Stadiumi i klubit futbollistik, që atëherë quhej ‘Crvena Zvezda’, ka qenë matanë rrugës dhe përballë fabrikës së metaleve ‘Gosha’. Stadiumi, i cili në fakt ishte vetëm fushë futbolli, ishte larg shtëpisë tonë por unë atje shkoja me nënën time, e cila, aty afër, kishte një kusherirë. Sa herë shkoja, qëlloja në ndonjë ndeshje apo stërvitje të lojtarëve. Shkoja me gëzim dhe mendoja se sa me fat ishin këta njerëz që e kishin shtëpinë me pamje nga stadiumi.
Fusha ka qenë e shtruar me një material me ngjyrë kafeje, në formë të zallit që i thoshin ‘shushlak’ dhe që kishte kokrra mjaft të vrazhdëta. Nëse lojtari rrëzohej, ka qenë vështirë të mos i bënte gjunjtë apo bërrylat me gjak. Kur topi binte nga lart e përplasej në fushë, dëgjohej një jehonë buuuum sikur të ishte pëlcitje e një mini bombe. Terreni ishte aq i rrafshtë sa që mua më dukej se e kanë shtypur me ‘valak’. Më dukej se me këtë rast edhe toka ushtonte dhe dridhej pak sikur të ishte ndonjë pllakë betoni e nën te ndonjë podrum.
Nuk kishte tribuna për shikues dhe nuk e di se në cilën ligë ka qenë atëherë ‘Zvdezda’. Për ne fëmijët, fusha dhe futbollistët kanë qenë atraksion i madh. Por, atraksioni i vërtetë ka qenë topi apo futbolli që kishte ngjyrë të kaftë. Topi ishte i punuar me copa të lëkurës të qepura kurse në mes kishte një hapësirë që mbyllej me penj. Në këtë pjesë hapej topi dhe cipa e brendshme i ndërrohej apo kapej me ngjitës nëse shpërthente dhe shfryhej.
Ne fëmijët rrinim anash apo pas portës me shpresë që kur të dilte topi jashtë fushës, do të kishim rast ta shutonim duke e kthyer në fushë. Kushedi sa herë kam vrapuar pas atij topi dhe kurrë nuk kam arritë ta shutoj. Së paku ta provoja se si do të ndjehesha pas shutit të futbollit të vërtetë. Ta shihja nëse topi ishte i rëndë, i butë apo i fortë. Sikur të kisha edhe ‘kopaqka’ kushedi sa larg do ta shutoja nëse më vinte rasti. Ndoshta do ta gjuaja deri te mesi i fushës ku mblidheshin më së shumti lojtarët e të dy anëve të veshur me ‘dresa’ dhe numra në shpinë.
Topi ka ndryshuar shumë nga atëherë e deri sot. Është përsosur vazhdimisht. Sidomos, pas viteve të 60-ta, kur prodhimin në duar e mori Adidas. Sot topi peshon dikur rreth 430 gr. Ai pas të cilit vrapoja unë e që shihet edhe në këtë foto, ka qenë diku rreth 500 gram por kur binte shi, lagështia i hynte brenda dhe mund ta dyfishonte peshën. Pra, ka qenë vështirë të luhej me këtë top, sidomos nëse të binte në kokë në ditët me shi.
‘Kopaqkat’, pra këpucët e futbollit, poashtu kanë qenë të rënda nga pesha nëse krahasohen me këto të sotshmet. Këto këpucë dikur kanë qenë pothuaj 1 kg dhe pesha rritej nëse lageshin. Prodhimet e para kanë pasur një copë hekuri në maje të gishtave me qëllim që shuti të ishte më i fortë. Edhe këpucët kanë ndryshuar sikur topi. Pesha ka filluar të bëhet më e lehtë nga vitet e 50-ta kur edhe këto filloi t’i prodhonte Adidas. Sot, peshojnë vetëm 90 gr. nëse i bleni të firmës NIKE.
Kam ndryshuar edhe unë. Por, te unë pesha ka shkuar në anën e kundërt. Megjithatë, siç thotë një fjalë, sot qaty me pas nji kësi topi dhe ni parë ‘kopaqka’ nuk e shutoj se më nuk më duket intersant. Por, në fëmijërinë time, fotbolli ka qenë më i rëndësishëm se sot. Ne kishim albume të futbollistëve dhe i ndërronim fotografitë e lojtarëve që vinin së bashku me një lloj çokollade jokualitative. Nën fotografi gjendeshin informatat bazë të lojtarit:emri, mbiemri, klubi ku luante dhe shteti. I njihnim tërë futbollistët e botës. Ata që kishin fotografi të rralla ishin të rëndësishëm. Shkonim t’i shikonim fotografitë e futbollstëve që nuk i kishim në album dhe diskutonim për ta. Në fakt nuk dinim më shumë se që shihej në foto, por ne diskutonim për ta sikur që i njihnim familjarisht e me shekuj.
I shikoja këto fotografi dhe i mbaja në xhep apo në dorë duke u munduar ta gjeja dikend që do t’i ndërronte me mua me ndonjë tjetër që më mungonte në album. Nëse nuk kishte ndërrim, e luanim një lojë në dy mënyra. I lëshonim fotografitë në tokë, secili nga një, dhe pastaj me rradhë mundoheshim që t’i kthenim në anën tjetër duke iu rënë me shuplaka që i bënim në formë të gurrës dhe të cilat së pari i hukatnim. Një formë tjetër, më e lehtë, ka qenë loja në gisht. E vendosnim fotografinë në gishtin tregues dhe tjetri i binte me fotografinë e tij dhe fitonte nëse të dyjat në tokë binin në anën e njejtë.
Mua më së shumti më qëllonin vëllezërit Jack dhe Bobby Charlton, por edhe Dragan Džajić. Që të tre këta futbollistë, shumë të popullarizuar, edhepse ishin të rinj kanë qenë qela (tullacë) në pjesën e kokës mbi ballë. Mendoja se iu kanë rënë flokët për shkak se e shutonin topin me kokë. Me siguri iu qëllonte ajo pjesa me penj që ua shkulte flokët. Besoja se qelat me kry e kanë shutin më të fortë se ata që kishin flokë. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here