PERSONALITET I SHQUAR LËVIZJES ATDHETARE

Luigj Gurakuqi ka qenë njëri ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së Atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Luigji lindi në Shkodër, me 19 qershor në vitin 1879.

Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës, në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës. Pastaj vijoi studimet e larta në shkencat biologjike, në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Më 1908, u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit.Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet, në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja që hynë në fondin e saj. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Mori pjesë gjallërisht në Revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S.Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Me armë në dorë, me artikujt programatikë e me fjalimet e tij të zjarrta, Luigj Gurakuqi luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili nëpërmjet reformash demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohëne humbur gjatë shekujve të robërisë.

Në vitet 1921-1923, Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.

Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe më 2 mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.

Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.

Është ndër krijuesit dhe pedagogët e parë, që parashtroi kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.

L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912).

Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.

Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.

L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here