Si raportonte shtypi gjerman mbi epideminë e lisë së keqe në Kosovë më 1972. Prej 124 vetave të infektuar vdiqën 26, mes tyre edhe fëmijë.

Më 10 prill 1972 revista gjermane “Der Spiegel” raportonte mbi shpërthimin e epidemisë së variola verës në Kosovë ose lisë së keqe, siç njihet në popull. Fillimisht, sipas “Der Spiegel”, mjekët në Kosovë besonin se njerëzit ishin infektuar me ujin zemzem, të cilin e sillnin nga Arabia Saudite pelegrinët në vendet e shenjta islame. Ky ujë është një “suvenir i adhuruar” në Kosovën e banuar “kryesisht nga mohamedanët”. Ujin e sillnin pelegrinët fetarë nga Meka. “Der Spiegel” shkruante se sipas bestytnisë popullore në Kosovë, kjo “pije magjike” ndihmon për shtatzëni, “e stimulon potencën” dhe mund t’i shmang edhe epidemitë e kafshëve. Zemzem quhet kroi në oborrin e Xhamisë së Madhe në Mekë të Arabisë Saudite.

Më tutje revista gjermane raportonte se në fillim të vitit 1972 autoritetet jugosllave ndaluan sjelljen e ujit zemzem nga frika se kështu do të futej edhe kolera që po bënte kërdi në Lindjen e Afërt. Në kufi autoritetet jugosllave konfiskuan 15 hektolitra ujë zemzem (masë vëllimi për lëngje e barabartë me njëqind litra). Në mungesë të ujit zemzem në Kosovë “haxhinjtë e dëshpëruar” i mbushnin shishet me ujë vendor nga pusi dhe e shisnin një gotë për një markë gjermane.

Supozohet se me virusin e variola verës së pari ishte infektuar Ibrahim Hoti nga komuna Rahovecit pas një qëndrimi në Mekë, Qerbela, Naxhaf dhe Bagdad. Mjeku në pension Radmilo Petroviq, i cili më 1972 ka qenë i angazhuar në luftimin e epidemisë, ka deklaruar para disa viteve se nuk dihet si ka ardhur virusi në Jugosllavinë e atëhershme. Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga viti 1973 nënvizohet se i infektuari i parë ka qenë pelegrini Ibrahim Hoti.

Ndërsa më 7 prill 1972 gazeta “Die Zeit” e Hamburgut njoftonte se zyrtari i lartë i qytetit të Hannoverit, Martin Neuffer, i përshëndeti 665 banorë me një shishe verë (“69er Oppenheimer Krötenbrunnen”) dhe me një vezë prej çokollate në shenjë falënderimi për durimin e tyre gjatë festës së Pashkëve, të cilën ata e kishin kaluar në karantinë. Këta 665 banorë të qytetit gjerman kishin pasur kontakt direkt apo idirekt me Ejub Hoxhajn, një punëtor 24-vjeçar nga “rajoni autonom i Kosovës”, i cili nga atdheu i tij e solli variola verën.

Epidemia kishte ngjallur shqetësime te udhëheqja e atëhershme jugosllave. Ajo frikësohej se për shkak të variola verës mund të dështonte sezoni turistik në bregdetin kroat. Turizmi ishte një burim i mirë devizash për buxhetin jugosllav. Në fillim udhëheqja jugosllave u përpoq ta mbajë të fshehur epideminë. Më 17 mars zëvendësministri për punë dhe çështje sociale, Abdurrahim Zhuri, tha se nuk ka arsye për shqetësim për shkak të “tetë rasteve klinike të dyshimit për variola vera”. Edhe zyrtarë të tjerë u përpoqën të krijojnë përshtypjen se rastet e infektimit nuk ishin serioze. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë me variola verën u infektuan 175 veta, prej tyre vdiqën 35. Më së shumti të infektuar dhe të vdekur kishte në Kosovë (124 dhe 26). Në fund të prillit 1972 epidemia, sipas një dekreti të autoriteteve, u shpall e mposhtur. Kështu shpëtoi edhe sezoni turistik.

Përveç angazhimit mbinjerëzor të mjekëve nga Jugosllavia për luftimin e infektimeve me variola verën, ndihmë të çmuar dha edhe epidemologu i famshëm austriak Reinhard Lindner./Kohanet

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here