhe filloi t’i përkushtohej perandorit dhe Zotit. Gruaja ishte partneria e tij në politikë, dhe një nga këshilltaret më të zonja që do ta shpëtonte atë në disa raste, madje edhe kur rrezikoi fronin.

Ëndrra e Justinianit në politikën e jashtme ishte që të ribënte edhe njëherë Perandorinë Romake, dhe kësaj ëndrre i dedikoi pjesën më të madhe të jetës së tij. Ai kishte disa komandantë të zotë si Belisari dhe Naseri të cilët ndërmorën fushata ushtarake për të pushtuar territoret që kishte projektuar Justiniani. Kështu brenda një kohe të shkurtër ai pushtoi mbretërine vandalëve në Afrikën veriore, Siçilinë, Napolin, Ravenën.

Në Itali luftoi kundër ostrogotëve dhe kapi mbretin e tyre rob, ashtu si edhe mbretin e vandalëve. Pushtoi pjesën jug-lindore të gadishullit Iberik duke shkatërruar dhe aty mbretërinë gjermane. Por ndërkohë që ai ndërmerte fushata ushtarake në perëndim, barbarët sllavë po shkelnin tokat më të mira të perandorisë ato të Ilirisë, dhe pasi bënë një shekull fushata grabitëse tashmë, donin që të vendoseshin në këtë vend patjetër.

Ai nuk i pranoi t’i vendoste në Iliri, por në shekullin e VII perandori Herakël i vendosi sllavët në territoret ilire, në Kroaci dhe Slloveninë e sotme, pasi fiset me origjinë turke të quajtura bullgare, kishin hyrë në pjesën lindore të Ilirisë me forcë, më vonë erdhën edhe serbët që u vendosën në Danub në veri të Dardanisë. Enciklopedia Ruse e vitit 1954 pasqyron kufijtë e mbretërisë së Serbisë në fillim të shekullit të XIX, të cilat shtriheshin në veri të Nishit vetëm në Beogradin e sotëm dhe po aty pasqyrohet zgjerimi i Serbisë në kurriz të tokave etnike shqiptare. Nga njerëz që mezi nxirrnin kokën nga pylli, dalëngadalë sllavët u bënë zotër të pjesës më të madhe të Ilirisë duke e futur vendin në një periudhë errësire mesjetare dhe varfërie.

Justiniani, për të mos pasur probleme me perandorinë perse, nënshkroi me të një marrëveshje paqeje për 50 vjet. Në vitin 532, ai shtypi kryengritjen e Nikes, që ishte një luftë midis të kaltërve e të gjelbërve për çështje fetare, që lidheshin me pikëpamjet që kishte njëra palë për Zotin dhe tjetra. Justiniani, nuk mbajti nga asnjëra palë, gjë që e çoi në konflikt me të dyja palët, të cilat u bashkuan kundër tij. Ata shpallën perandor një ilir tjetër, nipin e Anastasit, dhe Justiniani u bë gati të largohej nga froni, por nuk e la Teodora dhe kështu me ushtri e diplomaci arriti ta shtypë rebelimin, dhe të forcojë pushtetin e vet.

Ai ndaloi shitblerjen e posteve në administratë, dhe kreu një reformë administrative që e centralizonte pushtetin dhe e vinte nën kontrollin e tij. Në provinca ndau pushtetin civil nga ai ushtarak me qëllim që administratorët e tyre të mos kishin në dorë gjithçka dhe të bëheshin konkurentë për fronin perandorak me forcën e armëve. Rriti tregtinë duke hapur një rrugë të re për në Kinë që shmangte territoret e perandorisë perse, madje ai dërgoi agjentë në Kinë, të cilët e vodhën krimin e mëndafshit, pasi kinezët nuk ua jepnin, dhe ngriti një industri të madhe mëndafshi në Konstandinopojë dhe qytete të tjera.

