Me thirrjet “Liri – Demokraci”, populli ishte bërë njësh, për të çarë muret e rrethimit socialist dhe ato të ambasadave të huaja në Shqipëri.
Ishte kjo ditë, goditja më e rëndë që regjimi diktatorial, kishte marrë deri atëherë.
Tashmë, qytetarët shqiptarë kishin rrëzuar muret rrethuese të regjimit të egër, që i ndante me botën e lirë, për t’u bërë pjesë e saj përgjithmonë.
Kjo ngjarje i dha një krisje të madhe gjithë nomenklaturës komuniste. Në një mbledhje të Byrosë Politike, Ramiz Alia do t’u drejtohej të pranishmëve:
“Ngjarja e 2 korrikut, i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj, u krijua një situatë e rëndë.
Në këtë ngjarje, pasqyrohet puna e dobët, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit…
Është e çuditshme që organet tona, emrat e atyre që ishin futur në Ambasada nuk i dinin, kështu u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaporta.”