Policia po kërkon informacion mbi dy piktura origjinale, nga artistë evropianë të shekullit të 17-të, që përfunduan në një kontnier buzë rrugës, në Gjermaninë juglindore.
Pikturat në vaj, në kornizë, u gjetën nga një 64-vjeçar pranë stacionit të autostradës, në rajonin e Bavarisë, muajin e kaluar. Ai i dorëzoi më vonë në polici, në qytetin perëndimor të Këlnit.
Zyrtarët kanë bërë thirrje, për pronarin e pikturave.
Nga vlerësimi fillestar, sipas një eksperti për veprat e artit, u arrit në përfundimin se sipas gjasave, pikturat ishin origjinale, – tha policia.
Njëra nga veprat, është autoportreti i qeshur i artistit italian, Pietro Bellotti, që daton prej vitit 1665.
Bellotti, njihet kryesisht për portretet. Sipas galerisë “Canesso” në Zvicër, artisti “punoi për familje shumë të shquara në Venecie dhe më gjerë”, duke përfshirë klientë si Kardinali Ottoboni dhe Guvernatori i Milanos.
Piktura tjetër është e një djali të qeshur me një kapak të kuq, data e panjohur, nga artisti hollandez, Samuel van Hoogstraten.
Hoogstraten ishte një piktor dhe shkrimtar, i cili u trajnua nga Rembrandti, në Amsterdam, sipas Leiden Collection, një nga koleksionet më të mëdha private në botë, të veprave nga Epoka e artë hollandeze.
Artisti shkroi “Hyrje në Shkollën e Mesme të Artit të Pikturës”, që u botua në vitin kur vdiq, në 1678.
Libri përfshin kujtime të qëndrimit të tij në studion e Rembrandtit dhe është ajo që Galeria Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar e quajti “burim i vlefshëm informacioni rreth pikëpamjeve të Rembrandtit mbi pikturën”.