Justianini ishte iniciatori i një kodifikimi të madh të së drejtës romake duke parë se ajo nuk po i përshtatej më marrëdhënieve të reja që ishin krijuar. Në fakt, e drejta romake ishte një e drejtë skllavopronare, por në kushtet e krishterimit skllevërit po liroheshin dhe filloi një lloj i ri skllavërimi që quhej kolonat e më pas feudalizëm. Kështu kur marrëdhëniet ekonomike kishin ndryshuar, duhej ndryshuar dhe ligji që rregullonte këto marrëdhënie. Në fakt, ishin bërë shumë ligje sepse çdo perandor nxirrte urdhëresat e tij, duke e bërë drejtësinë shumë konfuze, kështu që lindte nevoja e kryerjes së një seleksionimi të së drejtës për ta bërë atë sa më praktike.

Për këtë ai ngarkoi një grup juristësh, të cilët kodifikuan të drejtën duke nxjerrë Corpus Juris Civilis, pra kodin e së drejtës civile. Pas një pune trivjeçare u bë një përmbledhje e çështjeve të së drejtës romake e quajtur Diageste, që ishte një përmbledhje e shkrimeve të juristëve të vjetër romakë. Për ta studiuar studentët këtë të drejtë në shkollë u krijuan Institucionet. Ligjet që nxori vetë Justiniani gjatë qeverisjes së tij u quajtën Novela dhe ishin të vetmet në gjuhën greke. Kështu e drejta Skllavopronare iu përshtat një shoqërire të re. Ky kodifikim u ndikua nga idetë e reja të barazisë para ligjit, megjithatë kjo e drejtë i shërbente klasës së lartë, dhe perandori kishte një pushtet të pakufizuar mbi shtetin dhe shtetasit e tij pra ai ishte mbi çdo gjë. Kjo do të ishte dhe filozofia e mbretërve feudalë të mëvonshëm.

Ai ishte armik i paganizmit grek, dhe në vitin 529 mbylli Akademinë e Athinës ku predikohej akoma feja pagane. Në fakt, me grekët, perandorët e Bizantit janë sjellë shumë keq, sepse ata qenë popullsia e fundit e perandorisë që u kristianizuan ngaqë kishin pasur një traditë të fortë pagane dhe një numër të madh perëndish që s’ishte e lehtë t’i shkulje nga mendjet e njerëzve. Ai e mbrojti kishën e krishterë dhe i dhuroi prona të shumta. Ndërtoi kisha e manastire, ku mbi të gjitha dallonte kisha e Shën Sofisë në Konstandinopol, një vepër arti e klasit të parë që u kthye në xhami, e sot është muze. Kjo kishë apo xhami është ndërtuar në kodër në një sipërfaqe të madhe përballë detit, dhe qëndron edhe sot madhështore si përpara 1400 vjetësh.

Edhe pse kisha kishte Patriarkanën, ai qëndronte në krye të saj duke marrë pjesë në çdo konsil dhe kështu lidhi pushtetin fetar me atë civil. Ai ishte autoriteti më i lartë i kishës së lindjes, dhe as para tij dhe as më pas nuk pati perandorë që ndikuan aq shumë te kisha. Që ta kishte mirë me Papatin ai duhet të dënonte të gjithë kundërshtarët fetarë të tij, që ishin rrymat fetare të lindjes, të cilat kundërshtonin doktrinën zyrtare të kishës si e pambështetur në Bibël, pra që mbështetej në fjalët e njerëzve të shenjtë, dhe jo në fjalët e Zotit. Megjithë masat që mori, ai kurrë nuk i mposhti dot këto rryma.

Duke qenë se nuk ia dilte dot as me papën dhe as me rebelët fetarë në perandori, e mbante mirë herë me njërën palë e herë me tjetrën duke i kërcënuar kur ishte e nevojshme. Periudha e qeverisjes së Justinianit ishte periudha e fundit e lavdishme e Perandorisë Romake, se pas tij do të fillonte një periudhë e re në historinë e perandorisë. Ai ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit, sepse i dha perandorisë edhe njëherë, për herë të fundit, territoret e perëndimit deri në Spanjë. Justiniani ishte iniciatori i kodifikimit të së drejtës romake, që sot është baza e kodeve civile e sistemit ‘civil law’ në Europë dhe kudo në botë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here