DISA BURRA TË SHQUAR TË ARBËRESHĒVE TË ITALISË

NIKOLLA KETA

Nikollë (Kolë) Keta lindi më 1742 në katundin Kuntisa (Comtessa Entellia), ngulim arbëresh në krahinë të Palermos në Sicili, dhe vdiq në këtë qytet më 1803.
Studimet i kreu në Seminarin arbëresh të Palermos, tē themeluar në 1734 prej Gjergj Guzetës. Ky Seminar u bë, sidomos në shekullin e kaluar, një vatër e kulturës shqiptare, ku u shkolluab një varg burrash të shquar, si Zef Krispi, dy Darajt, Zef Skiròi, Pal Skiròi e të tjerë.

Përveç se si poet, Nikollë Keta shquhet sidomos edhe si dijetar, si një gjurmues i palodhur i historisë, i gjuhës, i dokeve e zakoneve e përgjithësisht i trashëgimisë kulturore të arbëreshëve të Italisë, veçanarisht të Sicilisë. Si poet ai është autori i një poemthi prej 76 stancash (oktavash) mbi krijimin e botës. Emri i tij ndërkaq është i lidhur me disa vepra shkencore, të cilat presin ende që të botohen. Ndër veprat me karakter gjuhësor hyn aty një fjalor mjaft i madh italiht- shqip, me rëndësi për studimin e arbëreshtes së Italisë dhe për historinë e leksikut të shqipes. Megjithëse hartuar në një periodë para themelimit të gjuhësisë si dije me vete, nuk është pa interes edhe dorëshkrimi ,,Etimologjiku i gjuhës shqipe”, ndonëse përmban shumë vërejtje me frymë të kaluar.

Vepra historike e Ketës ,,Lajme mbi makedonët”, shkruar italisht me titullin ,,Notizie su dei Macedoni” më 1777, dhe mbetur dorëshkrim ashtu si shkrimet e tjera të tijat, është me një vlerë të veçantë dhe sot e kësaj dite, gati dyqind vjet pas hartimit të saj. Në këtë vepër bëhet një studim i thelluar u historisë së ngulimeve arbëreshe të Sicilisë dhe i çështjes së prejardhjes së tyre. Në hetimin e kësaj çështjeje aty merren në shqyrtim, me një metodë gjurmimi thuajse moderne, të dhënat e historisë, të dokeve e zakoneve, të gjuhës e të toponomastikës të këtyre katundeve arbëreshe, duke kaluar kështu caqet kur u hartua kjo vepër.

Shkëputur nga “STUDIME GJUHËSORE V Gjuhë – Folklor – Letërsi – Diskutime nga Dr. Eqrem Çabej /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here