Amerika po përshkohet nga një valë të nxehti e pazakontë që shkencëtarët thonë se do të jetë normalja për shumë vite.
Dhjetëra milionë amerikanë në shtetet perëndimore janë udhëzuar të kenë kujdes nga temperaturat që po afrohen në 50 gradë Celsius.
Vala është shtrirë në një të tretën e hartës së vendit, nga shteti qendror i Uajominit në Kaliforni, dhe nga veriu, në Ajdaho, në jug, në Arizonë.
Në qytetin e Las-Vegasit, në Nevadë, u thye rekordi prej 45,5 gradë Celsius i vënë 16 qershorit 1940, duke e kaluar të mërkurën vlerën me mbi 1 gradë, dhe qyteti është shumë afër rekordit historik prej 47 gradë Celsius.
Meteorologët thanë se në qytetin Feniks të Arizonës jugperëndimore, parashikimet janë për temperatura deri në 48 gradë Celsius.
Shtetet më të prekura prej valës së fundit po u vijnë në ndihmë qytetarëve me të ashtuquajturat stacione freskimi me ajër të kondicionuar.
Në Kaliforni, ndërkohë, autoritetet prej javësh janë përgatitur për sezonin e zjarreve i cili këtë vit pritet të mbërrijë më herët se zakonisht.
88 % e Amerikës Perëndimore raportohet se është nën thatësi dhe nën monitorim për fenomene të rrezikshme të motit.